Nga Heather Maher
Presidenti Barak Obama e ka ashpërsuar tonin ndaj zhvillimeve në Iran, duke iu përgjigjur kështu kritikave se komentet e mëhershme të tij nuk kanë qenë të rrepta.
Gjatë 10 ditëve të fundit, presidenti amerikan, Barak Obama, ka bërë disa komente për krizën në Iran. Ai e ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e popullit të Iranit për ta ushtruar lirinë e fjalës, për përkushtimin e Uashingtonit për zgjedhje korrekte dhe të drejta, si dhe dyshimet për legjitimitetin e zgjedhjeve të 12 qershorit. Ajo që Obama nuk e bëri, ishte përzierja e Shteteve të Bashkuara në krizën iraniane, gjë që u pasua me kritika, sidomos nga republikanët, të cilët e akuzojnë Obamën se nuk ka qenë mjaft i rreptë. Dje, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama dukshëm e ashpërsoi tonin ndaj Qeverisë së Iranit, duke shprehur reagimin e Qeverisë së Uashingtonit ndaj gjakderdhjes. "Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë habitur dhe mllefosur nga kërcënimet, rrahjet dhe burgosjet e ditëve të fundit. Unë i dënoj fuqishëm këto veprime dhe i bashkohem popullit amerikan në zinë për çdo jetë të pafajshme që është humbur", tha presidenti Obama. Kur një gazetar e pyeti Obamën përse ka pritur deri tash që të përdorë gjuhë më të ashpër ndaj regjimit, presidenti amerikan i mbrojti qëndrimet e tij. "Menjëherë pas zgjedhjeve në Iran, unë thashë se ne kemi shqetësime të thella për natyrën e zgjedhjeve, por nuk na takonte neve që ta përcaktojmë rezultatin. Por, sapo dhuna shpërtheu, e bëmë të qartë se ajo është e papranueshme", tha presidenti amerikan.
Por, Xhonah Goldberg nuk është dakord. Ky komentues konservator thotë se i ka mirëpritur fjalët më të ashpra që Obama i tha të martën, por ai duhej të flasë në këtë mënyrë para disa liderëve evropianë dhe anëtarëve të Kongresit. Goldberg thotë se gjatë tërë kohës së krizës, Obama me kokëfortësi dhe gabimisht nuk i ndahej planit të tij për ta angazhuar Iranin diplomatikisht. Presidenti amerikan erdhi në zyrë duke premtuar se do të ulet të punojë me Iranin, që të nxjerrë një marrëveshje për programin bërthamor dhe për dhënien fund të sponsorizimit të terrorizmit nga ana e Teheranit. "Të gjitha pikëpamjet e deritashme u bënë irelevante nga ngjarjet në 10 ditët e fundit në Iran. Megjithatë, ne ende po shohim se si Obama është kapur për atë që mund të quhet fiksim ideologjik i bisedimeve dhe diplomacisë. Pas gjakderdhjes që pamë, nuk do të ketë dobi nga bisedimet, prandaj Obama do të bënte më mirë po ta merrte parasysh këtë", thotë Goldberg. Por, pikëpamje të ndryshme ka Stefen Kinzer, autor i librit "Të gjithë njerëzit e Shahut: Grusht-shteti amerikan dhe rrënjët e terrorit në Lindjen e Mesme". Ai thotë se historia e intervenimeve të Shteteve të Bashkuara në rajon, e veçanërisht në Iran, e kufizon autoritetin moral të Obamës për të mbajtur ligjërata mbi demokracinë. Kinzer thotë se kritikët e Obamës harrojnë se rrëzimi i sponsorizuar nga amerikanët dhe britanikët i ish-kryeministrit Mohamed Mosadeh në vitin 1953, ende është i freskët në kujtesën e iranianëve. "Shumica e tyre janë njerëzit që vitin e kaluar thoshin se Shtetet e Bashkuara duhet ta bombardojnë Iranin; ata deshën luftë me Iranin. Po të bënim siç na thoshin, sot shumica e këtyre njerëzve të guximshëm që dalin në rrugët e Iranit dhe i mbrojnë të drejtat demokratike, do të kishin vdekur", thotë Kinzer.
RFE/NOA
Â