Tiranë, 24 qershor NOA - Princi Leka dhe kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu zhvilluan disa takime elektorale në komunat e rrethit të Matit duke mbështetur kandidatin e PLL Besnik Murati për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Princi Leka duke folur para banorëve të përmalluar të komunës Macukëll, ndër të tjera tha se "matjanët janë krenarë për historinë e tyre dhe duhet të punojnë për ta mbajtur këtë krenari'.
Sipas Lekës, Legaliteti është e vetmja parti që punon për alternativën mbretërore. "Prandaj në zgjedhjet e 28 qershorit unë ju bëj thirrje që brenda koalicionit "Aleanca e Ndryshimit" të votoni partinë "Lëvizja e Legalitetit", sepse duke votuar PLL-në i keni dhënë mbështetje të fuqishme koalicionit të djathtë shqiptar".
Leka u shpreh i bindur se "deputetët e Legalitetit që do të dalin nga zgjedhjet e 28 qershorit do të ndikojnë ndjeshëm për të sjellë ndryshime jo vetëm në Mat por në gjithë Shqipërinë".
***
Në takimin në komunën e Derjanit kryetari i PLL Ekrem Spahiu foli për qëndresën e matjanëve ndaj diktaturës dhe kontributet e tyre për proceset demokratike.
Ai iu drejtua të pranishmëve në mënyrë të drejtpërdrejtë kur u tha se "jeni ata që e kundërshtuat komunizmin që në ditët e para dhe e dëshmuat këtë më së miri në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 kur votuat masivisht kundër tij".
"Kjo solli pasoja të rënda, - vijoi Spahiu, - për ju dhe familjet tuaja që u shoqëruan me pushkatime, burgosje dhe internime për 45 vjet me radhë. Jeni po ju që kontribuuat shumë në rrëzimin e diktaturës dhe që nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 e deri më sot keni votuar gjithmonë për Legalitetin dhe të Djathtën, sikurse do ta votoni PLL edhe më 28 qershor 2009."
e.l/NOA