English

Qeveria i bindet vendimit të Gjykatës Evropiane për familjen Vrioni

Tiranë, 24 qershor NOA - Këshilli i Ministrave vendosi sot, ekzekutimin po sot, të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 24.3.2009, për çështjen nr.2141/03, "Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë", në vlerën 450 mijë euro.

Sipas vendimit që erdhi me propozimin e ministrit të Drejtësisë, tatimi mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind të kësaj shume, paguhet nga shteti.

Vendimi, u kalua në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të konventës evropiane "Për të drejtat e njeriut", ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, "Për ratifikimin e konventës evropiane "Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore"", dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë".

Sipas vendimit, autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati, brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim, është data e sotme, 24 qershor 2009.

Sipas vendimit, shuma 450 mijë euro bashkë me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind, do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, "Vrioni dhe të tjerë".

"Kjo shumë të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së kësaj llogarie", - thuhet në vendim.

Detyrimi financiar, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Sakaq, qeveria urdhëroi që Ministria e Financave të kryejë pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në masën 10 për qind të shumës së dëmshpërblimit, për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të ekzekutuara deri më tani, si më poshtë vijon:

a) Qufaj kundër Shqipërisë 6 883 440 lekë;

b) Beshiri kundër Shqipërisë 1 581 300 lekë;

c) Bajrami kundër Shqipërisë 307 100 lekë;

ç) Gjonbocari kundër Shqipërisë 603 680 lekë;

d) Rramadhi kundër Shqipërisë 827 518 lekë;

dh) Driza kundër Shqipërisë 6 930 000 lekë;

e) Xheraj kundër Shqipërisë 26 560 lekë;

ë) Marini kundër Shqipërisë 4 219 749 lekë;

f) Dybeku kundër Shqipërisë 62 250 lekë.

Vendimi përcakton edhe se pagesa e tatimit mbi të ardhurat, në favor të personave të përmendur në pikën 5, të këtij vendimi, të depozitohet në bankën e nivelit të dytë, ku është depozituar shuma përkatëse e dëmshpërblimit, dhe të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën kur do të çelet llogaria.

e.l/NOA

KOMENTE