Tiranë, 24 qershor, NOA - Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit të tij vendimin për buxhetin faktik të shtetit për vitin 2008.
"Ky buxhet, - theksoi kryeministri, - e shndërroi Shqipërinë në kantier ndërtimi".
Duke shtuar se viti 2008 është viti në të cilin qeveria shqiptare investoi në infrastrukturë 2 herë më shumë se çdo qeveri tjetër e kontinentit.
Ndër të tjera, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë rëndësinë e madhe dhe standardet evropiane të ndërtimit të TEC-it të Vlorës, i cili u inaugurua gjatë vizitës së tij në qytetin e Vlorës.
"Sot u inaugurua TEC-i i Vlorës, një investim prej rreth 122 milionë euro, një instalim i teknologjisë më të fundit që ekziston. Parametrat e ndotjes ishin absolutisht dy herë më të ulëta se sa lejon standardi evropian dhe qartësisht të matshme. Sikundër, cikli i kombinuar i përdorimit të lëndës djegëse garanton eficençën maksimale të përdorimit të saj, por edhe ndotje më të ulët", u shpreh kryeministri.
Më tej, ai tha se ky investim ka një rëndësi të madhe energjetike dhe një rëndësi të madhe turistike, sepse në sistemin tonë energjetik, për shkak të vendosjes së burimeve në veri të vendit, ekziston një disbalancë që shpreh me dëmtimin e parametrave të tensionit, veçanërisht në këto zona. "Ky TEC, i cili ka një fuqi prej 250 mijë vat/orë për të garantuar energjinë, së bashku me Bistricën e rikonstruktuar, i japin një përgjigje të shkëlqyer parametrave të furnizimit me energji të zonës turistike dhe bregdetare", vijoi kryeministri Berisha.
n.e/NOA