English

Takimi i Vlorës, "shkrin akujt" e Kosovës me Maqedoninë, e afron me Malin e Zi

Vlorë, 24 qershor, NOA - Mediat kosovare e kanë komentuar takimin informal të katër presidentëve të rajonit, që është thirrur nga presidenti shqiptar Bamir Topi në Vlorë, si një mundësi për "shkrirjen e akujve" mes Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe një afrim më tepër me Malin e Zi.

Prej tyre raportohet madje se në takimin që presidenti Sejdiu pati me homologun maqedonas, i ka drejtuar atij edhe një ftesë për të vizituar Kosovën.

Bëhet e ditur ndërkaq, se presidenti Sejdiu idenë e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve, si dhe të heqjes së plotë të pasaportave në një të ardhme sa më të afërt ia shtroi edhe homologut të tij nga Maqedonia, Ivanov, gjatë takimit të tyre në Vlorë.

"Ne kemi shumë pika të përbashkëta, që lidhen me historinë tonë, por edhe me ambiciet tona për integrimet në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë", tha presidenti Sejdiu gjatë takimit me presidentin Ivanov.

Duke shtuar se për Kosovën, është me rëndësi të demonstrohet gatishmëria në rajon se jemi të përkushtuar për bashkëpunim dhe për marrëdhënie të mira. Bëhet e ditur ndërkaq, se në takimin që Sejdiu pati me Ivanov, krahas liberalizimit të kufijve, presidenti Sejdiu shtroi domosdonë e shtimit të bashkëpunimit rajonal për pengimin dhe luftimin e dukurive të këqija që mund të paraqiten në vendet tona, veçmas të atyre dukurive që janë të karakterit të krimit të organizuar. "Republika e Kosovës gjithmonë e ka trajtuar dhe do të vazhdojë ta trajtojë Maqedoninë si partner strategjik", mësohet të jetë shprehur Sejdiu.

Nga ana tjetër, në takimin që Sejdiu pati me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç theksoi përkushtimin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për të qenë shembull i bashkëpunimit, madje jo vetëm me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, por edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit. "Përvoja e Malit të Zi në procesin e tranzicionit dhe të ndërtimit të institucioneve demokratike është një model i mirë edhe për vendet e tjera", tha Sejdiu, duke pohuar vullnetin e plotë të Prishtinës zyrtare për ruajtjen dhe forcimin e frymës së miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë në mes të të dyja vendeve.

n.e/NOA

Â

KOMENTE