English

Berisha: Mesazhi në shishe, ja çfarë kam fshehur në Dajt

Tiranë, 25 qershor NOA - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka folur për misterin e mesazhit në shishe që la në Dajt para disa muajsh, kur refuzoi të tregojë se çfarë kishte shkruar aty, pasi e groposi rrëzë një shkëmbi në majën më të lartë të Dajtit.

Rrëfimin për "misterin e shishes në Dajt", Berisha ka pranuar ta cekë por jo ta zbulojë plotësisht, në një intervistë që transmetoi mbrëmë televizioni Ora.

Një intervistë, ku Berisha për herë të parë ka folur gjatë dhe me detaje për atë se çfarë do të bëjë ai pas zgjedhjeve, nëse i humb ato.

Berisha foli për një kapërcim të qetë pushtetesh dhe për plane konkrete në jetën private familjare, gjithnjë nëse nuk votohet nga shqiptarët për një mandat të dytë qeverisës.

Më tej, Kryeministri u pyet drejtpërdrejt, për faktin se pak më muaj më parë ka vendosur në malin e Dajtit një shishe me një mesazh dhe iu kërkua nëse "do ta zbuloni përpara apo pa 28 qershorit", duke u pohuar dhe kureshtja, se "çfarë fshihet aty brenda?

Përgjigja e Berishës ishte: "Ai mesazh është për t'u hapur pas vitit 2020, do të shkoj ta marr dhe do t'ua nxjerr mediave. Mund të bëj një konferencë shtypi në majë të Dajtit, por mesazhi im është ky, unë shfrytëzoj rastin t'i bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarëve të marrin pjesë në këto zgjedhje në mënyrën më të qytetëruar, pasi kemi shans të madh, të votojmë me infrastrukturën më moderne, për herë të parë, që ne shqiptarët votojmë me infrastrukturën absolutisht më moderne, nuk ka më moderne se sa kjo".

Duke nënkuptuar më tej, përmbajtjen e mesazhit që ka fshehur në majë të Dajtit, Berisha tha se "ne disa gjëra, premtimet e mëdha i mbajtëm, atëherë ne kemi edhe përkushtimin, por kemi edhe njohuritë e reformave, kemi edhe menaxhimin për ta bërë realitet këtë projekt dhe ky është një moment i madh historik për vendin".

Shefi i qeverisë pohoi se "nuk them se pas katër vitesh Shqipëria do të jetë anëtare në BE, se nuk e kemi në dorë ne, nuk varet vetëm nga ne. Por ne shqiptarët kemi në dorë të përgatitemi dhe kur të ulemi në tryezë të themi këto janë standardet 1,2,3,4,5,6,7, zotëri ne i kemi përmbushur, jemi të gatshëm për verdiktin tuaj".

Këtu kryetari i PD dhe qeverisë, pohoi se "kjo kërkon një përkushtim të gjerë" dhe shprehu bindjen se "unë jam i bindur që ky 4-vjeçar do të jetë përcaktuar në bërjen realitet të kësaj ëndrre".

Berisha premtoi se "pas katër vitesh ne dhe çdo shqiptar do të shoh një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e cila është totalisht e urbanizuar, e cila me qytetarët e saj shumë më mirë të paguar, shumë më masivisht të punësuar, një Shqipëri që krahas revolucionit industrial, zhvillimit të fuqishëm të turizmit, do të njohë edhe zhvillimin e qëndrueshëm rural, si kusht për një vend të zhvilluar".

"Pra, ambiciet janë të mëdha, por më të mëdha janë mundësitë tona për t'i shndërruar ato në realitet", - përmbylli Berisha përgjigjen për pyetjen mbi mesazhin në shishe, duke cekur kështu pjesë nga ajo që ai ka shkruar në malin e Dajtit.

e.l/NOA

KOMENTE