English

Operacioni "Kursanti" sekuestron 4 kg drogë, edhe tre në pranga

Tiranë, 25 qershor, NOA - Në vazhdimësi të operacionit policor të koduar "Kursanti", forcat e Policisë së Tiranës, arritën të arrestojnë në flagrancë edhe tre persona të tjerë, si bashkëpunëtor të veprës penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve".

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ata janë 21-vjeçari Marius Metaj, lindur dhe banues në Fier, i dënuar më parë për kalim të paligjshëm të kufirit;

26-vjeçari Kujtim Ramaj, banues në Tiranë dhe 22-vjeçari Lisandër Plaka, lindur dhe banues në Fier.

Bëhet e ditur se Marius Metaj dhe Kujtim Ramaj u kapën në flagrancë në kryqëzimin e rrugës "Mine Peza" në Tiranë, ndërsa Lisandër Plaka u kap në flagrancë në qendër të Alliasit, në tentativë për t'iu fshehur shërbimeve të policisë.

Arrestimi i këtyre personave u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë shpërndarë lëndë narkotike në zonat të ndryshme në kryeqytet.

Ndërkaq, falë punës 1-mujore të mbajtjes nën vëzhgim, u mundësua edhe goditja e një baze problematike të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kinostudios dhe Kombinatit në Tiranë, duke arrestuar në flagrancë personat Julian Plaka, Ardit Hoxha, Shkëlzen Kërçuku.

U kryen veprimet hetimore dhe proceduriale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet i markës "Audi" A6, me targë BZ 750 MK si dhe 5 telefona celularë.

Aktualisht vazhdon puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të hetuar më tej mbi persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari apo asese të përfituara.

n.e/NOA

KOMENTE