English

Përurohet spitali i ri në QSUT, Godo: Shpresojmë të nisë punën për Vit të Ri(!)

Tiranë, 25 qershor NOA - Spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë do të sjellë një standard të fundit evropian, që i ofrohet qytetarit shqiptar në shërbimin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu, drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, si dhe mjekë dhe personel infermieror, inspektoi të enjten përfundimin e punimeve të fazës së parë të ndërtimit të spitalit të ri në QSUT.

Kapaciteti në total si shtretër është 180 për fazën e parë te spitalit, ndërkohë që me fazën e dytë dhe katet në shtim do të jenë me te larta.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh me optimizëm për futjen e të sëmurëve të parë në spitalin e ri të QSUT-së pas fundvitit 2009.

"Për vit të ri mendojmë të fusim në spital të sëmurët e parë; fundi i vitit duhet të na gjejë duke shtruar të sëmurët e parë në ambientet e spitalit", tha ministrja Godo.

Gjatë inspektimit te punimeve, ministrja e Shëndetësisë tha se "sot për shëndetësinë shqiptare është ditë e gëzuar dhe jemi të gjithë këtu për të realizuar inspektimin e përfundimit te fazës së parë të ndërtimit të spitalit të ri të Qendrës Spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë".

Bëhet fjale për një investim në total prej 53 milionë euro, nga të cilat rreth 30 milion janë për ndërtimin e godinës dhe 20 milion për pajisjen e saj.

Ky është financim i përbashkët i Qeverisë shqiptare, e cila realizon 37 për qind të financimit, dhe Bankës së Këshillit të Evropës me 63 për qind të financimit.

Faktikisht, sot siç pohoi dhe Godo, sot u përurua përfundimi i fazës së parë që ka të bëjë me ndërtimin e katër kateve të parë, përfshirë këtu dhe katin e nëndheshëm, që shkon në vlerën e 21.4 milionë dollarë, nga të cilat 17 milionë të Bankës së Këshillit të Evropës dhe 7 milionë të Qeverisë shqiptare dhe ndërkohë që është hapur tenderi me 7.3 milionë euro për pajisjen e këtyre kateve të përfunduar.Â

Për Godon, ky është një standard i fundit evropian, që i ofrohet qytetarit shqiptare në shërbimin shëndetësor.

Në katin e nëndheshëm gjendet departamenti i imazherisë që do të jetë me pajisjet më moderne të imazherisë, bashkë me sterilizimin qendror.

Në katin e parë gjendet urgjenca dhe kështu nuk do të kemi më probleme të një ngushtese në periudhë epidemish në repartin e urgjencës, qe do të jetë një shërbim urgjencë i ofruar me standarde.

Po ashtu gjendet shërbimi i reanimacionit, i cili gjithashtu pritet të jetë i një standardi të lartë, si dhe shërbimi i kirurgjisë me 30 shtretër, shërbimi i dytë i traumatologjisë, që ofrohet në qendrën e Tiranës, përveç shërbimit të traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak.

"Tashmë, Qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Evropës janë në bisedime për marrëveshjen e fazës e dytë që do të jenë për të dy katet më lart, tek të cilët do të kemi 7 salla me teknologji të lartë operacioni, por do të kemi repartin e hematologjisë", - njoftoi Godo.

"Bashkë me shërbimet mbështetëse që ofrohen në QSUT të një standardi të lartë, për të cilat drejtoria ka nisur përgatitjen e stafit që do të punojnë në këto shërbime mbështetëse, pasi teknologjia është e tillë që kërkon dhe përgatitje të stafit, kemi një spital të ri që do ta ngrejë në një nivel të lartë, standard të ri shërbimin shëndetësor ofruar qytetarëve", theksoi znj. Godo.

a.k/NOA

KOMENTE