Tiranë, 25 qershor NOA - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka komentuar sot, Raportin Botëror të OKB-së (Organizata e Kombeve të Bashkuara) mbi drogat, i cili është publikuar ditën e djeshme.
Zëdhënësi Klodian Branko tha se Policia e Shtetit përshëndet këtë raport për vlerësimin realist të gjendjes në Shqipëri.
"Me kënaqësi konstatojmë se ky raport shprehet se "roli i Shqipërisë si një vend eksportues i kanabisit në përgjithësi ka rënie".
Raporti konstaton se vetëm 3% e vendeve përmendin Shqipërinë si eksportuese, si dhe se sekuestrimet e kanabisit me prejardhje nga Shqipëria janë mjaft të rralla në 5 vitet e fundit", - evidentoi Branko.
Raporti identifikon faktin se Shqipëria nuk është më pjesë e rrugës Ballkanike të tranzitit të drogës.
Në këtë drejtim, për shkak të punës së strukturave të specializuara të luftës kundër narkotikëve, në bashkëpunim edhe me policitë homologe të këtyre vendeve, gjatë viteve të fundit ka një rënie të sasive te heroinës së tranzituar dhe një rritje të sekuestrimeve brenda vendit, fakt i cili evidentohet në këtë raport.
Për sa i përket kokainës, ajo vjen nga vendet e Amerikës. Sasitë e tranzituara janë relativisht të vogla dhe policia shqiptare ka arritur rezultate të mira në këtë drejtim, duke rritur vit pas viti sasitë e sekuestruara.
Në lidhje me drogat sintetike, raporti vë në dukje faktin se gjendja në Shqipëri tregon stabilitet.
e.l/NOAÂ