English

PS: Alarm në kompanitë dhe institucionet, punonjësve po u merret vota me firmë

Gjirokastër, 25 qershor NOA - Kandidatët për deputetë të PS për Qarkun e Gjirokastrës Arta Dade, Vangjel Tavo, Et'hem Ruka, Elvira Shapllo dhe Kristaq Kristani, thanë sot se vërejnë me shqetësim "presionin që ushtrohet nga drejtuesit e administratës shtetërore në Qarkun e Gjirokastrës të cilat kanë për qëllim të deformojnë votën e lirë të të punësuarve në sektorin shtetëror".

Duke dalë para mediave, ata thanë se "pothuajse të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore në të tri rrethet e Qarkut të Gjirokastrës, po ushtrojnë presion ndaj punonjësve për të votuar partinë në pushtet duke shkelur në këtë mënyrë kodin e etikës dhe normat civilizuese në një shoqëri pluraliste si dhe mungesën e standardeve evropiane në një vend anëtar i NATO-s".

Po kaq alarmante situata shfaqet edhe në Gjirokastër ku drejtuesit e Drejtorisë së Tatimeve, Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Rurale, Zyrës së Punës, Postës Shqiptare, Albtelekomit, Spitalit Rajonal "Omer Nishani" etj., për të vazhduar me presionin e hapur ndaj mësuesve nga ana e drejtuesit të arsimit rajonal në Gjirokastër.

Një pjesë e administratës shtetërore, në mungesë të një klime besimi nga ana e drejtuesve partiakë, këta të fundit u kanë kërkuar punonjësve të tyre të mos shkojnë në votime duke i kërcënuar me largim nga vendet e punës.

E gjithë kjo klimë është në filozofinë e pushtetit në ikje i cili ka për qëllim të deformojë votën e lirë të shqiptarëve, të diskretitojnë një vend aspirant për në BE dhe anëtar i NATO-s.

Për kandidatët e PS, raste të tilla janë shfaqur fillimisht në rrethin e Tepelenës për të vazhduar më pas në Përmet dhe Gjirokastër ku "drejtuesit e institucioneve shtetërore kanë detyruar punonjësit e tyre të identifikojnë numrat e kartave të identitetit si dhe identifikimin e qendrave të votimit ku ata do të shprehin verdiktin e tyre me anë të votës. Punonjësit e KESH në Tepelenë janë kërcënuar prej ditës së djeshme duke vazhduar edhe sot për të votuar PD".

Dade, Tavo, Ruka, Shapllo dhe Kristani, vërejnë se punonjësve u është marrë numri i kartave biometrike dhe i pasaportave si dhe nënshkrimi i tyre në një letër që garanton votën për PD në 28 qershor.

Kandidatët socialistë për deputetë, thanë se i bëjnë thirrje punonjësve të thjeshtë të administratës shtetërore, të mos bien pre e këtyre kërcënimeve pasi janë tentativat e fundit të një pushteti që mbahet me frymën e dhunës ndaj kundërshtarëve dhe atyre që mendojnë ndryshe.

"Vota e tyre do të lexohet ashtu siç do të hidhet pa presionin e drejtorëve që kërcënojnë me bukën e gojës për dy ditët që i kanë ngelur", - u shprehën kandidatët për deputetë të PS në Qarkun e Gjirokastrës.

Ata po ashtu, u bëjnë thirrje drejtuesve të institucioneve rajonale të ndalin këto tentativa të dështuara që bien ndesh me të drejtën themelore të njeriut-atë të të drejtës së për të zgjedhur.

"Sigurojmë se qindra denoncime të ardhura nga punonjësit e thjeshtë, do të merren në konsideratë dhe do të shërbejnë për të vendosur para ligjit të gjithë ata drejtues institucionesh shtetërore që shkelin hapur statusin e nëpunësit civil", deklaruan kandidatët socialistë për deputetë, Arta Dade, Vangjel Tavo, Et'hem Ruka, Elvira Shapllo dhe Kristaq Kristani.

v.d/NOA

KOMENTE