Lushnje 25 qershor NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar sot takimet përmbyllëse elektorale në qytetin e Lushnjës dhe atë të Fierit.
"Kjo është beteja e familjeve që nuk kanë punë, kjo është beteja e Shqipërisë së gjunjëzuar nga varfëria. Kjo është beteja e Shqipërisë së sfilitur nga papunësia, kjo është beteja e Shqipërisë së kërcënuar nga analfabetizmi, kjo është beteja e Shqipërisë së gërryer nga korrupsioni. Kjo është beteja e Shqipërisë së goditur nga dhuna. Ne do të fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë" tha Rama.
Në qytetin e Fierit, Edi Rama është ndalur tek presioni i vazhdueshëm i drejtorëve shefave dhe drejtuesve të administratës ndaj nëpunësve të shtetit, për të votuar kundër vullnetit të tyre.
"U them të gjithë mësuesve dhe mësueseve të qytetit të Fierit dhe të gjithë rrethit të Fierit: Më 28 qershor shkoni pa frikë në kuti dhe votoni për Partinë Socialiste, sepse duke votuar për Partinë Socialiste, ju do t'i jepni fund një herë e mirë epokës së mësuesve dhe nxënësve të përdorur si kope për mitingjet e partive që janë në pushtet.
Historia e mësuesve dhe mësueseve, të cilëve kryeministri u përmend çdo ditë prej një viti rrogën që iu ka rritur dyfish dhe tani në fund iu thotë se do t'iu heqë rrogën po nuk i dhanë votën, do të marrë fund më 28 qershor. Historia e nëpunësve të këtij shteti, baballarë e nëna, që detyrohen të rrinë me kokën ulur përpara një oborri pushtetarësh që i prodhoi politika e vjetër, duhet të marrë fund më 28 qershor, sepse nëpunësit dhe nëpunëset e shtetit shqiptar, nuk janë nëpunësit dhe nëpunëset e pushtetarëve, por janë nëpunësit dhe nëpunëset që shërbejnë për të gjithë qytetarët" deklaroi më tëj kreu i PS-së.
k.k/NOA