English

Sulm i përgjakshëm në Irak, 70 persona të vrarë dhe 130 të plagosur

Bagdad, 25 qershor, NOA - Shpërthimi i një bombe ka shkaktuar një sulm të përgjakshëm në kryeqytetin e Irakut, prej të cilit mësohet se kanë mbetur të vrarë 70 persona dhe janë plagosur të paktën 130 të tjerë.

Policia thotë se bomba ishte fshehur nën një karrocë me motor që ishte e mbushur me perime në një treg me shumë njerëz në lagjen Sadr të Bagdadit.

Kjo lagje ka një shumicë shiite dhe ky cilësohet si një ndër sulmet më të përgjakshme në Irak.

Ai ndodhi në prag të tërheqjes së forcave amerikane nga qytetet irakiane në fund të këtij muaji.

Komandantët ushtarakë thonë se shtimi i këtyre sulmeve në prag të afatit të tërheqjes së trupave amerikane nuk ishte i papritur.

Megjithatë, ata besojnë se militantët nuk do të jenë në gjendje ta rikthejnë dhunën sektare në përmasat e dikurshme.

Si qeveria irakiane ashtu edhe administrata amerikane e presidentit Obama, insistojnë se tërheqja e trupave amerikane nga qytetet irakiane do të kryhet brenda afatit.

n.e/NOA

KOMENTE