English

Zgjedhjet, shqiptarët edhe një herë në një udhëtim kaotik

Nga Dan Bilefsky*

Me zgjedhjet parlamentare që po afrohen, shumë shqiptarë thonë se ndjehen njësoj si Hysen Demiraj, një 45-vjeçar shofer dhe ish-i burgosur politik, që ka lindur në një qeli burgu gjatë diktaturës brutale në Shqipëri, e që thotë se ndjehet akoma i burgosur në një vend që përçmohet dhe është izoluar në mënyrë të pandershme.

"Ne shqiptarët jemi të lodhur duke u ndjerë të ndarë nga pjesa tjetër e botës", - thotë ai në një nga ditët e fundit, pasi ka pritur për orë të tëra në diellin përvëlues për të marrë një vizë gjermane, mes një ushtrie të vogël kërkuesish vizash. "Ne jemi pjesa e harruar e botës dhe nuk ndjehemi mirë për këtë."

I gjithë ky izolim mund të duket pak i habitshëm, për faktin se ky vend i varfër i Ballkanit jugor u bashkua me Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut në prill - një moment me domethënie të madhe simbolike dhe psikologjike për një vend të veçuar nga Perëndimi për më shumë se 40 vjet nën liderin stalinist, Enver Hoxha.

Tani shqiptarët klithin për më shumë. Të rinj e të vjetër thonë se duan që Shqipëria të bashkohet me Unionin Evropian, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, - pa u rropatur në radhët e gjata për viza apo pa u arratisur tinëz nën hijen e natës - ashtu siç kanë bërë qindra e mijëra që nga viti 1990.

Të tjerët e sigurojnë jetën në një vend ku Amnesty International thotë se më shumë se 18% e popullatës përllogaritet se jeton poshtë vijës së varfërisë me 2 dollarë në ditë, dhe ku shërbimi i parë shëndetësor shpesh varet te ryshfeti.

Nëse zgjedhjet do të jenë paqësore, të lira dhe demokratike, analistët dhe diplomatët thonë se kjo do të përcaktojë progresin drejt rehabilitimit ndërkombëtar.

Aplikimi që ka dorëzuar së fundmi Shqipëria për anëtarësim në BE tashmë përballet me një skepticizëm të thellë; blloku është i tejzgjeruar dhe ka frikë që të pranojnë nga dera e pasme anarkinë. Uashingtoni, që ka lobuar shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të ishte thellësisht i turpëruar, nëse zgjedhjet nuk do jenë korrekte.

Pothuajse çdo zgjedhje që pas rënies së komunizmit në vitin 1991 është kontestuar, me humbësit që akuzojnë fituesit për abuzim me votën, madje dhe më keq.

Audrey Glover, drejtuesja e misionit monitorues të OSBE, thekson se pritshmëritë janë të larta kësaj here, për shkak se Brukseli dhe Uashingtoni po vëzhgojnë nga afër.

"Shqipëria ka nevojë të provojë se ka përqafuar standardet demokratike perëndimore", - thotë ajo. "Nëse nuk shkon mirë procesi, do t'i bëjë gjërat shumë të vështira."

Shqiptarët mund të jenë sërish në një udhëtim kaotik. Edhe përpara se të mbërrinte ambasadorja Glover, shefi i komisionit të zgjedhjeve, që zgjidhet nga kryeministri, Sali Berisha, u përpoq në mënyrë të pasuksesshme që të bllokonte emërimin e saj.

Ndihmësit e zotit Berisha thonë se ai është akoma i acaruar me konkluzionet e saj për zgjedhjet e vitit 1996, që Partia Demokratike i zhyti në manipulime. Ajo ishte monitoruese atëherë.

Fushata që tani ka marrë një kthesë të përgjakshme. Javën e kaluar, një lider rajonal i një partie të vogël konservatore u vra gjatë shpërthimit të makinës së tij, në atë që anëtarët e partisë së tij e quajtën sulm me bombë. Një javë më parë, një mbështetës i ri i zotit Berisha u vra pas një zënke për posterat e fushatës. Në maj u vra një deputet i opozitës.

Edhe nëse zgjedhjet në vetvete do jenë paqësore, disa diplomatë perëndimorë thonë se ata janë të alarmuar, se qindra-mijëra votues ruralë nuk do kenë mjetet e duhura të identifikimit për të votuar.

Shqiptarët gjithashtu po votojnë për herë të parë sipas një sistemi të ri proporcional rajonal, duke ngritur shqetësimin se procesi kaotik i formimit të koalicioneve mund ta zhysë vendin më tej në errësirë.

Me shumë pak gjëra për të diskutuar për politika të së majtës e së djathtës, zgjedhjet janë kthyer në një luftë gladiatorësh, një garë personalitetesh mes dy burrash.

Me një avantazh të lehtë në sondazhe është zoti Berisha, një kirurg zemre dhe një reformator i djathtë, qeveria e të cilit është zhytur në akuza për korrupsion, që po bën fushatë me suksesin e tij të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rikthimit të staturës në botë.

Sfidanti i tij është Edi Rama, elokuent, kryebashkiaku socialist i Tiranës për tetë vitet e shkuara, një ish-artist që ka lyer me ngjyra të ndezura ndërtesat e rrënuara të qytetit, ka hequr 90 tonë plehra dhe ka investuar në edukim dhe kujdes mjekësor.

Linja e tij autoritare ka bërë që disa nga kritikët ta quajnë "Tirama".

Partia Socialiste e z. Rama ka akuzuar kryeministrin se po përpiqet të mbulojë implikimin e qeverisë në shpërthimin e marsit 2008 në një depo municioni në Gërdec, një tragjedi kombëtare që vrau 26 persona dhe plagosi 300.

Në përgjigje, zoti Berisha ka akuzuar zotin Rama se ka refuzuar që të japë dorëheqjen si kryetar bashkie dhe të vendosë emrin në listat e partisë së tij, për shkak se ka frikë dhe nuk është besnik ndaj partisë. Ndihmësit e zotit Rama thonë se ai do të japë dorëheqjen, pasi socialistët të fitojnë zgjedhjet.

"Zoti Rama, ti do të shkosh në plehra", - bërtiste zoti Berisha gjatë një mitingu në Divjakë, një qytet i vogël bregdetar. Më herët ai e kishte sfiduar kryebashkiakun të luftonte me të si Skënderbeu, një hero kombëtar që mposhti pushtuesit otomanë.

Altin Raxhimi, një gazetar shqiptar, thotë se këto zgjedhje po përballin një burrë që ka sjellë prestigj ndërkombëtar kundër një tjetri që ka sjellë gjëra esenciale, si elektricitet dhe ujë të pijshëm.

"Rama e ka kthyer Tiranën në një qytet që tani vë buzëkuq, ai e ka bërë nga qytet të pajetueshëm, në një qytet të jetueshëm", - thotë zoti Raxhimi. "Shqipëria hyri në NATO nën Berishën, por ai nuk pëlqehet nga shumë shqiptarë, për shkak se është një populist që dikur e çoi vendin në prag të luftës civile."

Në fakt, shumë kanë të freskëta kujtimet e vitit 1997, kur shumë nga 3 a më shumë milionë shqiptarët humbën kursimet e jetës në skema piramidale, duke vërshuar më pas në rezervat e armatimeve. Rreth 1500 njerëz u vranë. Mijëra kërkuan azil në Itali dhe Greqi.

Zoti Berisha, president në atë kohë, dha dorëheqjen dhe kaloi tetë vite në opozitë, përpara se të bëhej kryeministër në vitin 2005.

Që prej atëherë, Shqipëria ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike, ndërsa zoti Berisha ka përmirësuar infrastrukturën dhe po ndërton rrugë, përfshi një rrugë të re që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, që kushton 1 miliard euro, dhe që kritikët e konsiderojnë një çmenduri e që fansat e duartrokasin si një rrugë të rëndësishme tregtie.

Ai ka luftuar krimin e organizuar dhe ka ditur në mënyrë të zgjuar që të krijojë lidhje në Uashington.

Ilir Meta, një ish-kryeministër, partia e majtë e të cilit, Lëvizja Socialiste për Integrim, mund të jetë faktor kyç në zgjedhje, e quajti Berishën "një monark", ndërsa Ramën si të "intoksikuar nga pushteti".

"Shqipëria ka një problem imazhi në botë dhe ne kemi nevojë të mbajnë zgjedhje të lira dhe të ndershme; në të kundërt kjo do të shkatërrojë imazhin e vendit për vitet që vijnë", - thotë ai. "E gjithë bota do të na vëzhgojë."

Marrë nga "New York Times"/ versionin anglisht e gjeni duke klikuar këtu

KOMENTE