English

Do të doja të votoja për Berishën por do t'ia jap Edi Ramës

Para disa vitesh, Edi na u bë hero i shqiptarëve të rinj me renesancë tironase. Sot, Berisha na ripushtoi zemrat me autorrugën. Për kë do të votoja të dielën?

Nga Petrit Selimi

Në një rrugice të vockël prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë, funksionoj para ca viteve një galeri arti, menaxhuar nga Instituti Exit për art bashkëkohor.

Do javë para se galeria t'i mbyllte dyert përfundimisht, e pashë një ekspozitë fotografish dhe ilustrimesh të Tiranës, kuruar nga Erzen Shkololli.

Mbi foto ngjyrë hiri të ndërtesave të vjetra të rrahura nga koha, autori kishte intervenuar me ngjyra pastele me brushë akuareli. Aty-këtu në faqet e ekspozuara kishte shënime noshalante me dorë, ndonjë njollë e rastësishme kafeje, fërkemë të mundit që dikush kishte derdhur mbi fotot, paramendoj në ora të vona të natës.

Nuk jam kritik arti, por janë ndër ilustrimet më të hareshme që kam parë, plot shpresë dhe dritë. Autori është shqiptar, tironasi Edi Rama. Gjatë një pjese të mirë të shekullit XXI, forcat progresive tek shqiptarët patën një shembull për merak se si fuqia e pushtetit mund të përdoret për të kryer shërbime shoqërisë, dhe për ta bërë atë, pse jo, ma cool. Edi ishte dëshmi e gjallë, me kaci tek brigjet e Lanës, se nuk është kob i zi i shqiptarëve të jenë përjetësisht të ngulfatur me politikanë që referencat kulturore i kanë të kufizuara në botën konspiracioniste, të errët të politikëbërjes tipike ballkanike. Edi solli diversitet në pejsazhin politik shqiptar këndej e andej kufijve shtetërorë. Ringjalli Tiranën dhe na bëri xheloz në Prishtinë.Â

Time Magazine e shpalli "Hero global për 2005" duke e përshkruar si "person dhe personalitet disa numra më të mëdhenj se rrethina e tij". Në kategorinë e rebelëve, çmimin e ndau me Pedro Almodovarin. Kryetari ynë i Prishtinës, Ismet Beqiri, i kishte vetëm teshat kat disa numra më të mëdhenj. Punën e Edit e kam parë për herë të parë në Bienalën e Venedikut.

Në një video që projektohej në Arsenalen romantike të qytetit mbi kanale, Rama fliste për qytetin e lindjes në film të mikut të vet Anri Sala, artistit më të suksesshëm shqiptar të artit modern.Â

Po të më pyesnit asokohe se për kë do të votoja mes Berishës a Ramës, do t'ju qeshja në fytyrë sepse përgjigja ishte evidente. Vite më vonë, pyetja e tillë do të jetë e shtypur në fletëvotimet për shqiptarët e Shqipërisë. Po të më pyetni sot, do të isha shumë më shumë i zhytur në mendime. Pak orë para se ta dorëzoja këto rreshta redaktores, më ra në sy një reportazh botuar në Financial Times, gazetën më prestigjioze të biznesit në botë.

Autorët e përshkruajnë autostradën e re që më në fund u çel për komunikacion në mes Kosovës dhe Shqipërisë, si "spektakulare". Ndër rrëfimet më të trenta në politikën shqiptare, është ajo se si u ridashuruan kosovarët në Sali Berishën.

Na bleu zemrën me një unazë, më të shtrenjtën e të gjitha kohërave, rrugën e çlirimit mendor. Krejtësisht pa pritë e pa kujtu', Sali Berisha dëshmoi se ka liderë shqiptarë që mund të nisin e të përfundojnë tenderë të mëdhenj, aso që ndryshojnë jeta njerëzish e fate shtetesh.

Ka pasur socialistë të shumtë që donin rrugën, kujtojmë Majkon me taksën e tij, por duhet pranuar se Berisha u mishërua me projektin dhe shtyri personalisht kauzën. Në anën tjetër, Edit i humbi pak vizëllima. Na dëshpëroi me çelësat e qytetit dhënë Bregovicit, që përfaqëson shtresën kuislinge të artit jugosllav, bashkëpunëtorë të sistemit milosevician.

Në Time magazinë, në profilin e sipërpërmendur të botuar më 2005, Edi u quajt "ikonoklastik", thyes mitesh e dogmash. Nuk di a do të ishte valid sot përshkrimi i njëjtë. sepse Edi i politikes kombëtare u bë më dogmatik se ai qeverisjes lokale. Kosovarët besoj se do të votonin për Berishën. E ndjen këtë në muhabete me taksistë, diskutime kafenesh, e biseda familjare. Kur lexoj ca shkrime në gazetat djathtiste, kujton që Berisha është hero i luftës. Pushtoi natyrën për të çelur kufirin.

Edhe rrafsh një muaj, më 26 korrik, bëhen 64 vjet prej se një hero i vërtetë i luftës, Winston Churchill kandidoi në zgjedhjet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Churchill kishte simpati të jashtëzakonshme dhe imazhin e një heroi global.

Fjalimet e tij drodhën buzët e miliona shpirtrave në kohëra të këqija, dhe solli buzëqeshje dhe shpresë në kohëra kur Aleatët filluan ta fundosin idenë dhe sistemin gjenocidal të Raihut të Tretë. Churchill i humbi zgjedhjet. Populli e donte dhe kishte besim në të, por disi kolektivisht britanezët e hetuan që pas fitores së madhe, një kapitull u mbyll. Pa menduar shumë, do të votoja edhe një herë për Berishën, si shpërblim për rrugën, nëse për asgjë tjetër. Por, kohërat kanë ndryshuar. Ky njeri ka qenë tepër gjatë në majat e politikës. I ka shkaktuar kolaps shtetit me skema piramidale, dëshmoi se e do pushtetin më shumë se shtetin, dhe sille kah ta sjellësh - është njeri i politikës së moçme.

Shqipërisë i nevojitet një kontinuitet në krijim të imazhit pozitiv që kohëve të fundit ka filluar ta gëzojë. Ka nevojë për valën e re të investimeve në turizëm, menaxhim uji, energji. Në shikim te dytë, dhe përfundimtar, të dielën do të votoja për Edi Ramën dhe opsionin e tij.

Ka çika e djem të rinj aty që duhet ta kenë shansin të dëshmohen. Ata meritojnë të marrin stafetën nga Sali Berisha, vrapuesin e maratonës politike që nuk u ndal se vrapuari tash e dy dekada. Kosovarët kurrë nuk do ta harrojnë.

Shënim: Titulli i origjinalit: "Vota për kontinuitet"/ "Express"; Opinionet e rubrikës, nuk përfaqësojnë dosmodoshmërisht qëndrimin editorial të agjencisë NOA

Â

KOMENTE