English

Fushata në mbyllje, Rama: Ato që do të bëj pas 28 qershorit

Korçë, 26 qershor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përmbylli mbrëmë axhendën e fushatës elektorale jashtë Tiranës, duke i lënë vendin mitingut të sotëm në qendër të kryeqytetit.

Rama ka qenë në Përrenjas, një qytet i vogël në qarkun e Elbasanit ku papunësia dhe varfëria janë të pranishme.

Kreu i PS tha se nuk premton, por angazhohet se me votën që do të japin qytetarët për nr. 33 për forcën më të madhe të opozitës ai dhe ekipi i tij do të bëjnë "më shumë se çfarë është bërë në 18 vjet bashkë për Përrenjasin, Pogradecin e Korçë, për punësim për zhdukjen e varfërisë dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të të gjithë shqiptarëve, ku secili do të ketë të drejtën të jetojë me punë të ndershme".

***

Në ndalesën e radhës në Pogradec, Edi Rama dhe ekipi i deputetëve të qarkut të Korçës janë shprehur optimistë për fitoren, që thanë se nuk është thjesht dhe vetëm e PS, por e gjithë popullit shqiptar që është i dëshiruar për ndryshimin, kanë 18 vjet që e presin dhe nuk po e prekin.

"Më 28 qershor, vota e secilit prej jush nuk është një votë e zakonshme, por është një votë, që ngjan si dy pika uji me votën e vitit 1992, kur u mbyll një epokë dhe u hap një epokë tjetër dhe është një votë me të cilën ju do të merrni pjesë në një histori të jashtëzakonshme që do ta shkruajnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Duke votuar numrin 33 ju do të firmosni emrin tuaj në faqen e re të historisë, që ne do ta hapim më 28 qershor".

***

Në Korçë Edi Rama është ndalur edhe njëherë në mbrojtjen e votës së shqiptarëve gjatë takimit entuziast që korçarët i kanë ofruar atij.

Rama gjatë fjalës së tij është angazhuar për ndryshimin, që do të shkojë në çdo familje shqiptare pavarësisht nëse janë socialist apo demokratë.

Ndryshimi rrënjësor i vendit do të vijë tha Rama duke bërë apel për të votuar Partinë Socialiste në fletën e votimit me nr 33. Rama në Korçë është ndalur dhe te çështja e liberalizimit të vizave që është prek drejtpërdrejt familjet  korçare dhe të jugut të vendit, të ndara në dysh nga pamundësia e lëvizjes së lirë pa viza.

"Ne do të fitojmë për qindra mijë familje shqiptare të ndara më dysh sot e gjithë ditën pas 18 vjetësh, mes djemsh e vajzash në emigracion dhe prindërish, motrash e vëllezërish, që nuk dalin dot përtej kufijve të Shqipërisë, do të fitojmë që Shqipëria qysh vitin e ardhshëm të mos ketë më kufij mes asnjë shqiptari dhe shqiptareje', - ka theksuar Rama.

a.f/NOA

KOMENTE