English

Përplasje me armë në mitingun e PD, plagoset rëndë aktivisti

Lezhë, 26 qershor NOA - Përgjaket mitingu i Partisë Demokratike në një zonë elektorale të Lezhës me pasojë plagosjen në gjendje kritike për jetën të një të riu.

Lajmi bëhet i ditur nga korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA dhe konfirmohet zyrtarisht për NOA, nga drejtori i Policisë Lezhë, Drejtues i Parë, Mërgim Hoxha.

Ngjarja ndodhi sot kur rreth orës 14.00, është zhvilluar mitingu elektoral i Partisë Demokratike, në një fushe, pranë fshatit Torovicë.

Gjatë gjithë takimit deri afër përfundimit te tij nuk ka pasur asnjë incident.

Rreth orës 14.45, kur po përfundonte mitingu, dy djem të rinj, K. B, 15 vjeç, si dhe E. M, 21 vjeç, që të dy banues në fshatin Torovicë të rrethit Lezhë janë konfliktuar mes tyre.

Adoleshenti K. B, gjatë përfundimit të mitingut të Partisë Demokratike, ka marrë një flamur të Partisë Socialiste duke e mbajtur lart ne duar.

I riu E. M, i ka kërkuar adoleshentit K. B, të largonte flamurin e Partisë Socialiste, pasi i ka theksuar dhe faktin se ishte mitingu i Partisë Demokratike.

Adoleshenti K.B., nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe ka vazhduar duke e mbajtur në duar flamurin rozë të PS dhe duke fyer të riun E.M.

Që të dy këta djem, kanë filluar duke u zënë me fjalë me njëri-tjetrin. Konflikti ka vazhduar, duke u përfshirë në të, fillimisht familjarët e adoleshentit K. B, dhe më pas familjarët e 21-vjeçarit E. M.

Të gjithë pjesëtarët e të dy familjeve kanë filluar duke sulmuar njëri-tjetrin, tregojnë për agjencinë NOA, burime okulare në vendngjarje si dhe nga grupi hetimor.

Gjatë këtij veprimi ka mbetur i plagosur rëndë në kokë N. Jaha, 27 vjeç, nga fshati Torivicë, i cili pasi ka marre ndihmën e parë mjekësore në spitalin Rajonal të Lezhës, është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë.Â

Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë tha se ka reaguar, duke mbërritur në vendngjarje pak pasi u informua, duke normalizuar situatën dhe gjithashtu duke kryer veprimet e duhura procedurale.

Konfirmohet se janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, pjesëtarët e të dy familjeve, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

"Po kryhen veprimet procedurale për M. P, 35 vjeç, Gj. B, 48 vjeç, dhe Gj .P, që të tre nga Torovica, rrethi Lezhë", - konfirmoi policia.

Tre burrat, dyshohet të jenë autorë të dëmtimeve të rënda të shkaktuara ndaj të plagosurit që ndodhet ne Spitalin Ushtarak Tirane, N. Jaha.

Gjithashtu është shoqëruar i mituri K. B si dhe E. M, 27-vjeçari tjetër i konfliktit për flamujt partiakë PD-PS.

r.d/NOA

Â

KOMENTE