Tiranë, 26 qershor NOA - Wilfried Martens, Presidenti i Partive Popullore Evropiane, grupimit më të madh politik në Parlamentin Evropian i deklaroi sot kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike mbështetje të plotë në zgjedhjet e 28 qershorit, kurse theksoi se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së.
Deklarimi erdhi në një takim që pati z. Martens me Kryeministrin Sali Berisha. Martens tha se erdhi në Shqipëri për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit.
Presidenti Martens shprehu kënaqësinë për ndryshimet sipas tij rrënjësore që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes aktuale.
Duke shprehur mbështetjen e plotë për kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike,
Martens theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.
Kurse Berisha tha pas takimit se e njohu z. Martens me programin e partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, i cili synon t'u ofrojë qytetarëve shqiptarë, standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, z.Martens theksoi se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së, duke shtuar: "Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe atlantiste të Shqipërisë".
"Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE", - paralajmëroi Martens.
Partia Popullore Evropiane është forca politike më e madhe dhe grupi politik më i madh, në parlamentin evropian.
Gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane, në 7 qershor ata fituan për të tretën herë. Në këtë periudhë të krizës financiare pjesa më e madhe e votuesve evropiane besuan PPE, si një faktor stabiliteti.
Martens tha se "ne do të vazhdojmë punën tonë në parlament gjithashtu në komisionin evropian, dega ekzekutive e bashkimit evropian".
Kurse evidentoi se "ne kemi presidentin e komisionit dhe gjithashtu në këshillin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive kemi 13 kryeministra".
e.l/NOA