Tiranë, 26 qershor, NOA - Esht tensionuar situata në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mes mbështetësve të Partisë Socialiste dhe policisë, pasi të parët kanë tentuar të hedhin në tokë një karrotrec, i cili sipas tyre po u pengonte ndërtimin e skenë në kuadrin e mitingut të sotëm për mbylljen e fushatës elektorale.
Nga ana e tyre, forcat e policisë janë munduar të mbajnë fort karrotrecin të mos lëvizë, ndërkohë që qytetarë dhe përfaqësues të PS po hedhin në tokë edhe një karrotrec të dytë. Në fund, kamioni me skela ka arritur që të futet në zonën e rrethuar të policisë dhe kjo u konsiderua si një "fitore" nga protestuesit.
Kjo ka sjellë në njëfarë mënyre edhe qetësimin e situatës.
Të pranishëm, si edhe dje, në këtë tubim të Partisë Socialiste kanë qenë deputetët socialistë Fatmir Xhafaj dhe Kastriot Islami, të cilët kanë deklaruar se "kjo është forma e shfaqjes së diktaturës" nga ana e kryeministrit Berisha.
Ndërkaq, bëhet e ditur se ndërsa policia ka vijuar të mbajë prej më shumë se 14 orësh të bllokuar segmentin nga Piramida deri tek Universiteti Politeknik, ku parashikohet të mbahet sot mitingu i PS-së, kryeministri Berisha ka ndjekur gjithçka nga dritarja e tij e Kryeministrisë.
n.e/NOA