English

Urdhëri i Infermierit: Po na trajtojnë me syrin e njerkës, autoritetet indiferente

Tiranë, 26 qershor, NOA - Pas një viti të tërë pune dhe përjekjesh që nga krijimi i tij, për promovimin e të drejtave të infermierëve, institucioni i Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë, falë edhe mbështetjes së dhënë nga OBSH dhe USAID, ka arritur të mbijetojë duke ngritur dhe organizuar strukturat përkatëse në të gjithë Shqipërinë.

Por ajo çka e shqetëson sot institucionin e Urdhërit të Infermierit të Shqipërisë është fakti se falë një mentaliteti të trashëguar, problemet e tyre përballen me një indiferencë, e cila vihet re edhe në nivelet e larta të administratës shtetërore.

Drejtuesit e tij po e vuajnë këtë fakt dhe vënë në dukje se realisht u mungojnë mjediset dhe pajisjet më minimale për zhvillimin e punës së tyre normale, të cilat i kanë të siguruara Urdhërat e tjerë të sektorit të shëndetësisë.

"Ato janë mëse të dosmosodshme për ta rritur këtë institucion, i cili përfaqëson infermierinë në nivelet që kërkon koha e sotme", pohon lidhur me një fakt të tillë, presidenti i Urdhërit të Infermierit, Sabri Skënderi, i cili tregon më pasi sesi falë përkushtimit të tij dhe stafit të këtij institucioni, ai ka arritur deri më sot të mbijetojë e të realizojë pikësynimet për të cilat është krijuar, atë të vënies në dukje të problematikave që shqetësojnë sot infermierinë shqiptare dhe sensibilizimi i institucioneve lidhur me to.

Vihet në dukje sesi për më shumë se një vit nga krijimi i këtij institucioni (UISH), anëtarët e tij vazhdojnë ta ndiejnë mungesën e mjediseve të përshtatshme të punës, pa buxhetin e duhur të cilat konform ligjit duhej të ishin siguruar nga qeveria për fillimin e punës dhe pastaj të kishin vazhduar si institucion i pavarur.

"Këto janë të nevojshme sepse e theksojmë që "pa një infermieri të vlerësuar, nuk mund të ketë një shëndetësi të përparuar", shton më tej Skënderi.

"Ditët e fundit, për UISH-së nga Këshilli i Ministrave është miratuar një buxhet prej vetëm 2 milionë lekësh, të cilat janë vetëm sa për të përmbushur nevojat minimale për vënien në efiçencë të këtij institucioni. Për UISH-në, ky lloj trajtimi do të thotë që atë ta shohësh me syrin e njerkës, sepse urdhrat e tjerë, si ai i Farmacistit apo i Mjekut, kanë patur mbështetje të konsiderueshme financiare dhe u është siguruar infrastruktura e nevojshme nga shteti për funksionimin e tyre. Shpresojmë që qeveria të kujtohet një ditë për ta vlerësuar realisht siç duhet infermierinë", pohon Skënderi.

n.e/NOA

KOMENTE