Tiranë, 26 qershor NOA - Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Zyra e Zëvendës Kryeministrit nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (TIK).
Përmes kësaj marrëveshjeje, USAID-i ka rënë dakord të ofrojë asistencë teknike në mbështetje të përmirësimit të sektorit të TIK-ut në Shqipëri.
Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë krijimin e kushteve të kërkuara për zhvillimin e sektorit TIK në vend.
Memorandumi u nënshkrua në Këshillin e Ministrave dhe në ceremoni morën pjesë përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime telekomunikimi, që ofrojnë shërbime zëri, transferim të dhënash dhe shërbime interneti në mbarë vendin.
Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, zj. Roberta Mahoni, tha se "USAID-i beson se shtyrja përpara e Shqipërisë drejt integrimit evropian mbetet në varësi të ndërtimit të një infrastrukture TIK të klasit botëror, që të mund të përdoret prej qytetarëve, biznesve dhe qeverisë".
Zhvillimi i sektorit TIK është një motor i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Përveç kësaj, nëpërmjet projektit të internetit në shkolla dhe në një sërë projektesh të tjera që lidhen me ofrimin e shërbimeve të qeverisë për qytetarët, siç janë prokurimet elektronike, tatimet elektronike dhe regjistrimi i biznesit në kohë reale (online), Qeveria e Shqipërisë po përdor teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit për të përmirësuar arsimin dhe eficiencën e operacioneve të qeverisë, në mënyrë që t'u mund t'u shërbejë më mirë qytetarëve.
"Partneriteti me USAID-in ka luajtur një rol vendimtar dhe është shumë i vlerësueshëm në zbatimin dhe në krijimin e qëndrueshmërisë së projekteve në sektorin TIK dhe do të doja edhe një herë t'ju shprehja falënderimin tim për ndihmën tuaj të çmuar, "- tha gjatë ceremonisë Zëvendëskryeministri, Z. Genc Pollo.
Memorandumi i Mirëkuptimi do të mundësojë vazhdimësinë e një fokusi afatgjatë të USAID-it që të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës së Shqipërisë me një theksim të veçantë në lehtësimin e zhvillimit të teknologjisë moderne, të politikave dhe të procedurave për zbatim në fushën e shëndetësisë, të arsimit, të zhvillimit ekonomik dhe të qeverisjes vendore.
e.l/NOA