English

Ambasadori iranian në Tiranë: "Fishekët që vranë Nedën, u sollën nga jashtë"

Tiranë, 27 qershor NOA - Ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, z. Alibeman Eghbali Zarch, trajton në një intervistë sot, çështjen e zgjedhjeve në vendin e tij, pohon se ato "ishin një fitore për Iranin". "Debati është brenda sistemit. Ky është një shans për Demokracitë Fetare", ka deklaruar ai.

Z. Ambasador, çfarë po ndodh realisht në Iran?

- Zgjedhjet presidenciale të 12 qershorit të këtij viti ishin një pikë referimi në historikun e zgjedhjeve të Republikës Islamike të Iranit. Ato ishin një tregues i lartë i ndjenjës së përgjegjësisë të popullit tonë për fatet e vendit, një shfaqje e qartë e shpirtit pjesëmarrës të njerëzve në administrimin e vendit të tyre, si edhe i krijimit të një epoke të pashembullt të lidhjes së tyre me shtetin. Realisht, mund të themi se një lëvizje e ngjashme me atë që ndodhi në Iran, nuk mund të gjendet sot në botë, në demokracitë e ndryshme, qoftë demokracitë formale dhe qoftë ato që realisht bazohen në votën e popullit. Edhe brenda vendit tonë, zgjedhjet e 12 qershorit nuk kanë të krahasuar me asnjë palë zgjedhje të tjera, përjashto referendumin e vitit 1979. Pjesëmarrja e rreth 85% të zgjedhësve me të drejtë vote , d.m.th. e rreth 40 milionë njerëzve në këto zgjedhje, është në fakt dëshmi e konfirmimit të sistemit të Republikës Islamike të Iranit. Veçanërisht, brezi ynë i ri tregoi se ka po atë pasion politik, po atë zgjuarsi politike dhe po atë angazhim politik që ka pasur brezi i parë i revolucionit. Për armiqtë e revolucionit ishte një tërmet politik fakti që në 30-vjetorin e revolucionit, njerëzit të tregojnë një besnikëri të tillë ndaj këtij revolucioni dhe të manifestojnë para gjithë botës një frymë të re të shtetit të Republikës Islamike, një nisje nga e para, një oportunitet të madh për demokracinë fetare. Në përgjigje të pyetjes suaj, duhet të them se bëhet fjalë për një rivalitet zgjedhor midis kandidatëve të ndryshëm, rivalitet i cili ishte krejtësisht i lirë, korrekt dhe transparent. Rivaliteti, dialogu dhe debati ishte aq transparent dhe i hapur dhe krijoi një entuziazëm të tillë, pasojat e të cilit i shohim tani. Rivaliteti që ekzistonte midis kandidatëve ishte rivalitet midis përfaqësuesve të rrymave të ndryshme të rendit islamik, ndërsa armiqtë mundohen që në media të ndryshme, kryesisht mediet e huaja, ta paraqesin atë si një përplasje mes mbështetësve të regjimit dhe kundërshtarëve të tij. Kjo nuk është e vërtetë. Ata njerëz që votuan për katër kandidatët votuan me bindje për shtetin dhe ia dhanë votën atij personi që ata e shikonin më të përshtatshëm për t'i shërbyer këtij shteti. Është e natyrshme se në zgjedhje të ndershme dhe transparente me një pjesëmarrje të gjerë të njerëzve, mbështetësit e kandidatit që merr më pak vota të mërziten dhe nganjëherë ndodh që midis tyre të ketë nga ata të paktë që shfrytëzojnë rastin dhe të ndërmarrin veprime shkatërruese në linjën e veprimeve provokative të disa vendeve. Por, në përgjithësi, mund të thuhet se populli iranian më 12 qershor krijoi një epokë, kjo epokë u bë historike, botërore. Megjithëse disa nga armiqtë tanë në botë deshën që ta shndërronin këtë fitore absolute të shtetit në një fitore të dyshimtë. Madje, disa deshën që ta shndërronin atë në një dështim kombëtar dhe të mos lejonin që rasti i nivelit më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje të regjistrohet në emër të popullit iranian. Sikurse u shpreh lideri i vendit: "Zgjedhjet e 12 qershorit treguan se populli jeton në këtë vend me besim, me shpresë dhe vitalitet kombëtar. Kjo është përgjigjja e shumë fjalëve të thëna nga armiqtë në propagandën e tyre dashakeqe. Nëse populli i një vendi nuk ka besim në të ardhmen e tij, nuk merr pjesë në zgjedhje, nëse nuk ka besim në pushtetin e tij, nuk merr pjesë në zgjedhje, nëse nuk janë të lirë, nuk i mirëpresin zgjedhjet. Besimi në sistemin e Republikës Islamike u shpreh qartë në këto zgjedhje. Këtu unë dua përsëri të theksoj se armiqtë vunë në shënjestër pikërisht këtë besim të njerëzve. Armiqtë e popullit iranian duan të thyejnë pikërisht këtë besim. Ky besim është kapitali më i madh i Republikës Islamike, nga i cili ata duan ta privojnë atë, duan të mbjellin dyshim, të ngjallin hezitim ndaj zgjedhjeve dhe ndaj besimit që treguan njerëzit, duke e lëkundur atë".

"Unë jam Neda"- kështu hapej gazeta e njohur "The Times", duke i bërë jehonë vdekjes tragjike së një vajze të re iraniane në rrugët e Teheranit gjatë protestave. Si e komentoni ju këtë perifrazim tragjik, që media Perëndimore po i bën situatës?

- Pas vrasjes së Neda Agha Soltanit në trazirat e fundit në Teheran, u bënë hamendësime të shumta në lidhje me mënyrën dhe autorin e vrasjes së saj. Mbi bazën e njoftimeve të dhëna nga burimet policore dhe hetimit të plumbave të nxjerrë nga trupat e disa të vrarëve në ngjarjet e fundit, ka rezultuar se fishekët e përdorur nuk i përkasin asnjë lloj arme të organeve tona të rendit e të sigurisë, por janë sjellë në Teheran nga jashtë vendit dhe në lidhje me këtë janë arrestuar disa persona. Gjithashtu, në lidhje me këtë, shtypi dhe mediet Perëndimore në vazhdim të synimit të rritjes së tensionit, në kuadrin e pasqyrimit të lajmeve dhe ngjarjeve të fundit në Teheran, me një orientim të caktuar, që nga dita e diel, duke manovruar me imazhin e vrasjes së njërit prej të vrarëve në ngjarjet e fundit, pretendojnë se ky person është vrarë nga forcat e rendit të Iranit. Ndërkohë që, forcat e rendit i kanë gjetur fijet e autorit të kësaj shkrepjeje.

Duke iu referuar edhe lajmeve të seksionit shqip të agjencisë iraniane të lajmeve mund të shihet se në përgjithësi Irani sheh pas protestave një sponsorizim ilegal nga Perëndimi. Madje, ka pasur edhe akuza direkt për këtë. Cila është e vërteta e këtyre të dhënave, të cilat duhet thënë se vijnë edhe përmes pretendimeve të shumta për bllokim informacioni?

- Nëse do të ndiqni rrjedhën e dy-tre javëve para zgjedhjeve në Iran, sjelljen dhe fjalët e qeveritarëve amerikanë dhe të disa vendeve para dhe pas zgjedhjeve, do të konstatonit një situatë kontradiktore dhe të ndryshme. Në fillim, para zhvillimit të zgjedhjeve, orientimi i medieve të tyre ishte të ngjallnin dyshim ndaj tyre, me synimin që pjesëmarrja e njerëzve të ishte e pakët. Pasi panë se pjesëmarrja ishte shumë e madhe, e kuptuan se në Iran ndodhi diçka e madhe dhe u duhej që të përshtatnin veten me këto kushte, në lidhje me çështjet ndërkombëtare, me ato të Lindjes së Mesme, të botës islamike dhe të çështjes bërthamore. Për sa i përket Iranit, u shokuan. E kuptuan se në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me Republikën Islamike u hap një kapitull i ri, të cilin janë të detyruar ta pranojnë. Kur panë protestën e disa prej kandidatëve, e ndjenë se iu kishte ardhur një rast në dorë. Përfituan nga ky rast për ta shfrytëzuar atë. Nga dita e shtunë dhe e diel, gjuha e tyre ndryshoi dhe kur pak nga pak panë grumbullimet popullore, të bëra me ftesën e kandidatëve në rrugët e Teheranit, filluan të shpresojnë. Disa nga autoritetet e vendeve të huaja bënë deklarata që nuk pajtohen me parimet dhe rregullat diplomatike ndërkombëtare. Ajo që në këtë mes duket më keq dhe më e shëmtuar se gjithçka tjetër janë fjalët që dolën nga goja e këtyre autoriteteve në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut si: "Ne jemi të shqetësuar për këtë sjellje ndaj njerëzve…", në një kohë kur ne sot ndeshim me mijëra raste të shkeljes së të drejtave të njeriut në Afganistan, Irak dhe Palestinë dhe jemi dëshmitarë të përgjakjes së qindra njerëzve të pafajshëm. Interesant është fakti se e përbashkëta e të gjitha deklaratave të këtyre autoriteteve është se asnjëri prej tyre nuk e ftoi popullin iranian të respektojë ligjin. Ata me idenë e tyre të racizmit që i shikojnë iranianët si qytetarë të botës së tretë dhe ligjin si diçka që u përket vetëm atyre, qoftë edhe me një fjali nuk e ftuan popullin iranian në rrugën ligjore. Ndërkohë që, pas shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve, mbi bazën e mekanizmit ligjor, Këshilli Mbikëqyrës është duke shqyrtuar këto raste, përse duhet të bëhen deklarata ndërhyrëse në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare.

Këtij kontestimi, të cilit po i bëhet jehonë në shkallë të gjerë, i është bashkuar edhe kandidati rival i Presidentit aktual. A mund të thuhet se në realitet ngjarjet e fundit përtej akuzave që sipërpërmendëm kanë një sfond politik? Më saktë, duhet pranuar se ato përfaqësojnë një realitet politik që ngre probleme me karakter parimor për funksionimin e demokracisë?

- Për herë të parë në historinë e pas tridhjetë viteve të Revolucionit Islamik, rivali i Presidentit të zgjedhur mori një shumë të madhe votash (14 milionë). Kjo shumë ishte fitore e madhe për kandidatin rival, Musavi dhe tregoi se ai ka një aftësi dhe fuqi shumë të mirë për të drejtuar dhe administruar, duke mbajtur në të njëjtën kohë një qëndrim kritik shkencor ndaj qeverisë, gjë që nuk mund të thuhet për kandidatët e zgjedhjeve të kaluara presidenciale. Z. Musavi, duke theksuar se nuk ekziston ndonjë përplasje midis reformistëve dhe konservatorëve dhe bazuar në idetë e Imamit dhe të Liderit Suprem e vuri gishtin mbi një problem shumë të rëndësishëm dhe në fakt këtu qëndron edhe sekreti i madh i pranimit të z. Musavi, kryeministër në kohën e Imam Khomeini, nga personalitetet e të dy grupimeve politike. Duket se këtë fitore më shumë se çdokush vetë ai duhet ta vlerësojë si përfitim në të mirë të interesave të kombit dhe të islamit. Këta katër personalitete, që morën pjesë si kandidatë për president, ishin dhe janë elementë të të njëjtit sistem, por me mendime, programe dhe orientime të ndryshme politike. Pra, ky është rivalitet brenda sistemit dhe jo nga jashtë sistemit me vetë sistemin, sikurse e komentoi radioja sioniste, radioja amerikane, angleze dhe të tjera. Populli bëri vlerësimin e tij, miliona vota për njërin dhe miliona të tjera për tjetrin. Pra, çështja është çështje e brendshme e sistemit. Ata që duan ta konsiderojnë këtë si kundërshtim ndaj sistemit janë 100% dashakeqë. Përplasja nuk ka të bëjë aspak me çështjen pro dhe kundër sistemit, apo pro revolucionar dhe kundërrevolucionar, por është mospajtim midis elementëve brenda për brenda sistemit. Këta votuan me besimin në sistemin aktual duke menduar se kandidati, për të cilin votuan është më i mirë për vendin dhe më besnik ndaj shtetit. Vota u dha për atë që menduan se e meriton t'i udhëheqë. Edhe populli veproi në mbështetje të shtetit.

Duke shpresuar që kjo situatë të marrë fund, mendoni se imazhi i Iranit është dëmtuar apo cenuar nga këto zhvillime?

Mënyra se si u pasqyruan zhvillimet në Iran nga media dhe shtypi sionist dhe i disa vendeve Perëndimore, nuk përputhet me atë që ndodhi në vendin tonë dhe natyrshëm kjo gjë do të linte gjurmë. Por, përvoja e Revolucionit Islamik në tre dekadat e fundit dhe përvoja e viteve të fundit ka treguar se aftësia e popullit iranian është shumë e madhe dhe potenciali i tij i pashembullt. Ju e dini se gjatë tridhjetë viteve të fundit ndaj Iranit janë vendosur sanksione nga më të rëndat, si mbyllja e rrugëve bankare dhe kundër tij janë bërë kërcënime ushtarake, por, megjithatë Irani sot zotëron energjinë bërthamore paqësore, industrinë e hapësirës dhe ka përparuar shumë në fushën e nanoteknologjisë, industrisë së ndërtimit etj, gjë që tregon se populli iranian ka mundësi dhe kapacitete shumë të mëdha.

Si e cilësoni tërheqjen e ftesës për ambasadorët e Iranit së fundmi për aktivitetet ndërkombëtare? Jeni të mendimit se SHBA ka të drejtë që i përfshin protestat në çështjet ndërkombëtare? Apo mendoni se ato janë probleme të brendshme të Iranit, ku nuk duhet të ndërhyhet?

Asnjë vend nuk mund të mohojë rolin dhe vendin strategjik që Irani ka në zhvillimin rajonal dhe në botë dhe për fuqitë e mëdha është vërtetuar më së miri se nuk mund të arrijnë synimet e tyre në rajon pa rolin e Iranit. Ashtu sikurse deklaroi Ministria jonë e Jashtme me anë të një deklarate: "Qëndrimet e ulëta të disa vendeve nuk mund të ngjallin dyshime në lidhje me zhvillimet e fundit demokratike në vendin tonë, ndaj u sugjerojmë atyre që të ndryshojnë përqasjen e tyre jo të drejtë ndaj zhvillimeve në Iran". Sikurse e dini lidhur me samitin e fundit të G8-s ishte parashikuar që ministri i Jashtëm i Iranit të merrte pjesë në të, me synimin e arritjes së rezultateve sa më të mëdha nga ky samit, por, për arsye të mos përmbushjes së përgatitjeve paraprake me natyrë teknike, si p.sh., negociatat në nivel ekspertësh të nevojshme për një pjesëmarrje më efektive të delegacionit iranian në samit, nuk u realizua pjesëmarrja. Republika Islamike e Iranit asnjëherë nuk i ka kursyer përpjekjet e saj në drejtim të vendosjes së paqes stabilitetit dhe sigurisë në vendet e rajonit dhe të bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar në drejtim të garantimit të paqes, sigurisë dhe konstruktivitetit.

"Libertas"/ Intervistoi: Eglantina NASI & Skerdilajd ZAIMI

KOMENTE