A dini se shpesh kisha ëndërruar të isha në Tiranë për zgjedhjet parlamentare? Të ndihmoja sado pak. I ftuar apo i paftuar. Dhe mundësitë i kisha. Shkolla mbaroi, verë është…
Por, një histori e hidhur e para disa viteve më bëri të reflektoj. Aso kohe, pasi kishim marr një ftesë nga një nga organizatat jo qeveritare nga më të fuqishmet në Shqipëri për të protestuar kundër qeverisë, unë dhe jo vetëm unë, e kritikuam këtë veprim si një veprim politik nën maskën e një organizate jo politike që gjasme përfaqësonte shoqërinë civile. Ngjarjet e mëvonshme na dhanë të drejtë.
Por, si përgjigje nga një i ri, i angazhuar nga organizata në fjalë morëm një mesazh që të themi fyes është pak. Me pak fjalë, ky i ri, që mbahet për gazetar dhe veprimtar i shoqërisë civile, na kujtoi se ne që e kemi braktisur Shqipërinë nuk kemi të drejtë të flasim kapardisur nga qytetet ku jetojmë tani, se ata veprimtarët e OJQ-së në fjalë po sakrifikonin për gjithë popullin shqiptar. Nejse, nuk është objekti i këtij shkrimi ti përgjigjem fyerjeve të bëra nga një i paedukatë para disa viteve sepse koha e provoi se organizmi në fjalë nuk ishte dhe aq steril siç hiqej përderisa polli …një parti politike… Ajo që dua të them është se ne emigrantët pavarësisht se jemi qytetarë shqiptarë, pavarësish se kemi të drejtë vote ne jemi « ju që jetoni në metropolet e botës… ». Pavarësisht se flitet për ne, madje disa e kanë bërë prioritet politikën ndaj emigrantëve, unë jam mosbesues dhe nëse një ditë emigrantët shqiptarë do t'ia dalin të kenë të drejta, ata këto të drejta do ti fitojnë. Sepse i tillë është mekanizmi politikë. Ai duhet shtytur, ndryshe…ngelet në vend. Jam një i pasionuar i politikës dhe zgjedhjet i ndjek si ata tifozët që ndjekin një botëror futbolli. Dhe, kënaqësia më e madhe është momenti kur hapen kutitë e votimit dhe në televizion vijnë lajmet për fitoren e njërës apo tjetrës pale. Në Kanada, zyrat e votimit mbyllen në orën 20 ora lokale sepse ka disa zona që ndryshojnë nga njëra tjetra për nga orari. Nuk bëhet fjalë ndonjëherë për vjedhje votash por nëse ka ndonjë parregullsi që mund të ndodh, çështja zgjidhet shpejtë nga gjykatat. E pra, aty nga ora 23 apo 23h30 e natës apo edhe në mesnatë është marr vesh fituesi. Kulmi i kësaj nate është kur shefat e partive, nga qendra ku ndodhen fillojnë dhe mbajnë fjalimin e rastit duke filluar nga humbësit për t'ia lënë radhën fituesit. Dhe ajo që më bënë përshtypje dhe që besoj se është një nga cilësitë që e bënë Kanadanë një nga demokracitë më të fuqishme është toni paqësor që shprehin shefat veç të tjerash, për kolegët e tyre. A thua nuk ishin gjer në momentin e fundit kundërshtar (dhe ndoshta ata ngelen të tillë politikisht…) dhe kanë akuzuar, kanë fyer, kanë ironizuar njëri-tjetrin? Duke vlerësuar kolegët e tyre shefa ata respektojnë gjithë ata votues që nuk kanë votuar për ta por për kundërshtarin. Kjo është nga ato që do ta quaja fisnikëri e domosdoshme politike që duhet të mbretëroj edhe në Shqipëri. Nëse kjo duhet të ndodh
i bie më 29 qershor 2009 herët në mëngjes… Teknologjia ka bërë që të mundemi të lidhemi edhe më shpesh me Shqipërinë, pra me të afërmit tanë, madje tash edhe me kamera . Zgjedhjet e 28 qershorit nuk mungojnë të bëjnë një subjekt të preferuar për ne. « Ata të gjithë mashtrojnë » mu ankua një i afërm. I thash se është normale. Nuk e di a më kuptoi dhe ngaqë unë nuk i kam dhe aq qejf gënjeshtrat nuk besoj se më ka kuptuar. Ja pra se ç'doja ti thosha. Fushatat përbëjnë një rast për politikanët të bëjnë premtime elektorale që nëse nuk janë gënjeshtra, nëse ato nuk realizohen nuk di se si mund të quhen. Por, edhe kur një parti politike tenton në mënyrë ordinere të gënjejë apo edhe të shpifi për kundërshtarët e vetë politikë edhe kjo mund të futet në ato që quhen « normale » për një fushatë elektorale. Intensiteti i një fushate është i tillë që edhe vetë shtabi i një fushate të një partie bie preh e kësaj « loje» tërheqëse. Normaliteti qëndron në atë se votuesit nëse nuk i hanë « të trashat » dinë të dënojnë gënjeshtrat me me votën e tyre. E pamoralshme është kur i bashkohet gënjeshtrës ose duke e ditur që dikush gënjen e mbështet një gjë të tillë.
Ajo që është e dënueshme në një fushatë dhe jo vetëm në një fushatë elektorale është dhuna. Dhuna, cilido qoftë motivi që e ushqen, është e dënueshme. Nuk ka gjë më të shëmtuar për një shoqëri, nuk ka degradim më të madh të qenies njerëzore sesa dhuna. Dhuna është mjeti për të kaluar mesazhet në kushtet kur fjala apo gjykimi nuk kanë asnjë vlerë. Një gjë duhet të dijë gjithë secili : të gjithë mbështesim një opsion politikë që mendojmë se na përshtatet ne dhe pjesës më të madhe të shoqërisë sonë por askush nuk ka ekskluzivitetin e së vërtetës që zbulohet vetëm me hapjen e kutive të votimit dhe prandaj duke u gdhirë 29 qershori, shqiptarët të gjithë, pa përjashtim duhet të festojnë urtësinë e shumicës qoftë edhe sikur shumica të ketë gabuar… Shumë shqiptarë janë të zhgënjyer nga politika dhe as që u intereson fushat a elektorale. Ka nga ata që kanë vendosur të mos votojnë mes të tjerash edhe për inat të njërës apo tjetrës forcë politike. Kjo logjikë është pak a shumë «Për inat të sime vjehrre…» Unë do t'u kërkoja që për inat në «vjehrrës» dhe për hir të demokracisë votoni. Nëse nuk ju pëlqejnë të «mëdhenjtë», votoni për të vegjlit, gjeni në listën e kandidatëve dikë që ju e gjykoni të ndershëm dhe votoni, votoi, votoni… Çdo votë është një mesazh, një mesazh përkrahje, kundërshtimi, mosmiratimi…ajo do të lexohet nga dikush. Votoni pra. Dhe mos harroni :
Më 29 qershor duhet të ketë veç fitues, pa të humbur. Mos harroni se sot është harruar 31 marsi i vitit 1991 sepse më shumë mbahet mend 2 prilli i përgjakur i atij viti. Demokracia shqiptare nuk ka nevojë për dhunë. Shqiptarët janë dhe duhet të jenë të lodhur prej saj. Do të doja të isha aty në Tiranë më 29 qershor dhe do të jem me shpirt aty nëse do të ketë festë. Ndryshe, si mund të ëndërrohet një ardhme më emirë për ne shqiptarët?
Nga Montreali, autori bashkëpunon me Tribuna Shqiptare