English

Kartat, shpërndarja për qytetarët do të vazhdojë edhe ditën e zgjedhjeve

Tiranë, 27 qershor NOA - Ministria e Brendshme deklaroi sot pas mesdite se zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe nesër gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes.

Kjo bëhet për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për t'ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit.

Ministria e Brendshme, nisur nga kjo shtyrje e re, tha se u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar.

"Ministria e Brendshme u bën thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve shqiptarë, që ditën e nesërme të dëshmojnë vullnetin dhe përkushtimin e tyre maksimal për zgjedhje të qeta, të lira e të ndershme, dhe sigurisht duke respektuar standardet ndërkombëtare të zhvillimit të zgjedhjeve", - tha Fatmir Konja, zëdhënës i MB, në një dalje të posaçme për mediat.

MB shpreh vlerësimin e saj maksimal për të gjithë qytetarët shqiptarë që në mungesë të një pasaporte aplikuan dhe u pajisën me letërnjoftimin elektronik.

Ky dokument, identiteti i standardeve më të larta ndërkombëtare, - pohon MB, - u jep atyre mundësinë që nesër të realizojnë të drejtën e votës.

e.l./NOA

KOMENTE