Bari, 27 qershor, NOA - Ditët e fundit në Bari të Italisë u zhvillua Forumi Ndëkombëtar i Biznesit me temë qendrore në lidhjet dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë e Italisë, si dhe nxitja e pranisë së investimeve italiane në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Forumi u organizua nga CDO Italia me qendër në Puglia, organizata industriale e biznesit nga më të fuqishmet në Itali me mbi 35 mijë anëtarë dhe me shtrirje të gjerë në të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.
Në Forum ishin të pranishëm përfaqësues të mbi 120 kompanive italiane të fushave të ndryshme të industrisë dhe shërbimeve, të interesuar të vendosnin lidhje biznesi dhe investimesh në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, paraqiti përpara të pranishmeve zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri në kushtet e pasojave të krizës globale financiare si dhe mundësitë e vendit për të qenë porta mbështetëse e hyrjes së kapitaleve dhe investimeve industriale të biznesit italian dhe europian në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Të pranishmit treguan interes tëë veçantë nga zhvillimet e Shqipërisë në infrastrukturë rrugore, portuale dhe energji. Interes i veçantë nga përfaqësuesit e kompanive në forum u tregua për strategjinë e krijimit të Tregut të Përbashkët Shqiptar 7 milionësh pas pavarësimit të Kosovës njëkohësisht me përfundimin e investimeve të mëdha të Shqipërisë në ndërtimin e sistemeve rrugore dhe energjitike moderne.
Z. Vicenzo Papa, drejtor i CDO Puglia theksoi se lidhja me sistemet e rrugore, portuale dhe energjitike me rrjetet ndërkombëtare do ta kthejnë Shqipërinë në një vend të rëndësishëm dhe njëkohësisht mbështetës për gjithë zhvillimin e tregtisë në Mesdhe dhe njëkohësisht si portë hyrëse kryesore e investimeve të huaja dhe italiane në veçanti në tërësinë e vendeve të rajonit të Ballkanit.
Njëkohësisht, në Forum, Laura Grezda, drejtoreshë e programit të kredisë italiane për mbështetjen e SME (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme) në Shqipëri paraqiti mënyrat e bashkëpunimit të bizneseve italiane dhe shqiptare mbështetur në programin e mësipërm.
 CDO Itali në zbatim të marrëveshjes së posaçme të bashkëpunimit me Konfindustrinë e Shqipërisë morri përsipër dhënien me çmime preferenciale të një hapësire të konsiderueshme paraqitje të bizneseve të përzgjedhura shqiptare në Panairin Ndërkombëtar të Milanos që do të zhvillohet në muajin nëntor 2009. Përfaqësuesit e Konfindustrisë së Shqipërisë gjatë qëndrimit të tyre në Itali patën takime të shumta me përfaqësues të Konfindustrisë së Puglias, Barit, Tarantos.
n.e/NOA
Â
Â
Â