Sot, uragani i fitores është shndërruar në detin blu të fitores sonë. Uragani i fitores që vërshon në të katër e anët e këtij vendi, në kodrat, malet, qytetet, fshatrat, rrugët dhe sheshet e tyre, është sot në zemrat dhe shpirtin e bardhë të shqiptarëve, është sot në Tiranën blu, në Tiranën e fitores. Si të votojë Tirana, do të votojë Shqipëria. Si të fitojë Tirana, do të fitojë Shqipëria.
Sonte me këtë miting, ne vendosim kurorën madhështore të fitores sonë të merituar. Sot me ne, në këtë miting, besojnë projektin tonë për Tiranën evropiane, për Shqipërinë evropiane.
Por, unë këtu para jush dua të falënderoj ata miliona shqiptarë që gjatë kësaj fushate, më e bukura, më madhështorja dhe më e etikja e të gjitha fushatave tona, i takova në rrugë, në sheshe, në lokale, në sallat e këtij vendi.
Mirënjohje më të thellë atyre, sepse ata më frymëzuan mua më shumë se kurrë, më inkurajuan mua më shumë se kurrë. Drita e fitores që buronte nga shpirti i tyre, nga zemra e tyre, nga sytë e tyre, ndriçoi fytyrën e fitores sonë, fytyrat e tyre, në sheshet dhe rrugët e qyteteve tona, në mbarë Shqipërinë, ndriçon sot Tiranën më bukur se kurrë.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Ne mblidhemi sot në këtë miting, më madhështorin që ky shesh ka njohur në tërë historinë e tij, pasi në këtë fushatë jo vetëm në mitingje, jo vetëm në takime, por për herë të parë kam komunikuar me 1 milionë e 700 mijë shqiptarë me mesazhe, me telefonata, me e-mail.
Atyre të gjithëve dua t'i shpreh mirënjohje për kohën që më kushtuan, mirënjohjen më të madhe atyre qindra mijërave që iu përgjigjën mesazheve të mia me mendime, me mbështetje, me inkurajime. Kurrë ndonjëherë ne së bashku nuk kemi pasur një komunikim kaq njerëzor, kaq intim dhe kaq të bukur sa në këtë fushatë.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Sot nga ky shesh dua t'i drejtoj një apel mbarë Shqiptarëve; të bashkohemi së bashku në ëndrrën tonë evropiane, të bashkohemi se ëndrra jonë i pranon të gjithë, se ëndrra jonë i fton të gjithë, se ëndrra jonë i mirëpret të gjithë. Projekti i Shqipërisë evropiane është projekti më i bukur, më madhështor i të ardhmes që meritojmë.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Çdo burrë, çdo grua, çdo i ri, çdo e re, çdo i moshuar që bën një projekt ka aty një ëndërr dhe ëndrrën e bëjnë realitet vetëm ata që e besojnë atë. Ne jemi burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që i besojmë Evropës, do ta bëjmë Shqipërinë evropiane. Ne jemi ata që në katër vjet ia dolëm t'i faktojmë mbarë shqiptarëve dhe botës se ëndrrat tona dimë t'i bëjmë realitet.
Sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Ne ëndrrën euroatlantike e bëmë realitet. Ne së bashku ëndërruam Kosovën e lirë dhe të pavarur. Kosova është sot e pavarur dhe ëndrra jonë u bë realitet. Ne së bashku ëndërruam bashkimin e kombit tonë, ne shembëm malet dhe bashkuam kombin. Ne dimë t'i shndërrojmë ëndrrat në realitet. Â
Katër vite më parë dyert e Shqipërisë për integrimin në Evropë po mbylleshin çdo ditë e më shumë nga muret e krimit dhe të korrupsionit. Ne arrestuam me qindra banda, shembën sistemin kleptokracisë, qeveria u njoh si kampione në luftën kundër korrupsionit dhe fituam.
Lajmet dhe kronika të zeza që katër vjet më parë mbushin mediat evropiane dhe botërore për Shqipërinë, ne i rrëzuam ato me vlerësimin e Shqipërisë si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, si vendi që renditet i dyti në botë për klimën e biznesit, si vendi që dyfishoi rrogat dhe pensionet për qindra mijëra qytetarë shqiptarë, që punësoi mbi 80 mijë qytetarë dhe nxori nga varfëria 400 mijë të tjerë, si vendi që ndërtoi 6 000 kilometra rrugë dhe që me korridorin e kombit i faktoi shqiptarëve dhe botës se ky komb, se ky vend ka gjithë potencialin për të bërë të pamundurën të mundur.
Ndaj dhe sot le t'i ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohemi për të bërë realitet ëndrrën tjetër më të bukurën e shqiptarëve që nga rilindja kombëtare deri më sot, Shqipërinë Zonjë mes kombeve të Evropës. Të bashkohemi për të ndërtuar së bashku në Shqipëri sistemin modern rrugor, akset e shkurta, boshtin e jugut, rrugën e Arbrit dhe të gjitha rrugët e tjera të mëdha.
Të vazhdojmë projektin tonë evropian, të punësojmë në katër vjet 160 mijë qytetarë shqiptarë, në parqe industriale, në fabrika, në uzina, në qindra e qindra hidrocentrale dhe vepra të tjera, në resorte magjepse turistike të brigjeve dhe maleve tona. Të bashkohemi në mënyrë që ne të vazhdojmë rrugën që nisëm, rrugën e demokracisë që nga vendi me rrogat dhe pensione më të ulëta se në Korenë e Veriut, të parakalojmë gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Unë ju jap ju fjalën se sa herë të votoni, rrogat dhe pensionet tuaja do të rriten gjithnjë e më shumë. Të bashkohemi për t'i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer problemeve të pronave dhe reformës së pronësisë.
Pronarë shqiptarë, mos harroni kurrë se me ne u kthye prona, se ne bëjmë avokatinë tuaj, se ne bëmë pronarë mbi 8 qind mijë familje shqiptare, se ne qëndrojmë deri në momentin e fundit për t'i dhënë zgjidhjen më të shkëlqyer ligjore pronave tuaja. Ne do të përfundojmë në afatin dhe kohë legalizimet dhe kompletojmë e reformën e pronësisë. Fermerët shqiptarë, të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne, sepse ne qëndrojmë prapa jush, respektojmë dhe frymëzohemi nga djersa dhe krahët tuaja. Ne do të bëjmë që fermat tuaja të konkurrojnë me sukses me fermat evropiane.
Premtimi ynë është për të barazuar pensionet tuaja sa ato në qytet, premtimi im është financim për çdo projekt tuajin, premtimi im është subvencionim i naftës dhe inputeve për sipërfaqe të mbjellë, Â 24 orë ujë për të gjithë familjet shqiptare. Fshatrat e të gjithë Shqipërisë në katër vjet do të llamburitin si lagjet e qyteteve tona.
Qytetare dhe qytetarë të Shqipërisë,
Le të bashkohemi ne me besimin e thellë se forca transformuese e lirisë do të na çojë ne drejt atij horizonti që ne sot nuk kapim dot me sy.
Të reja dhe të rinj shqiptarë,
Jeni ju që moshatarët e NATO-S, ju që s'njohët kurrë trysninë e diktaturës, nuk njohën ndonjëherë pasojat e tmerrshme të izolimit, skllavërinë e varfërisë dhe mjerimit, votoni, bashkohuni me ne. Ju jap ju fjalën për shkollim evropian dhe moshën dixhitale për ju. Secili prej jush do të ketë internetin dhe kompjuterin, sepse vetëm kështu Shqipëria do të kapë moshën tuaj të bukur.
U uroj nga zemra e mbarë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, sepse ne me vlerat që ndajmë si parti e qendrës së djathtë, me parimet e saj, do të bëjmë çdo reformë, do të marrim çdo vendim, do të bëjmë çdo përpjekje derisa në atë flamur krenar me yje, të shkëlqejë dhe ylli i shqiptarëve.
Më 28 qershor askush nuk humbet, do të fitojë çdo shqiptar, do të fitojë Shqipëria. Votoni si qytetarë të lirë, votoni për projektin tonë evropian. Votoni 10-ën, 10-a jeni ju, 10-a janë fëmijët tuaj të mrekullueshëm, 10-a është ideali juaj evropian, 10-ë është kryeqyteti ynë madhështor, 10-ë është Shqipëria blu, është Evropa blu që po pret me padurim fitoren tonë.
(*) Fjala e mbajtur në sheshin "Skënderbej", në takimin përmbyllës elektoral, 26 qershor 2009