English

Nevoja për ndryshim

36 orë nga sot, ne do të kemi shansin të ecim drejt kutisë së fshehtë, për të bërë histori.

36 orë nga sot, ne do të kemi jo mundësinë e radhës për të votuar në zgjedhjet e radhës, por mundësinë për ta bërë votën tonë fuqi të një ndryshimi historik.

36 orë nga sot, ne do të kemi në dorë jo një votë për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por të drejtën për të ndërruar faqen e historisë me votën tonë.

Kaluan 4 vjet qysh se e nisëm këtë rrugë së bashku. Qindra mijëra km rrugë, qytet më qytet, e fshat më fshat, dhjetëra mijëra zëra e histori njerëzore vuajtjesh, shpresash, të mbledhura në kujtesë.

Ngado nëpër Shqipëri një nevojë e thellë për ndryshim, e cila dalëngadalë doli në sipërfaqe, edhe sot është kthyer në këtë det njerëzor që pas 36 orësh do të derdhet drejt kutive të votimit, për të ndryshuar politikën e këtij vendi, për të sjellë kohë më të mira për këtë vend, për t'i dhënë një ditë secilit prej nesh, krenarinë që të thotë, "Po, unë votova atë ditë, kur e gjitha filloi. Ishte 28 qershor 2009."

Po, unë vota atë ditë për Shqipërinë pa kufij në Evropën dhe një vit më vonë e kapërceva doganën greke pa vizë për të shkuar te im vëlla emigrant apo hyra në Itali pa vizë për të parë vajzën time studente.Â

Po, unë votova atë ditë për një Shqipëri me libra për të gjithë fëmijët, e me respekt për të gjithë mësuesit dhe pas një viti nuk pati më në Shqipëri as fëmijë të varfër që mbeteshin pa shkollë, sepse nuk blinin dot librat, as mësues që mbeteshin pa bukë, sepse nuk bëheshin dot me pushtetin.Â

Po, unë votova atë ditë për një Shqipëri ku mbi 50% e nënave të reja të mos mbeteshin më pa përfituar nga barrëlindja për shkak të varfërisë dhe nuk kaloi viti dhe çdo nënë që sjell në shtëpi gëzimin e lindjes së një fëmije, është e mbuluar me përfitimin nga barrë lindja pavarësisht nëse është familja e saj, e pasur apo e varfër, në qytet apo në fshat.

Po, unë vota në 28 qershor 2009 për një Shqipëri ku 40 % e popullsisë, të mos mbeteshin më jashtë shërbimit shëndetësor dhe në 2011 u themelua shërbimi shëndetësor kombëtar, për çdo shqiptarë e shqiptare, ndërsa në spitale nuk shkohet më me batanije dhe ilaçe me vete, kurse mjekëve dhe infermierëve u është rikthyer dinjiteti dhe qetësia.

Po, unë votova atë ditë për Shqipërinë me ujë të pijshëm për të gjithë që kemi sot, për Shqipërinë pa plehra, e dhera nga të katërt anët që kemi sot. Për Shqipërinë ku fshati jeton denjësisht në titujt e vet të pronësisë dhe me prodhimin e tij siç jeton sot.

Unë votova më 28 qershor për një Shqipëri ku shteti të mos ishte më i pushtetarëve, por i qytetarëve dhe pasuritë tona të përbashkëta të mos ishin më plaçkë për qeveritarët, por burim mirëqenie për të gjithë shqiptarët.

Me votën time unë mora pjesë në historinë e jashtëzakonshme që i dha fund të vjetrës në pushtet dhe i dha jetë një pushteti të së resë. Që e gjitha kjo të filloj më 28 qershor dhe që pas 36 orësh Shqipëria të hyjë në një rrugë të re përmes një politike të re të ndryshimit të gjithçkaje që nuk ndryshon prej 18 vjetësh.

Të gjithë duhet ta kuptojnë, se kjo nuk është beteja mes shqiptarëve të majtë e shqiptarëve të djathtë.Â

Kjo është beteja e Shqipërisë me varfërinë që nuk është e majtë dhe as e djathtë.Â

Kjo është beteja e Shqipërisë me papunësinë, që ka paralizuar qindra mijëra njerëz të thjeshtë, të majtë dhe të djathtë.Â

Kjo është beteja e Shqipërisë me analfabetizmin, që thith masivisht çdo vit në terrin e tij fëmijë të pafajshëm prindërish socialist e demokrat. Kjo është beteja e Shqipërisë me korrupsionin, që prej 18 vjetësh po bën copa e çika atdheun e përbashkët të qytetarëve të majtë e të djathtë dhe në 4 vitet e fundit, e ka vënë qeverinë e vendit tonë në dispozicion të familjes së një Kryeministri, i cili ua ul taksat dhe ua ngre rrogat shqiptarëve me dorën e djathtë dhe pastaj ua merr lekët xhep më xhep me dorën e majtë.Â

Kjo është beteja e Shqipërisë me dhunën, që nuk do të dijë për shtetin dhe që ka për frymëzues pushtetin e një politike të vjetër urrejtjeje, mllefi, cinizmi.Â

Ne do ta fitojmë këtë betejë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë. Ne do ta fitojmë këtë betejë, sepse për ne Shqipëria qëndron përtej të majtës dhe së djathtës. Ne do ta fitojmë këtë betejë, sepse fëmijët e socialistëve dhe demokratëve, janë të barabartë në të drejtën e tyre për të jetuar në një Shqipëri evropiane, të integruar në bashkimin evropian.Â

Kjo është beteja e të rejave dhe të rinjve që nuk kanë perspektivë, prandaj ne do ta fitojmë. Kjo është beteja e të moshuarve që nuk kanë ilaçe, prandaj ne do ta fitojmë. Kjo është beteja e grave dhe vajzave që nuk kanë të drejta, prandaj ne do të fitojmë. Kjo është beteja e sipërmarrësve që nuk kanë liri, prandaj ne do ta fitojmë. Kjo është beteja e nëpunësve që nuk kanë mbrojtje, prandaj ne do ta fitojmë. Kjo është beteja e bujqve që nuk kanë fuqi, prandaj ne do të fitojmë. Kjo është beteja e të shkelurve me këmbë, për 18 vjet rresht, beteja e peshkatarëve, minatorëve, ushtarakëve, naftëtarëve, prandaj ne do ta fitojmë. Kjo është beteja e njerëzve të rrethinave, e atyre burrave dhe grave që morën fëmijët e të moshuarit në krahë dhe zbritën nga skajet e varfërisë, ku i la diktatura komuniste drejt Tiranës dhe Durrësit, në kërkim të Amerikës së tyre të vogël, e atyre familjeve që filluan çdo gjë nga e para në kasolle plasmasi e me gjak ndërtuan shtëpitë që sot e gjithë ditën i kanë të pa legalizuara, pasi investuan shpresën dhe besimin e tyre 18 vjet rresht te Sali Berisha.Â

Ne do ta fitojmë këtë betejë që historia e dhimbshme e bathoreve të Shqipërisë, ku politika e vjetër ka 18 vjet që mbjell rrena e korr vota, të mbaroj dhe që një histori e re të filloj për rrethinat, ku pas 28 qershorit, do të nis pa kthim dhe as ndalim procesi i legalizimit të shtëpive.Â

Ne do ta fitojmë këtë betejë, që të mos humbasin më ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar, qytetarët, dhe të mos fitojnë më ata që kanë fituar gjithmonë edhe kur kanë humbur, pushtetarët.Â

Një fjalë e urtë thotë, "nëse do të arrish shpejt diku, nisu vetëm. Nëse do të arrish larg, nisu sëbashku me të tjerët."Â

Ne duhet të arrijmë larg, duke provuar në këto orë se jemi gati të nisemi të gjithë së bashku, më të shumtë dhe të vendosur se asnjëherë tjetër drejt kutisë së votimit, për të nxjerrë politikën nga kutia e televizorit, ku një grusht politikanësh kanë 18 vjet që na japin të njëjtën shfaqje të lodhshme e të mërzitshme dhe për ta kthyer atë në një mjet ndryshimi kudo në hapësirën e atdheut tonë.Â

Këto janë orët për ta marrë politikën në dorë dhe për ta bërë atë fuqi të një ndryshimi historik, duke provuar të gjithë bashkë këtu, në vendin tonë, si një popull i vetëm, atë që motrat e vëllezërit tuaj emigrant, ndër ta edhe im vëlla, e kanë provuar në Greqi, Itali, Amerikë e kudo. Sepse ne shqiptarët nuk jemi as më pak të zgjuar, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm, për të bërë sakrifica se çfarë janë fqinjët tanë apo të tjerët në botën e lirë ku duam të integrohemi.Â

Së shpejti, Shqipëria të cilës Zoti i ka falur gjithçka për të qenë e begatë, nuk ka pse të mos jetë bashkë me të tjerët në Bashkimin Evropian.Â

Këto janë orët.Â

Pas 36 orësh, ora e re e një historie të re do të filloj për Shqipërinë, dhe me votën tonë ne do t'i japim fund politikës që e ndan popullin vetëm për të fituar zgjedhjet. Do t'i japim fund politikës së mendjes destruktive kundër mendjes krijuese. Do t'i japim fund politikës që e vendos mungesën e arsyes kundër vet arsyes.Â

Këto janë orët.Â

Pas 36 orësh ne do të votojmë që kurrë më vota jonë të mos trembet me kërcënimin se do të na e vjedhin.Â

Që kurrë më vota jonë të mos kërcënohet me presionin se po nuk e treguam, do të na heqin bukën e gojës.Â

Që kurrë më vota jonë të mos na ndajë dhe përçajë si në këto 18 vjet, sepse ashtu të ndarë na kanë dashur ata që duke na përçarë na kanë sunduar lehtësisht 18 vjet me radhë.Â

Këto janë orët.Â

Pas 36 orësh vota jonë do të ndaj të ardhmen me të shkuarën.Â

Mes nesh dhe së ardhmes qëndron kryeplaku i politikës së vjetër, Sali Berisha dhe një soj i vjetër oborrtarësh të pushtetit të familjes së tij, që i dhanë kësaj fushate agresivitetin primitiv të atyre që pushtetin e humbur në zemrat e njerëzve. Duan ta mbajnë duke u futur njerëzve frikën në zemër.Â

Këto janë orët për të mbyllur në librin e historisë Sali Berishën dhe për t'i dhënë fund historisë së marrë fund të politikës së tij të vjetër.Â

Këto janë orët.Â

Ëndrra jonë është e madhe dhe këto janë orët për ta marrë në dorë fatin tonë.Â

Sfida jonë është historike dhe këto janë orët për ta sfiduar historinë. Vota jonë është fuqia jonë, dhe këto janë orët për ta qindra mijëra fishuar atë, duke e bashkuar me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

(*) Fjala e Edi Ramës në mitingun përmbyllës në Tiranë, 26 qershor 2009

KOMENTE