Tiranë, 27 qershor NOA - Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, njoftoi sot se ka hartuar, ndjekur dhe ka planifikuar të marrë masa për zbatimin e Programit të Punës "Për masat detyrat për sigurimin e rendit e qetësisë për Zgjedhjet e Kuvendit 2009".
Masat vijnë në zbatim të detyrimeve ligjore për zhvillimin normal të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të 28 Qershorit 2009 dhe përfshijnë kohën para, gjatë dhe pas Zgjedhjeve.
Zyrtarët e policisë së Tiranës konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA, se është bërë ngritja dhe funksionimi i Grupit të Koordinimit dhe Drejtimit të shërbimeve të policisë në zgjedhjet.
Po ashtu është ngritur dhe "Grupi i punës, për monitorimin e Mediave gjatë proçesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë 2009".
Nëpërmjet, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, i është përcjellë Komisionit Qendror te Zgjedhjeve lista e punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra për sigurimin e Objekteve Zgjedhore dhe shoqërimin e Komisioneve dhe materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit për tek Vendet e Numërimit të Votave.
Të gjitha Subjekteve Politike Dega -Tirane, me shkresë e veçante ju është kërkuar, dërgimi i programeve dhe zbatimin e detyrimeve, në lidhje me mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të organizuara nga Subjektet e tyre, sipas kërkesave të Ligjit Për Tubimet.
Strukturat e Policisë së Tiranës, janë monitoruar në mënyrë të vazhdueshme nga Drejtoria e Përgjithshme të Policisë Shtetit, Misionet ndërkombëtare që monitorojnë PAMECA-III, ICITAP, OSCE dhe ODIHR.
Gjatë fushatës elektorale në Qarkun e Tiranës janë zhvilluar 190 tubime dhe takime elektorale, ku nuk janë evidentuar probleme.
Policia ka qenë e pranishme në sigurimin e rendit edhe gjatë 3 tubimeve përmbyllëse nga subjektet politike LSI, PD dhe PS në datat 25 dhe 26 Qershor 2009, ku gjatë zhvillimit të të cilave nuk është evidentuar asnjë incident.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka vënë ne dispozicion te Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë 458 punonjës policie të trajnuar, të cilët do të angazhohen me detyra në Qarkun e Dibrës, Elbasanit, Fierit dhe Korçës. ***
Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë ne Qarkun e Tiranës do te zhvillohen ne 823 Qendra Votimi të shtrira në juridiksionin e saj, dhe të siguruara nga Komisariati i Policisë Nr.1,2,3,4,5,6 dhe Kavajë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Identifikimi i policisë
I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra zgjedhore, është i pajisur me dokument identifikimi, i cili përmban fotografinë, gradën, emrin dhe mbiemrin e punonjësit të policisë, numrin kodik, si dhe Numrin e Qendrës së Votimit apo KZAZ/VNV-se.
Të gjitha automjetet e policisë të angazhuara në detyra zgjedhore mbajnë në xhamin e përparme të tyre tabelën me siglën "Automjet i policisë i angazhuar ne detyra zgjedhore", me targën përkatëse, firmën dhe vulën e institucionit.
Janë marrë masa për sigurimin e KZAZ-ve të cilat janë vendosur në 16 Objekte Zgjedhore dhe aktualisht po merren masa për marrjen në ruajtje të Qendrave të Votimit brenda orës 16.00 të datës 27.06.2009.
Bëjmë me dije se deri në këto momente në Qarkun e Tiranës, nuk është evidentuar asnjë incident.
Më herët, në muajin Maj 2009, në Komisariatet e Policisë dhe në Drejtorinë e Policisë se Qarkut Tiranë është zhvilluar Kursi njëditor për detyrat e policisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
e.l/NOAÂ