English

Prag zgjedhjesh decizive, Topi shkon në Hungari në përvjetor kufijsh

Tiranë, 27 Qershor NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nuk e ka refuzuar një udhëtim për në Budapest, ku gjendet aktualisht në një aktivitet modest që zhvillohet pak orë në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare shqiptare, decizive për integrimin në BE.

Vizita erdhi me ftesë të Presidentit të Republikës së Hungarisë, z. Lazlo Solyom do të jetë i pranishëm, së bashku me personalitete të tjera të larta të politikës botërore, në aktivitetet që shteti hungarez organizon në datë 27 qershor 2009 me rastin e 20-vjetorit të hapjes së kufirit midis Hungarisë dhe Austrisë.

Me anë të këtyre ceremonive, Hungaria përkujton atë që njihet në historinë moderne botërore si rënia e "Perdes së Hekurt", që simbolizoi shembjen e kufijve mes lindjes dhe perëndimit dhe që hapi rrugën për fundin e Luftës së Ftohtë.

Megjithëse pika më kulmore e këtij procesi konsiderohet vetë rënia e murit ndarës në Berlin midis dy shteteve gjermane, gjithmonë do të kujtohet se Hungaria ishte vendi ku ky proces filloi aktivisht.

Gjatë qëndrimit të tij në Budapest, kryetari i Shtetit pritet të takojë homologë të tij dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit hungarez, po ashtu dhe të organizmave ndërkombëtare.

Presidenca nuk konfirmoi nëse z.Topi do të jetë në Shqipëri të dielën e zgjedhjeve. Burime në kabinetin presidencial, i thanë sot agjencisë së Lajmeve NOA, se Topi ka dhënë shanse të kthimit në Shqipëri më së paku, paraditen e së dielës elektorale.

Pak ditë më parë, edhe kryeministri Sali Berisha ishte gjithashtu i ftuar në një aktivitet jashtë vendit.

Ndryshe nga Topi një ditë para zgjedhjeve, Berisha një javë para të dielës elektorale refuzoi të shkojë në Athinë ku shumë kryetarë shtetesh e qeverish asistuan në çeljen e muzeut të ri të Akropolit, për shkak të fushatës.

e.l/NOA

KOMENTE