English

Skandal, Policia e Burgjeve përfshihet në incident pranë kutive të votimit

Tiranë, 27 qershor NOA - Policia e drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve përfshihet në përpjekje për të nisur pragun e ditës zgjedhore me incidente dhe një efektiv i saj është identifikuar të përpiqet paraditen e sotme pikërisht për këtë qëllim.

Ngjarja u zbulua ditën e sotme, rreth orës 10.30, në territorin e Komisariatit të Policisë Nr.5, dhe konkretisht në afërsi të shkollës 9-vjeçare "Ibrahim Rugova" në Kamëz, objekt në të cilën është vendosur KZAZ-ja Nr.56, Bashkia Kamëz.

Punonjësit e policisë të këtij Komisariati, kanë konstatuar një automjet tip furgon të linjës taksi, nga i cili ka zbritur një shtetas me uniformë (pa shenja dalluese), duke shkëmbyer fjalë me një person që po hynte në atë moment, në ambientet e shkollës 9-vjeçare "Ibrahim Rugova". "Shtetasi, i cili po hynte në shkollë i është prezantuar shërbimit të Komisariatit të Policisë Nr.5, se ishte Nënkryetari i KZAZ-se Nr.56 Bashkia Kamëz me gjeneralitetet Altin Riza Xhixha, i datëlindjes 04.08.1974, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë", - deklaroi zyrtarisht policia, e cituar nga agjencia e lajmeve NOA. Ai, i ka kërkuar patrullës së policisë për të larguar personin që zbriti nga furgoni dhe që mbante uniformë pa shenja dalluese, i cili dyshohet të jetë efektiv i Drejtorisë së Burgjeve. Në këto momente, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë, duke larguar këtë shtetas, i cili në pamje të parë dukej në gjendje të dehur, dhe pa mundur të identifikojnë atë në mungesë të shenjave dalluese. Pasi është larguar personi, nënkryetari i KZAZ-së Nr.56 Kamëz Altin Riza Xhixha, ka kërkuar për të deponuar kallëzim penal pranë shërbimeve të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë, për veprën penale të "Fyerjes për shkak të detyrës", parashikuar 239 i Kodit Penal.

"Aktualisht këto shërbime po punojnë për të identifikuar, personin që zbriti nga furgoni i linjës taksi, dhe që dyshohet se mbante uniformën e Drejtorisë së Burgjeve", - konfirmoi Policia e Shtetit për agjencinë e lajmeve NOA.

Ajo theksoi se "ky shtetas i cili ka debatuar me nënkryetarin e KZAZ, nuk është efektiv i shërbimeve të policisë", duke shtuar se materialet proceduriale do ti kaluan për vlerësim dhe ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

e.l/NOA
KOMENTE