English

Testi i Shqipërisë

Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon pozitivisht. Por, para saj është një test shumë i rëndësishëm. Janë zgjedhjet e ditës së diel, që do ta vulosin përfundimisht fatin e saj dhe të gjithë shqiptarëve

Nga Berat Buzhala

E majta ka më shumë vota, por Partia Demokratike do t'i fitojë zgjedhjet.

E djathta do ta marrë pushtetin, sepse Sali Berisha në momentin e fundit do të arrijë t'i bindë disa prej deputetëve të majtë, siç bëri në rastin e zgjedhjes së Bamir Topit President, që të votojnë për një Qeveri të tij. Kur në Tiranë thonë do t'i bindë, nënkuptojnë se do t'i blejë. Por, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që ata t'i ngrisin dy gishta në Kuvendin e Shqipërisë. Berisha është mjeshtër nëse i jepet vetëm një hapësirë minimale e veprimit. Dhe kjo do t'i jepet, sepse si partia më e madhe në vend, sipas ligjit i garantohet e drejta që të provojë i pari të bëjë Qeverinë. Kjo është pak a shumë fryma që mbizotëron në Tiranë, dy ditë përpara se shqiptarët t'u drejtohen kutive të votimit. Ndërsa unë, me gjasë jam i vetmi që më së shumti ka shqetësim për mbrëmjen e datës 28 qershor, kur të dy kampet pa dyshim që do ta shpallin fitues vetveten. Të dy palët kanë përgatitur kompanitë për matjen e opinionit publik, që sapo të mbyllën kutitë e votimit, të dalin me exit polls, që t'i shpallin fitues po ata. Në vitin 2009, Shqipëria është përball një testi jetik, ku do të tregojë nëse është e gatshme për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, apo edhe më tutje do të notojë nëpër ujërat e ndytë të politikës, ku është përpëlitur që plot 19 vjet tranzicion. Dy ditë para zgjedhjeve, shenjat nuk janë aspak optimiste, sepse gara është shumë e ngushtë, dhe sepse bëhet fjalë për shqiptarët e sertë që këto zgjedhje po i konsiderojnë si betejë përfundimtare për t'i qëruar hesapet me njëri-tjetrin. Berisha, për ta fundosur Edi Ramën, e cila do ta fundoste edhe Partinë Socialiste në një humnerë të pafund, prej nga do t'i duhej shumë kohë që të ngjallej. Ndërsa Edi Rama, për t'i dhënë goditjen e fundit dinozaurit të politikës shqiptare, dhe në ketë mënyrë do t'i mbyllte edhe shumë gojë brenda të majtës, që Ramën e konsiderojnë të pazotin për ta udhëhequr ketë kamp dhe më padurim po presin që t'i gëzohen humbjes së tij. Dy ditë para zgjedhjeve, mu në sheshin Dëshmorët e Kombit, për ta dëshmuar rritjen e tensionit politik, ka plasur sherri nëse Partia Socialiste do të lejohet që ta organizojë tubimin final pranë Kryeministrisë. Dy partitë më të mëdha kanë vendosur që mbylljen e fushatës zgjedhore ta bëjnë në të njëjtën kohë dhe shumë afër njëra-tjetrës. PD në sheshin Skënderbej, kurse PS tek Dëshmorët e Kombit. Disa qindra metra i ndajnë prej njëra tjetrës. Por, jo vetëm disa qindra metra. Këto dy subjekte politike tashmë i kanë ndarë edhe mediat. I kanë ndarë edhe këngëtarët. Çdo gjë që mund të ndahet, e kanë ndarë. Pra, kush do t'i fitojë këto zgjedhje? Kjo pyetje kushton një milion dollarë. Por, shumë më shtrenjtë se kaq kushton e ardhmja e vendit. Se kush do t'i fitojë zgjedhjet, është shumë më periferike se sa kah do të shkojë Shqipëria pas datës 28 qershor, që, dorën në zemër, gradualisht është futur në binarë që e dërgon atë në stacionin e duhur. Në katër vjetët e sundimit të Qeverisë së Berishës, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Është i saktë mesazhi i kësaj partie që Shqipëria po Ndryshon. Madje, ajo tashmë ka ndryshuar drastikisht, që prej kohës kur në pushtet erdhi Partia Demokratike. Ka një rritje stabile ekonomike. Janë ndërtuar shumë rrugë dhe janë punësuar shumë njerëz. Gjatë kësaj kohe, ka shpërthyer edhe Gërdeci, por edhe është anëtarësuar vendi në NATO. Por, gjatë kësaj kohe, Berisha, i konsideruar si luftëtari i korrupsionit, nuk ka mundur të qëndrojë i papërlyer. Pjesëtarët e familjes së tij, sipas mediave, i kanë rrasur thellë duart në keqpërdorime. Kjo familja nuk ka mundur dot t'i rezistojë tundimit të pushtetit të të atit. Pra PO, siç thotë edhe mesazhi kryesor i PS-së, Shqipëria ka nevojë për "Politikë të re për ndryshim". Por, jo vetëm Shqipëria e ka ketë nevojë. Nevoja për ndryshim paraqitet si imediat i secilës shoqëri. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar. Një politikë e re e ka zëvendësuar një të vjetër. Mirëpo, a është Edi Rama, Barack Obama? Me plot gojën mund të them se nuk është. Gjatë kësaj fushate zgjedhore, ai nuk ka mundur të distancohet prej politikë së vjetër shqiptare, ku dominon sharja dhe fyerja për kundërshtarin. Edi Rama është më i ri se Berisha, por vetëm në moshë. Madje, në një formë a në një tjetër, Rama ka qëndruar në pushtet edhe më gjatë sesa Kryeministri Berisha. Ai po e gëzon mandatin e tretë të Kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa disa vite ka qenë Ministër i Kulturës, në një kabinet qeveritar shumë kleptokratik. Mirëpo, anash baltën, Edi Rama është personi më meritor që sot Tirana duket një metropol konkurrent për rrethanat ballkanike. Prishtina jonë, është një fshat, krahasuar me Tiranën, e cila kur kishte rënë në duar të Ramës - kishte qenë një kryeqendër e pashpresë. Pra, atë që e ka bërë Berisha për Shqipërinë pas vitit 2005, e ka bërë Rama për Tiranën që prej vitit 2000. Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon pozitivisht. Por, para saj është një test shumë i rëndësishëm. Janë zgjedhjet e ditës së diel, që do ta vulosin përfundimisht fatin e saj dhe të gjithë shqiptarëve. Është pak e rëndësishme kush do të jetë Kryeministër i saj. E rëndësishme është që të hënën OSBE dhe ODIHR t'i konsiderojnë zgjedhjet e mbajtura si të lira dhe demokratike.

Autori eshte kryeredaktor i "Express"Â

KOMENTE