English

Menduh Thaçi: Qeveria Gruevski ka për qëllim ta shkatërrojë Maqedoninë

Shkup, 28 qershor, NOA - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e ka akuzuar kryeministrin e Maqedonisë, Nilloka Gruevski, se e ka qëllimin final që të shkatërrojë Maqedoninë, dhe kombin maqedonas.

Në një intervistë të tij, Thaçi ka shpjeguar ofertën e tij për një marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase, hartuar nga një grup i ekspertëve të profileve të ndryshme. Lideri i PDSH-së ka thënë se, "Marrëveshjen e Ohrit, me plot vetëdije, në mënyrë shumë të saktë, e shkatërruan vetë maqedonasit". "Ju kujtohet, që në fillim ata nuk kishin dëshirë që ta nënshkruajnë atë marrëveshje, më pastaj ju kujtohen lëvizjet e ndryshme politike, organizimet e referendumeve kundër kësaj marrëveshjeje dhe mendoj që vitin e kaluar definitivisht arritën që ta shkatërrojnë dhe ta bëjnë të papërdorur". "Kjo politikë e re,- të cilën Thaçi e përshkruan si "shumë arrogante nacionaliste e qeverisë së Maqedonisë, - do të nxjerrë në shesh atë që ata nuk heqin dorë prej tendencës për krijimin e shtetit etnik të popullit maqedonas dhe me këtë nuk mund të pajtohemi". Qëllimi kryesor i marrëveshjes 15 pikëshe shqiptaro-maqedonase të propozuar nga PDSH, sipas liderit të kësaj partie, është që, shteti të funksionojë në aspekt ligjor dhe kushtetutar, të mos jetë stimulues për njërin etnitet apo komunitet e kështu me radhë. Thaçi ka vlerësuar se, aspekti parimor i qasjes që kanë pasur shqiptarët drejt problemit të kontestit të emrit, mes Maqedonisë dhe Greqisë - tashmë nuk do të jetë. "Ne i lamë një kohë të gjatë maqedonasit që të vendosin ata vetë, nuk duket se ne jemi të njëanshëm. Por, më duket se ajo përfundoi me një përçarje të fuqishme brenda shoqërisë maqedonase dhe besoj se Gruevski është ai që e stimuloi këtë përçarje. Ai e ka qëllimin final që të shkatërrojë Maqedoninë, ai ka qëllimin final që të shkatërrojë kombin maqedonas", ka thënë lideri i PDSH-së.

NOA-INA

KOMENTE