Uashington, 29 qershor, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të nënshkruajnë sot në Uashington dokumentet e pranimit të vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Ceremonia do të zhvillohet në Departamentin amerikan të Shtetit dhe kopje të marrëveshjeve do t'i dorëzohen nënsekretarit të Shtetit James Steinberg. Përpara nënshkrimit, Sejdiu dhe Thaçi do të kenë një takim me Steinbergun. Ceremonia e sotme shënon pranimin zyrtar të Kosovës në dy institucionet e rëndësishme financiare. Fondi Monetar e miratoi anëtarësimin në fillim të muajit maj ndërsa Banka Botërore në fillim të këtij muaji. Kosova do të ketë të drejtën për të marrë kredi miliona dollarëshe të mbështetura nga këto dy institucione si dhe ekspertizë për zhvillimin e ekonomisë, të infrastrukturës dhe shoqërisë. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi e kanë quajtur pranimin e Prishtinës në këto institucione ndërkombëtare një sukses dhe zhvillim historik që përmirëson imazhin e Kosovës në botë. Po sot, udhëheqësit e Kosovës do të takohen me drejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Straus-Khan dhe me presidentin e Bankës Botërore Robert Zellik. Në delegacion marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala.
n.e/NOA