English

Zgjedhjet, raporti i plotë i Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Tiranë, 29 Qershor NOA Update - Komiteti Shqiptar i Helsinkit realizoi vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke aktivizuar 150 vëzhgues të akredituar nga KQZ dhe sot doli para medieve për të publikuar raportin e saj.

Kjo organizatë, drejtuesja e të cilës, Vasilika Hysi, është deputetet e sigurt e PS në zgjedhjet e djeshme, tha sot përmes drejtuesve të rinj se vëzhgimi u bë i mundur edhe në saje të mbështetjes të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, duke u shtrirë kryesisht në 8 qarqe të vendit: Tiranë, Gjirokastër, Fier, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Kukës.

Ky monitorim nuk u përqendrua vetëm ditën e votimit dhe numërimin e votave. Ai përfshiu aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.

Ditën e votimit u monitoruan mbi 700 Qv në të gjitha qarqet e sipërshënuara. Të 150 vëzhguesit janë trajnuar paraprakisht dhe kanë qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me specialistët e KSHH-së për përditësimin e njohurive të tyre.

KSHH, ka arritur në konkluzionin se në fushën e reformës zgjedhore dhe në zhvillimin e zgjedhjeve janë bërë hapa pozitivë.

Arritjet

Për herë të parë, me ligj, u parashikuan disa masa të posaçme për të siguruar realisht shanse të barabarta gjinore.

U parashikua detyrimi ligjor për pajisjen e qytetarëve me karta të identitetit, veç pasaportës që ata mund të dispononin, duke përjashtuar kështu çertifikatat që mund të linin shkas për manipulime.

sistemi elektoral proporcional rajonal, i adoptuar nga Kushtetuta e Kodi zgjedhor ndihmoi në përjashtimin e të ashtuquajturit fenomen i "dushkut", i cili sillte shtrembërime të vullnetit zgjedhor.

Në përgjithësi patëm një fushatë zgjedhore më të qetë se në zgjedhjet e tjera. Më i qetë ka qenë gjithashtu edhe procesi i votimit, si dhe në QV objekt monitorimi nga KSHH ka pasur edhe një pjesëmarrje më të lartë të zgjedhësve, afërsisht, 50%.

Mangësitë

Megjithatë, KSHH thotë se kanë rezultuar disa probleme dhe flet kryesisht për ato ankesa që ka bërë PS:

Lidhur me garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, janë konstatuar raste të vështirësive të karakterit tekniko - organizativ për zgjedhësit që kërkonin të pajiseshin me karta identiteti.

"Në takimet që vëzhguesit tanë kanë pasur me këta zgjedhës dhe sipas vëzhgimit në vend, kanë rezultuar raste të ndërprerjes së punës, vonesa dhe sorollatje të qytetarëve, mungesë të energjisë elektrike, etj,", - thuhet në raport.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme flasin për rreth 256 mijë persona që nuk kanë aplikuar për këto karta identiteti.

Mendojmë se kjo shifër dëshmon një numër të konsiderueshëm qytetarësh që nuk kanë pasur mundësi të votojnë.

Prandaj, për pajisjen me karta të identitetit të qytetarëve mendojmë se, duhet të ishte bërë një punë konsultative paraprake, në kohën e duhur, ashtu sikurse kishte rekomanduar OSBE/ODIHR, qysh në vitin 2005.

Lidhur me këtë çështje, KSHH, përmes deklaratave për shtyp, ka bërë jo vetëm vërejtjet dhe sugjerimet përkatëse, por edhe thirrje që zgjedhësit të shkonin sa më parë për t'u pajisur me to.

Në lidhje me listat e zgjedhësve, është konstatuar se, listat paraprake dhe sidomos listat përfundimtare të zgjedhësve janë shpallur me vonesë, ndërsa sensibilizimi i zgjedhësve për njohjen me këto lista duhet të ishte më intensiv.

Fakti është se menjëherë pas shpalljes së listave përfundimtare të zgjedhësve filluan pakënaqësitë për dublime dhe gabime të ndryshme, për mungesë të emrave në këto lista, etj.

Sipas të dhënave nga vëzhguesit tanë ka rezultuar se deri në datën 26 qershor 2009, në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, ishin paraqitur 430 kërkesa.

Gjithashtu dhe në disa qytete të tjera ka pasur kërkesa pranë gjykatës, por në numër më të pakët.

Shkaqet e kësaj gjendjeje mund të jenë nga më të ndryshmet. Por, shqetësues mbetet fakti që, edhe pse u krijua regjistri elektronik ky fenomen u përsërit në këto zgjedhje

Lidhur me fushatën zgjedhore, KSHH ka konstatuar se partitë politike, gjatë kësaj fushate, në raport me fushatat e tjera, kanë shpalosur më mirë alternativat dhe programet e tyre, si dhe kanë pasur tone më pozitive.

Në televizionet publike dhe private janë zhvilluar debate elektorale. KSHH ka konstatuar se, sidomos nga dy partitë e mëdha, fushata ka filluar shumë kohë përpara çeljes së fushatës zyrtare të parashikuar në Kodin zgjedhor.

Tërheqin vëmendjen shpenzimet e tepërta dhe mungesa e transparencës për burimet e këtyre të ardhurave.

Në këtë drejtim mendojmë se është e nevojshme një mekanizëm kontrolli më operativ dhe më i efektshëm.

Gjithashtu, në disa mitingje me elektoratin dhe debatet televizive nuk ka munguar edhe gjuha joetike apo gjuha e urrejtjes.

Disa incidente të lidhura ose jo me motive politike, deri në një farë mase e kanë tensionuar atmosferën parazgjedhore.

Gjithashtu, për KSHH-në duhet të parandalohej, apo të zgjidhej me shpejtësi e qetësi incidenti që ndodhi me opozitën për lejen e zhvillimit të mitingut të saj në ditën e mbylljes së fushatës.

Lidhur me Listat shumëemërore të kandidatëve, konstatojmë se, në listat e kandidatëve figurojnë kandidatë me detyrë kryetarë të njësive bashkiake ose komunave, si dhe prefektë që kandidojnë në vendet e tyre, për të cilët rezulton se nuk janë larguar nga detyra në momentin e kandidimit, në zbatim të nenit 69 të Kushtetutës.

Ky problem është bërë objekt diskutimi dhe debati edhe në KQZ, por, i mbetur aty pa u zgjidhur, mund të shndërrohet në një çështje të vlefshmërisë së mandateve, nëse këta kandidatë zgjidhen deputetë.

Lidhur me ngritjen e komisioneve zgjedhore, grupeve të numërimit dhe trajnimit të tyre. Vëzhguesit tanë kanë raportuar se KZAZ-të u ngritën me vonesë ndërsa KQV-të akoma me më shumë vonesë.

Gati dy ditë para ditës së votimit ende nuk ishin ngritur grupet e numërimit të votave. Kjo ka ardhur për shkak se partitë politike nuk i kanë paraqitur KZAZ-ve propozimet përkatëse në kohë.

Ky fakt, ka vënë në pikëpyetje sidomos trajnimin e anëtarëve të KQV-ve dhe Grupeve të numërimit të votave, i cili i kryer pjesërisht dhe me vonesë, ka qenë formal dhe jo cilësor. Shqetësimi i mësipërm është bërë publik nga KQZ-ja, kryesisht nga kryetari i saj.

I. Lidhur me procedurat për hapjen e qendrës së votimit dhe të votimit

Vëzhguesit e KSHH-së asistuan në përgatitjet për fillimin e procesit të votimit në mbi 700 QV në 8 qarqet e përmendura sa më sipër. Qendrat e votimit paraqiteshin në gjendje të rregullt, pavarësisht disa problemeve në disa raste, ku ambientet në të cilat ishin vendosur qendrat e votimit ishin të vogla (Tiranë), dhe kishte ndonjë rast ku dhomat e fshehta ishin afër me njëra - tjetrën (Durrës).

Fillimisht, u konstatuan disa vonesa e parregullsi, por më tej procesi vazhdoi i qetë gjatë gjithë ditës. Mund të përmendim disa vonesa në hapjen e disa qendrave të votimit në Tiranë, Durrës, Elbasan (2364, 2343 si dhe 23301), Korçë, dhe Fier. Kjo edhe për shkak të mbërritjes së bazës materiale me vonesë, sidomos të bojës për vulën, ose për shkak të faktit se, anëtarët e KQV-së, si dhe disa vëzhgues të subjekteve zgjedhore jo të gjithë kanë qenë të pranishëm në orën e caktuar për fillimin e përgatitjeve për votim. Shqetësues ka qenë fakti se, gjatë ditës së votimit, ka vazhduar ndërrimi i komisionerëve nga subjektet politike, duke shkaktuar vonesa dhe pezullim të procesit të votimit (rast flagrant QV Kukës 0652 në orën 16:00). Ka pasur ndonjë rast kur votimi është pezulluar për pak orë duke rifilluar më pas në mënyrë të qetë (Vlorë, Kukës).

Këto kanë ndodhur për shkak të mungesave në listat e zgjedhësve, mbajtjes së stilolapsave që u konsideruan mjete për fotografim, mosmarrëveshjeve midis komisionerëve etj.

II. Lidhur me procedurat e votimit

Në përgjithësi, ka pasur respektim të procedurave të votimit, por në disa raste është vënë re edhe ndonjë devijim.

Votimi familjar. P.sh., janë evidentuar disa raste të votimit familjar ose në grup, duke cënuar kështu parimin themelor të fshehtësisë së votës. Ky fenomen u vu re në disa qendra votimi në Durrës, Shkodër, Korçë, Tiranë. Vëzhguesit e KSHH-së kanë paraqitur në të gjitha rastet e identifikuara vërejtje me shkrim gjë që ka ndihmuar në ndërprerjen e kësaj shkeljeje.

Votimi i personave me aftësi të kufizuar ose në pamundësi për të votuar. KSHH e konsideron një arritje parashikimin e mundësive për të votuar të verbrit me fletë të veçanta votimi.

Megjithatë, nga vëzhgimi në terren, rezultoi se në disa qendra votimi nuk kishte fletë të posaçme për të verbrit. E njëjta situatë për personat me aftësi të kufizuar, të cilët jo në të gjitha QV kishin lehtësitë për të aksesuar qendrat e votimit, nëpërmjet rampave, etj.

Listat e zgjedhësve. Bazuar në informacionet e vëzhguesve të KSHH-së, u informuam se pati në disa raste zgjedhës të cilët nuk arritën të votonin pasi nuk gjenin emrin në listë, Gjithashtu, kishte pasaktësi në regjistrimin e emrit ose mbiemrit, sidomos në Tiranë, Kukës, Vlorë, Durrës, Elbasan, Korçë, Institucioni i paraburgimit Peqin dhe Institucioni i paraburgimit Durrës.

Ka pasur edhe ndonjë rast mospërputhjeje të emrave në listat e shpallura përfundimtare në ambientet e qendrave të votimit, me ato që dispononin KQV-të përkatëse.

Një problem që u vu re ishte se, në disa QV nuk janë lejuar të votojnë zgjedhëset gra, të cilave në pasaporta u figuronte mbiemri i vajzërisë dhe në listat e zgjedhësve kishin mbiemrin e bashkëshortit. KSHH sinjalizoi KQZ-në nëpërmjet një njoftimi.

Liria për të votuar. Vlen të përmendet se përgjithësisht procesi i votimit u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe të qetë. Janë evidentuar disa incidente sporadike të cilat krijuan tension të përkohshëm në disa qendra votimi, p.sh., presion të disa vëzhguesve ose militantëve të partive, ndaj zgjedhësve.

Roli i policisë. Në qendrat e vëzhguara nga KSHH përgjithësisht është vërejtur se punonjësit e policisë së rendit kanë mbajtur një qëndrim korrekt.

IV. Procedurat e mbylljes së votimit dhe numërimit të votave

Mbyllja e votimit. Procedurat për mbylljen e qendrave të votimit përfunduan pa probleme. Në pjesën më të madhe të tyre, votimi u mbyll brenda orës 19:00. Në disa qendra votimi, është mbyllur me 30 - 60 min vonesë.

Vetëm në një rast, për shkak të pezullimit të votimit për disa orë, procesi ka përfunduar deri në 2 orë me vonesë (Kukës). Nuk ka pasur incidente gjatë shoqërimit të kutive të votimit.

Në një pjesë të madhe të vendeve të numërimit, kutitë e votimit kanë mbërritur në kohë. Vonesa ka pasur në ato QV, të cilët i përkasin komunave që ndodheshin larg grupeve të numërimit.

Ngritja e Komisioneve të Numërimit të Votave dhe fillimi i numërimit. Koha e fillimit të numërimit të votave ka qenë e ndryshme, por në përgjithësi me vonesë.

Nga 25 GNV që KSHH shtriu monitorimin gjatë natës, rezultoi se në disa prej tyre, procesi i numërimit ka filluar me 2-3 orë vonesë ndërsa në dy të tjera numërimi ka filluar në orën 4:00 të mëngjesit të ditës së sotshme (KZAZ 25, 8).

"E shohim të nevojshme të përmendim se lidhur me procesin e numërimit të votave, vëzhgimi nga ana jonë po vazhdon", - përfundon raporti i KSHH.

e.l/NOA

KOMENTE