Fier, 30 qershor NOA - Një 37 vjeçar nga rrethi i Fierit, është arrestuar para pak minutash nga policia vendore, nën akuzën e përdhunimit të një gruaje, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.
Prangosja e A.Tabakut, 38 vjeçar, lindur e banues në fshatin Velmish, komuna Strumë e rrethit Fier, u bë pasi sikundër pohoi Komisariat i policisë, dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një grua 35 vjeçare, me inicialet M.G., nga i njëjti vendbanim.
Policia tha se arrestimi i Tabakut u bë sonte pranë banesës së tij, një ditë pasi ai u identifikua si i dyshuari që ishte në listën e personave të kërkuar prej disa javësh, për ngjarjen e 31 marsit të vitit 2009.
Tabaku gjendej në detyrën e vëzhguesit të Partisë Socialiste në qendrën zonale të votimit, ditën e zgjedhjeve, kur u identifikua nga një punonjës policie, i cili krahasoi fotot e të kërkuarve që listohen në komisariat, me pamjen e të dyshuarit në kërkim.
Policia ka kryer sot arrestimin, pasi e mbajti nën vëzhgim të kërkuarin, i cili përballet me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, akuzë që u ngrit pas denoncimit të 35-vjeçares dhe raportit mjeko-ligjor që vërtetoi se ajo ishte përdhunuar.
e.l/NOA