English

Përfundon sot afati për kthimin e policëve serbë në vendet e tyre të punës në Kosovë

Prishtinë, 30 qershor, NOA - Përfundon sot afati për kthimin e policëve serbë në vendet e tyre të punës, të cilat i braktisën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Janw mbi 300 pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës qw kanë lëshuar vendet e tyre të punës, në shenjë zemërimi me shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar.

Ata kërkuan që zinxhiri komandues i tyre të mos shkëputet nga policia ndërkombëtare.

Deri në maj të këtij viti, ata u pezulluan nga puna me pagesë, ndërsa qeveria caktoi 30 qershorin si një afat të fundit për kthimin e policëve serbë.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Arbër Beka ka bërë të ditur se deri tani janë kthyer mbi 50 policë serbë, ndërsa pritet përgjigja përfundimtare edhe e rreth 250 të tjerëve.

"Ne presim që sot shumica nga ata të kthehen dhe t'i përgjigjen disa herë ftesave që u është bërë të njëjtëve. Natyrisht që policia e Kosovës është e interesuar që të ketë një shërbim policor multietnik në shërbim të të gjithë qytetarëve", tha ai.

Sipas ministrit të punëve të brendshme, Zenun Pajaziti, policët serbë janë të manipuluar politikisht nga Beogradi. Ai ka paralajmëruar se nuk do të ketë mundësi të tjera për policët serbë të cilët nuk kthehen gjatë ditës së sotme në vendet e tyre të punës.

"Të gjithë ata që do të kthehen do të jenë të mirëpritur dhe do të punojnë në Policinë e Kosovës si një institucion i Republikës së Kosovës. Të gjithë ata që nuk do të kthehen nuk do t'i konsiderojmë fare dhe ata eventualisht mund të imagjinojnë mundësi tjera nga manipulimet e ndryshme politike. Në Kosovë do të veprojnë vetëm këto institucione që janë të bazuara në ligjet e vendit", theksoi ministri Pajaziti.

n.e/NOA

Â

Â

Â

KOMENTE