Lezhë, 30 qershor NOA - Banesa e një burri në Lezhë u sulmua me armë zjarri nga persona të panjohur dhe policia hedh dyshimet për një atentat të dështuar.
Ngjarja ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme, në fshatin Zejmen të rrethit Lezhë, kur persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të banesës së 49-vjeçarit Gjon Gega.
Policia tha se personi i vënë në shënjestër të personave me armë, lindur në fshatin Spiten dhe banues në Zejmen të Lezhës ku ndodhi ngjarja, nuk ka pësuar dëme.
Në vendngjarje, grupi hetimor, kreu të gjitha veprimet procedurale. "Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u bë e mundur të fiksohen dhe të merren në cilësinë e provës materiale një gëzhojë e fishekëve model 54", - sqaroi policia.
Ajo tha se po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve që momentalisht akuzohen për veprat penale të "Kanosjes" dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake".
r.d/NOA