English

Vëzhguesit: Përmirësime në zgjedhje, por shkeljet vazhdojnë

Tiranë, 30 qershor NOA Update - Në një deklaratë të dhënë pasditen e së Hënës, Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve doli në përfundimin se procesi zgjedhor në Shqipëri demonstroi përmirësime, por gjithashtu konstatoi se shkeljet vazhdojnë.

Vëzhguesit thanë se zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket futjes së procedurave të reja të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, si dhe miratimit të një kuadri të përmirësuar ligjor.

Por vëzhguesit theksuan, gjithashtu, se këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës, të cilat e dobësoi besimin e publikut tek procesi zgjedhor.

Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore dhe atmosfera u përmirësua. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit pak më pozitiv sesa ai i zgjedhjeve të kaluara, por vërejtën shkelje procedurale të lidhura veçanërisht me të shënjimit me bojë dhe votimin e përhapur familjar.

Misioni tha se ishte shumë herët për të bërë një vlerësim përfundimtar, pasi numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve nuk kanë përfunduar ende.

"Vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar, dhe shumë prej frikërave që kemi pasur vetëm disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar. Unë, sigurisht, jam i gëzuar për progresin që pamë, por janë ende një numër i konsiderueshëm çështjesh që duhen trajtuar, veçanërisht klima e polarizuar politike", tha Wolfgang Grossruck, Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Kordinatori Special i Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të OSBE-së.

"Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera evropiane. Tashmë, bie një përgjegjësi shumë e madhe mbi autoritetet dhe aktorët kryesorë politikë në vend, të cilët duhet të punojnë shumë për të krijuar besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor demokratik", tha Corien Jonker, Kryetare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

"Raporti ynë shfaq zhvillime pozitive, por edhe disa negative në kryerjen e këtyre zgjedhjeve. Është bërë progres që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005. Megjithatë, ende nevojiten përpjekje më të mëdha nga të gjitha forcat politike me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ndërkombëtare", tha Bruce George, Kryetari i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

"Kodi i ri Zgjedhor miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore politike prezantoi një sërë përmirësimesh dhe garancish të rëndësishme, veçanërisht për sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Është për të ardhur keq, pasi niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk e rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor", tha Ambasadorja Audrey Glover, Kryetare e Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR).

RAPORTI I PLOTE

Tiranë, 29 qershor 2009

Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MNVZ) parlamentare të datës 28 qershor 2009 në Shqipëri është një nismë e përbashkët e zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së), Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës (AP e KE-së) dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s (AP e NATO-s).

Zgjedhjet vlerësohen për përputhshmërinë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin shqiptar. Kjo deklaratë e konstatimeve dhe përfundimeve paraprake nxirret përpara mbylljes së procesit. Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet, në mënyrë të ndjeshme nga ecuria e fazave të fundit të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë nga numërimi i votave, mbledhja e rezultateve, si edhe puna për i ankesave të mundshme pas ditës së zgjedhjeve.

Pothuajse tetë javë pas mbylljes së procesit, OSBE/ODIHR do të nxjerrë një raport të plotë përfundimtar, ku do të përfshihen edhe rekomandime për përmirësime të mundshme. Asambleja e OSBE-së do të paraqesë raportin a saj në seancën e verës në Vilnius më 1 korrik 2009. Ndërsa përfaqësuesit e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së do të japin raportin e tyre në seancën parlamentare të Asamblesë në shtator/tetor 2009.

Institucionet e përfaqësuara në MNVZ, të cilat janë të gatshme të vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, dëshirojnë të falënderojnë autoritetet shqiptare për bashkëpunimin.

KONKLUZIONET PARAPRAKE

Zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore, dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash. Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si edhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elementë këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, dhe atmosfera ishte e përmirësuar. Procesi i votimit u vlerësua si pak më shumë pozitiv se në zgjedhjet e tjera, megjithëse u vëzhguan një sërë shkeljesh procedurale. Do të ishte e parakohshme të bëhej një vlerësim përfundimtar në këto momente pasi elementët kyçë si numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve nuk kanë përfunduar ende. Vlerësimi përfundimtar do të varet në një masë të konsiderueshme nga zhvillimi i këtyre fazave të procesit zgjedhor.

Në vijim të rekomandimeve të bëra kohë më parë, qeveria bëri përpjekje të konsiderueshme për të hartuar një regjistër elektronik të gjendjes civile dhe për të pajisur të gjithë zgjedhësit me kartë identiteti. Gjithsej, u shpërndanë 1.321.376 karta identiteti, dhënë edhe zgjedhësve pa pasaportë, kjo e fundit ishte edhe mënyra tjetër e vetme për identifikimin e zgjedhësve. Rreth 81.000 karta identiteti mbetën të patërhequra deri ditën e zgjedhjeve. Megjithatë, nisja me vonesë e shpërndarjes së kartave të identitetit, mungesa e kapaciteteve administrative dhe të metat teknike kontribuuan që kjo çështje të bëhej një nga çështjet më të kontestuara të këtyre zgjedhjeve. Ka pasur raste ku aktivistët e PD-së kanë ndërhyrë në mënyrë të panevojshme. Partitë opozitare, në veçanti Partia Socialiste (PS), pretenduan se procesi ishte kompromentuar nga manipulimet me motivime politike, shpesh pa i konkretizuar akuzat e tyre; në disa raste këto aludime dukeshin të pabazuara.

Kuadri ligjor që prezantoi sistemin e ri të përfaqësimit rajonal proporcional, përcakton një bazë të plotë teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, nëse zbatohet me mirëbesim nga autoritetet dhe partitë politike. Megjithatë, lipsen përmirësime të tjera në mënyrë që Kodi Zgjedhor të jetë në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës.

Fushata zgjedhore u zhvillua në një klime politike tepër të politizuar, dhe si në zgjedhjet e mëparshme, u karakterizua nga një numër i madh aludimesh kundër partive në pushtet për shkelje zgjedhore. Fushata ishte aktive dhe e gjallë në shumë rajone, me një numër partish që konkurronin në zgjedhje duke u ofruar votuesve zgjedhje të vërtetë. Në përgjithësi, klima e zgjedhjeve ishte e qetë me disa raste dhune dhe me përdorim të herëpashershëm të një gjuhe të ashpër.

Pati një sërë aludimesh presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës. Disa prej tyre ishin aludime me baza. Veprimi i lartpërmendur do të binte ndesh me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të OSBE-së të Kopenhagenit të vitit 1990.

Në mënyrë të përsëritshme qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë partiake, ashtu siç bëri edhe kryetari i PS-së, edhe pse në një masë më të vogël. Pati aludime keqpërdorimi të burimeve administrative nga PD në pushtet, disa prej të cilave u vërtetuan. Kjo bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe shkel Paragrafin 5.4 të Dokumentit të OSBE-së së Kopenhagenit nxjerrë në vitin 1990, i cili flet për një ndarje të qartë mes partive politike dhe shtetit.

Aspektet pozitive të procesit zgjedhor u konstatuan si vijon:

• Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) administroi përgatitjet teknike të zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe përgjithësisht brenda afate kohore ligjore.

• Procesi i regjistrimit të listave të kandidatëve të partive politike, si edhe regjistrimi i një kandidati të pavarur, u kryen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

• Zgjedhësve iu ofrua një gamë e gjerë këndvështrimesh në sajë të numrit të madh të transmetuesve dhe medias së shkruar, të cilat u dhanë partive politike hapësirë për të përcjellë mesazhin e tyre. Transmetuesi shtetëror i përmbushi detyrimet ligjore dhe i kushtoi kohë falas të gjitha partive politike.

• Kolegji Zgjedhor i shqyrtoi në mënyrë të paanshme ankimet gjatë periudhës parazgjedhore, duke u dhënë atyre zgjidhje efikase në kohë.

• Për herë të parë, dispozitat e reja ligjore përcaktojnë kuota për prezantimin e grave si

kandidate dhe anëtare të komisioneve zgjedhore të nivelit të mesëm.

• Në zgjedhje morën pjesë një numër partish që përfaqësonin pakicat kombëtare. Këto parti u përfaqësuan në shumicën e koalicioneve zgjedhore.

• Funksionimi i KQZ-së në mënyrë të hapur, si edhe akreditimi i një numri të madh vëzhguesish vendorë, përfshirë vëzhguesit e partive, rriti nivelin e transparencës në këto zgjedhje.

U konstatuan edhe këto çështje shqetësuese:

• Anëtarët e KQZ-së mbajtën qëndrime të ndryshme për shumicën e çështjeve të kontestueshme. Në të shpesh u votua në bazë të përkatësisë partiake. Përfaqësuesit e dy partive kryesore në KQZ bënë shpesh deklarata politike që e rritën tensionin.

• Mosdorëzimi i informacionit të duhur për përgatitjen logjistike, si edhe moscaktimi i anëtarëve të komisioneve të nivelit më të ulët brenda afateve ligjore ndikuan në mënyrë negative në punën e KQZ-së. Kjo gjë çoi jo vetëm në ngritjen me vonesë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të Komisioneve të Qendrave të Votimit, por edhe në probleme për t'i trajnuar të gjithë anëtarët e komisioneve.

• Pati polemika pasi shumë njësi të qeverisjes vendore ose nuk caktuan hapësira publike për afishimin e posterave të fushatës, ose nuk i informuan partitë se ku gjendeshin ato.

• Ministria e Brendshme shpesh nxori shifra në dukje kontradiktore për ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit, gjë e cila e uli besimin e publikut në saktësinë e informacionit të dhënë nga qeveria duke nxitur aludimet.

• Transmetuesit që u monitoruan ishin të njëanshëm në pasqyrimin e partive kryesore dhe dhanë një pasqyrim të kufizuar të konkurrentëve të tjerë. Shumicës së organeve të medias, në mënyrë të veçantë transmetuesve televizivë, u mungoi pavarësia editoriale, si edhe transparenca në lidhje me pronësinë e tyre.

• Disa herë Bordi Monitorues i Medias (BMM) dha vlerësime që treguan mungesën e pavarësisë dhe përdori një metodologji të pamjaftueshme për të kryer detyrat e saj, ashtu siç parashikohen në Kodin Zgjedhor. Në përgjithësi, BMM-ja nuk propozoi masa kompensuese, të cilat do t'u jepnin partive "më të vogla" atë kohë transmetimi që u përket sipas Kodit Zgjedhor.

• Boshllëqe në dispozitat ligjore për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave.

• Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore.

Në përgjithësi, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe paqësore, pa raste dhune apo incidentesh të mëdha, edhe pse tensioni ishte i ndjeshëm në raste të izoluara. Vëzhguesit e MNVZ-së e vlerësuan procesin e votimit si pozitiv në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit që u vizituan. Megjithatë, ata konstatuan shkelje procedurale, përfshirë procedurat e bojës, votimin familjar shumë të përhapur, si edh hapjen me vonesë të qendrave të votimit. Mbyllja e qendrave të votimit dhe marrja e materialeve zgjedhore në qendrat e numërimit të votave u vlerësuan përgjithësisht në mënyrë pozitive. Është ende herët për të dhënë vlerësim për numërimin e votave, pasi ky proces është ende në vazhdim.

KONSTATIMET PARAPRAKE

Sfondi

Shqipëria është republikë parlamentare, pushteti legjislativ i së cilës qëndron me Kuvendin, ndërsa pushteti ekzekutiv me qeverinë e udhëhequr nga Kryeministri. Më 14 janar 2009, Presidenti Bamir Topi caktoi datën 28 qershor si datën e zgjedhjeve parlamentare. Këto ishin zgjedhjet e para që u zhvilluan sipas sistemit rajonal proporcional zgjedhor, i cili zëvendësoi sistemin e mëparshëm, i cili kishte hapur polemika. Reformat u miratuan në një klimë konsensuale ndërmjet dy partive më të mëdha politike, Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS). Shumë parti më të vogla shprehën pakënaqësinë e tyre, pasi ishin të mendimit që sistemi i ri favorizonte dy partitë e mëdha në dëm të tyre.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në korrik 2005 u fituan nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike. Zgjedhjet e fundit ishin ato vendore, të cilat u mbajtën në shkurt 2007. Vlerësimi i të dyja këtyre zgjedhjeve ishte se angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës ishin plotësuar vetëm pjesërisht.

Kuadri ligjor dhe sistemi zgjedhor

Ndryshimet kushtetuese të datës 21 prill 2008 dhe Kodi i ri Zgjedhor janë produkt i raundit më të fundit të reformave zgjedhore nisur pas zgjedhjeve të vitit 2007 për qeverinë vendore. Me adresimin e një sërë rekomandimesh ofruar nga raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it, Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës, legjislacioni në fuqi ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Këto reforma sollën përmirësime thelbësore, veçanërisht në lidhje me sistemin zgjedhor dhe regjistrimin e zgjedhësve. Megjithatë, në të ardhmen duhet të trajtohen disa dispozita të Kodit Zgjedhor për ta përmirësuar atë dhe për ta sjellë plotësisht në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës. Këtu hyjnë:

a) dispozitat, të cilat u japin disa të drejta të posaçme kryetarëve të partive politike për të kandiduar në më shumë se një zonë zgjedhore, gjë që cënon parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në ushtrimin e të drejtave të kandidimit, dhe b) disa dispozita mbi aksesin në media, reklamat politike me pagesë, si dhe dispozitat mbi financimin publik të fushatës, të cilat favorizojnë fuqishëm partitë parlamentare kryesore.

Parlamenti është një organ me një dhomë, i përbërë nga 140 anëtarë. Ndryshimet kushtetuese prezantuan një sistem zgjedhor rajonal proporcional me lista të mbyllura kandidatësh në 12 zona zgjedhore, të cilat përkojnë me qarqet administrative të Shqipërisë. Zonat zgjedhore janë të madhësive të ndryshme, me një numër mandatesh, që variojnë nga katër në Kukës deri në 32 në Tiranë, bazuar në numrin e përgjithshëm të qytetarëve regjistruar në secilën zonë zgjedhore. Kodi Zgjedhor përcakton një prag prej tre për qind të votave të hedhura për partitë politike dhe pesë për qind për koalicionet, prag që duhet arritur nga zona zgjedhore në mënyrë që një parti apo koalicion të ketë të drejtën të marrë pjesë në shpërndarjen e mandateve.

Administrimi i Zgjedhjeve

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u administruan nga një administratë zgjedhore me tre nivele, e përbërë nga KQZ-ja, 66 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), dhe 4,753 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV). Numërimi i votave u bë në 66 Qendra të Numërimit të Votave (QNV), një për secilën Zonë të Administrimit të Zgjedhjeve (ZAZ).

KQZ-ja u emërua nga Parlamenti më 2 shkurt 2009 dhe përbëhet nga shtatë anëtarë. Formula e emërimit ka për qëllim garantimin e ekuilibrit politik, por ajo çoi edhe në ndarjen e KQZ-së për çështjet të diskutueshme, siç u pa nga diskutimet e shpeshta dhe të gjata dhe vendimet e votuara sipas linjave politike. Megjithatë, përgatitjet teknike të KQZ-së për zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë. Regjistrimi i partive politike dhe kandidatëve, miratimi i një sërë udhëzimesh procedurale të nevojshme për zbatimin e Kodit Zgjedhor, si dhe emërimi i KZAZ-ve përfunduan në kohë ose me vonesa shumë të vogla.

Puna e KZAZ-ve nga ana tjetër, pati një fillim të ngadaltë. Shtatë anëtarët e KZAZ-ve u emëruan nga KQZ-ja duke përdorur një formulë të ngjashme me atë që u përdor për emërimin e KQZ-së, ku secila anë e spektrit politik kishte shumicën në gjysmën e KZAZ-ve. Shumë anëtarë të KZAZ-ve u zëvendësuan gjatë procesit me kërkesë të partive politike që i kishin propozuar ata. Kodi Zgjedhor u lejon partive që të kërkojnë zëvendësime pa asnjë justifikim. Shumica e KZAZ-ve nuk takoheshin rregullisht dhe nuk gjendeshin gjatë orarit të punës rekomanduar nga KQZ-ja.

Emërimi i KQV-ve përfundoi jashtëzakonisht vonë, vetëm dy ditë para ditës së zgjedhjeve. Katër partitë politike që duhet të propozonin shtatë anëtarët e KQV-ve (PS, PD, PR dhe PSD) nuk e respektuan afatin e 14 majit për propozimet, kurse afati përfundimtar i 8 qershorit për formimin e KQV-ve nuk u respektua në shumë vende. Shpjegimi i partive për këtë lidhej me vështirësitë për gjetjen e njerëzve të kualifikuar, si dhe me shqetësimet se anëtarët e emëruar të KQV-ve mund të korruptoheshin nga partitë konkurrente. Partitë përgjithësisht nuk i përmbushën këto përgjegjësi, ngarkuar atyre nga ligji.

Edhe qendrat e votimit u krijuan me vonesë. Ndarja ligjore e përgjegjësive midis kryetarëve të njësive të qeverive vendore, KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile të Ministrisë së Brendshme krijuan probleme koordinimi dhe përbënë arsyen kryesore të një procesi të vonuar.

Shumica e 383 kryetarëve të njësive të qeverisë vendore nuk arritën të përmbushnin detyrat e tyre për t'i siguruar KQZ-së harta të qendrave të votimit, vendndodhjen e QV-ve, dhe një ndarje të rishikuar të listave të zgjedhësve për qendër votimi, mbi bazat e të cilave, KQZ-ja duhet të përcaktonte numrin dhe vendndodhjen e qendrave të votimit. Për këtë arsye, KQZ-ja u detyrua ta bënte këtë bazuar në listat të zgjedhësve për qendra votimi, siç u morën nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Megjithatë, meqenëse shumica e vendndodhjes së qendrave të votimit ishte ruajtur nga zgjedhjet e mëparshme, kjo nuk dukët të ketë ndikuar në aftësinë e zgjedhësve për të gjetur qendrën e tyre të votimit.

U bënë përpjekje për të trajnuar komisionerët. Shumica e trajnimeve të vëzhguara janë vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit afatgjatë të MVZ-së së OSBE/ODIHR-it. Megjithatë, si pasojë e mosemërimit nga ana e partive politike të anëtarëve të KQV-ve, jo të gjithë anëtarët janë trajnuar. Kryetari i KQZ-së e deklaroi të dështuar trajnimin e KQV-ve dhe iu bëri thirrje publike partive të emëronin anëtarët. Manualët për KZAZ-të, KQV-të dhe grupet e numërimit të hartuara nga KQZ-ja, në përgjithësi përsëritnin dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe në shumë raste nuk jepnin udhëzime praktike për komisionet zgjedhore të një niveli më të ulët.

Regjistrimi dhe Identifikimi i Zgjedhësve

Gjatë viteve të fundit, Qeveria ka kryer dy reforma administrative të rëndësishme të rekomanduara nga OSBE/ODIHR-i; të dyja janë zbatuar nga Ministria e Brendshme. Reforma e parë ishte përfundimi deri në fund të vitit 2008 i bazës së të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) dhe caktimi i një numri personal identifikimi çdo shtetasi shqiptar. Reforma e dytë ishte fillimi i procesit për pajisjen e çdo shtetasi shqiptar me kartë identiteti me të dhëna biometrike. Të dyja këto reforma patën një ndikim të madh në regjistrimin e zgjedhësve dhe identifikimin e tyre. Për herë të parë në zgjedhjet në Shqipëri, lista e zgjedhësve u përgatit mbi bazën e të dhënave të RKGJC-së e cila mbahet nga DPGJC-ja. Në fillim Zyrat e Gjendjes Civile (ZGJC) përgatitën listat paraprake të zgjedhësve, të cilat u shpallën te qendrat e votimit dhe në faqen zyrtare të MB-së dhe të KQZ-së. Pas një periudhe rishikimi prej dy muajsh, gjatë të cilave kërkesat për korrigjime të bëra nga qytetarët duhet të ishin pasqyruar në bazën e të dhënave, listat përfundimtare të zgjedhësve (LPZ) u përfunduan më 29 Maj nga ZGJC-të dhe u dërguan te KZAZ-të. KQZ-ja dhe subjektet zgjedhore morën një kopje elektronike të të gjitha LPZ-ve si dhe kopje të printuara të LPZ-ve nga NJQV-të (Njësitë e Qeverisjes Vendore) duke u dhënë mundësinë partive që të kontrollojnë listat.

LPZ-të kishin 3,084,067 emra, 88,690 më pak se LZP-të. Megjithëse disa politikanë deklaruan publikisht se lista e zgjedhësve përmbante mijëra pasaktësi, numri i rasteve i rasteve të raportuara duket se nuk i mbështet këto pretendime. PS-ja kundërshtoi 8,600 emra, kryesisht regjistrime të shumëfishta dhe regjistrimin e personave me moshë më të vjetër se 110 vjeç. Drejtori i DPGJC-së konfirmoi se këto shifra ishin të sakta. Megjithatë, dispozitat ligjore dhe kufizimet e programit kompjuterik nuk mundësonin korrigjimin e LPZ-ve pas shpalljes së tyre. MB nuk njoftoi KQV-të për parregullsitë e listave të tyre të zgjedhësve. Megjithëse MB, nuk është e detyruar ligjërisht për ta bërë këtë, kjo mund të ishte një masë e besueshme për te korrigjuar këto lista.

Sipas Kodit Zgjedhor, për të votuar, zgjedhësi duhet të paraqesë një kartë identiteti të vlefshme ose një pasaportë të vlefshme. Një konsorcium ndërkombëtar fitoi tenderin për të prodhuar dhe shpërndarë kartat e identitetit në bazë të një kontrate nënshkruar me Qeverinë në tetor të vitit 2008. Prodhimi i kartave të identitetit filloi më 12 Janar, më vonë se sa ishte parashikuar dhe shumë shpejt u bë një nga çështjet më të debatueshme në lidhje me këto zgjedhje.

Nga 3.1 milion zgjedhës, afërsisht 730,000 nuk kishin pasaportë në fillim të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Me sa duket, dyshimet e para për kapacitetin për të prodhuar karta identiteti për këtë numër zgjedhësish nuk u konkretizuan. Qeveria e ka mbështetur procesin me anë të një fushate informuese, me rritjen e orëve të punës së qendrave të aplikimit si dhe me skemën e rimbursimit të tarifës së aplikimit. Gjithsej 1,402,361 shtetasish kanë aplikuar për kartë identiteti deri më 18 qershor, afati i fundit kur mund të bëhej aplikimi për të marrë kartën e identitetit para ditës së zgjedhjeve. 472,236 prej tyre nuk kane pasaportë. Numri i kartave të identitetit që janë tërhequr deri në ditën e zgjedhjeve është 1,321,376.

Procesi administrativ u pengua nga afatet kohore të kufizuara, mungesa e kapaciteteve administrative dhe mangësitë teknike. Vëzhguesit afatgjatë të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it vunë re ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe internetit, si dhe defekte dhe ndërrime të pajisjeve gjatë orëve të punës. Megjithatë, të gjitha këto probleme erdhën si pasojë e afateve kohore të kufizuara, mungesës së kohës për të trajnuar si] duhet stafin administrativ dhe përfshirjen e 383 Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat të gjitha së bashku shkaktuan të meta në administrim dhe kapacitete.

Tarifa e aplikimit prej 1,200 Lekësh (afërsisht 9 EUR), e cila u konsiderua si shumë e lartë nga ana e PS-së, u ul me anë të një skeme kompensimi dhe subvencionimi për grupe të ndryshme sociale. PS-ja pretendonte se këto mbështetje financiare jepeshin në mënyrë të përzgjedhur dhe në dëm të mbështetësve të opozitës. PS-ja gjithashtu ka pretenduar se e drejta e aplikuesve për t'u rimbursuar për koston e udhëtimit nuk është përmbushur në të gjitha rastet. Te shumë vëzhgues afatgjatë të Msionit të OSBE/ ODIHR-it janë sjellë pretendime të përfshirjes së panevojshme të aktivistëve të PD-së në proces. Raste të tilla u konfirmuan në qarkun e Vlorës e Korçës. Gjithashtu, ata kanë konfirmuar raste të shpërndarjes së kartave të identitetit mbi baza përzgjedhjeje dhe përpunimit më të shpejtë të të dhënave të aplikimit në favor të mbështetësve të PD-së, si për shembull në qarkun e Fiert dhe Durrësit. Pretendimet e tjera nuk u konfirmuan.

Në aspektin politik, mosmarrëveshja më e madhe erdhi si pasojë e dështimit të Qeverisë për të dhënë shifra të besueshme për ecurinë e procesit të aplikimit të atyre shtetasve që nuk kishin pasaportë. Kjo çështje u ndërlikua edhe më tej nga fakti se nga 730,000 shtetas që nuk kishin pasaportë të vlefshme, një numër i madh (vlerësimet variojnë nga 160,000 te 250,000) mendohet të jenë jashtë vendit, pa dokumente të vlefshme identiteti. Qeveria siguroi për KQZ-në dhe partitë politike disa lista që përmbanin informacione mbi të dhënat e shtetasve si dhe shifra për ecurinë e aplikimeve për karta identiteti dhe procesin e shpërndarjes. Por, siç duket, shifrat e kontradiktore në lidhje me këtë proces të dhëna nga MB, ulën besimin e publikut në saktësinë e informacionit të dhënë nga Qeveria, dhe kështu që nxitën shumë aludime. Një kërkesë shtesë e bërë nga PS-ja për të siguruar një listë të shtetasve që kanë pasaportë u refuzua nga qeveria, duke iu referuar rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave.

Dy kategori zgjedhësish të paktën pjesërisht humbën të drejtën e votës gjatë procesit e hartimit të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së kartave të identitetit.

Drejtuesit e burgjeve të Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, përfshinë vetëm një pjesë të të dënuarve në një qendër votimi të veçantë. Përfaqësuesit e organizatave që lobojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara thanë për MVZ-në e OSBE/ODIHR-it që shumë nga këta persona nuk mundën të aplikonin për kartë identiteti sepse nuk shkonin dot te qendrat e aplikimit.

Regjistrimi i Partive dhe Kandidatëve

Partitë politike që do garonin në zgjedhje duhet të regjistroheshin si subjekte zgjedhore në KQZ. Dy ose më shumë parti të regjistruara si subjekte zgjedhore mund të regjistroheshin në KQZ si koalicion. Partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore duhet të dorëzonin në KQZ listën e kandidatëve për ]do zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Dokumentet e regjistrimit të partive joparlamentare, të koalicioneve partitë e të cilëve kanë më pak vende në parlament sesa numri i partive që e përbëjnë, si dhe kandidatët e propozuar nga një grup zgjedhësish duhet të mbështeteshin nga firmat e zgjedhësve. Zgjedhësit duhet të depozitonin në mënyrë individuale nënshkrimet e tyre përpara KQZ-së ose noterit.

Me një proces gjithëpërfshirës, KQZ-ja miratoi listën e kandidatëve prej 34 partish si dhe kandidaturën e një kandidati të propozuar nga një grup zgjedhësish. Listat e partive për të gjitha zonat zgjedhore përfshinin 3,720 kandidatë. Tridhjetë e tri parti garuan në katër koalicionet e regjistruara dhe vetëm një parti garoi si e pavarur. Gjithashtu KQZ miratoi listën e kandidatëve të partisë joparlamentare Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar (PRPSH) e cila dorëzoi nënshkrimet mbështetëse. KQZ e shpalli të pavlefshëm vendimin e saj dhe e hoqi PRPSH-në nga fleta e votimit, pasi u zbulua që deklarata noteriale që certifikonte nënshkrimet ishte e falsifikuar.

Klima Zgjedhore

Zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis politik shumë të polarizuar. Shumë nga partitë e opozitës shprehën mosbesim të thellë ndaj autoriteteve shtetërore dhe administratës zgjedhore. Partitë e vogla shprehën shpesh pakënaqësi ndaj Kodit Zgjedhor, për shkak të dhënies së një roli dominues PD-së dhe PS-së në administrimin e zgjedhjeve. Gjatë fushatës pati shumë debate në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit, ku përfshihen edhe pretendime se zgjedhjet do të ishin të pavlefshme nëse një numër i konsiderueshëm zgjedhësish do të mbetej pa kartë identiteti, pra pa pasur mundësi për të votuar, si dhe akuza që Qeveria ka dhënë shifra të rreme për shpërndarjen e kartave të identitetit.

Fushata zgjedhore filloi më 28 Maj. Në përgjithësi atmosfera zgjedhore ishte e qetë, pavarësisht disa incidenteve të dhunshme, sidomos në qarkun e Korçës.

Të gjitha partitë mundën të bënin fushatë nëpër të gjithë vendin. Politikanët më të rëndësishëm politikë kanë udhëtuar shumë duke mbajtur mitingje nëpër të gjithë vendin. Zyra lokale zgjedhore u hapën në të gjithë vendin, megjithëse zhvillimi i fushatës ishte i kufizuar në disa zona. PD-ja dhe PS-ja kanë bërë fushatat më të mëdha. Në disa raste, gjatë fushatës ka pasur përdorim të akuzave dhe fjalëve të ashpra kundër kundërshtarëve politikë. PD-ja dhe PS-ja ngritën pretendime për korrupsion kundër kryetarëve të njëra-tjetrës.

Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it i kanë ardhur shumë pretendime për presion nga shumë qarqe, ku përfshihen kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik se do të hiqeshin nga puna nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së ose nëse shkonin te aktivitetet e opozitës.

Veprime të tilla bien me kundërshtim me paragrafin 7.7 të të Dokumentit të Kopenhagen për OSBE-në. Disa nga këto pretendime u cilësuan si të besueshme, për shembull:

• Punonjësve të bashkisë së Peqinit (qarku i Elbasanit) u është kërkuar nga drejtuesit e tyre të marrin pjesë në një miting të PD-së me 9 qershor.

• Në një shkollë në qarkun e Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar se mësuesit do të

hiqeshin nga puna nëse nuk votonin për PD-në. Ai u kërkoi mësuesve të fotografonin fletët e tyre të votimit.

• Në qarkun e Fierit, një punonjës i sektorit publik që mori pjesë në një aktivitet me një zyrtar të lartë të PS-së u kërcënua se do hiqej nga puna.

• Një punonjës i sektorit publik në Kavajë (qarku i Tiranës) u paralajmërua së vendi i tij i

punës do rrezikohej nëse ai do të përfshihej shumë hapur me Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.

• Studentëve të universitetit u është bërë presion se do ngelnin në provime nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së.

Qeveria ka përdorur aktivitetet zyrtare për qëllime fushate në mënyrë të përsëritshme, duke zbehur dallimin mes aktiviteteve shtetërore dhe atyre të fushatës, gjë që është në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së. Inaugurimet e projekteve infrastrukturore, të bëra nga Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PD-së, kanë qenë shumë të shpeshta gjatë periudhës parazgjedhore, edhe në ditët shumë pranë ditës së zgjedhjeve.

Në to merrnin pjesë turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamujt e PD-së, vendoseshin materiale zgjedhore dhe mbaheshin fjalime me karate të qartë zgjedhor. Në disa raste, ka pasur pretendime se këto inaugurime ishin të sajuara. Për shembull, materniteti i rikonstruktuar në Durrës, i cili u i përurua nga Kryeministri, u zbulua pak më vonë se nuk ishte funksional.

Misionit Ndërkombëtar

për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i kanë ardhur një sërë pretendimesh se disa shkolla mbylleshin që nxënësit të mund të merrnin pjesë në këto inaugurime dhe në aktivitetet e fushatës së PD-së; disa nga këto pretendime u vërtetuan.

Punonjësve të bashkisë dhe mësuesve iu kërkua të merrnin pjesë në inagurimin nga Kryeministri të një hidrocentrali në Bushat (qarku Shkodër) më datë 23 Maj.

Gjithashtu, Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përdorur aktivitetet zyrtare për të bërë fushatë për PS-në. Në mënyrë të veçantë, në aktivitetin e organizuar nga Qyteti i Tiranës me datë 21 Qershor me rastin e Ditës Botërore të Muzikës, në skenë ishte shumë i dukshëm numri "33", që është numri i PS-së në fletën e votimit.

Pretendime ka patur në lidhje më abuzimin që PD-ja ka bërë me burimet administrative si makinat dhe ndërtesat zyrtare, si dhe përfshirjen e punonjësve të sektorit publik për qëllime fushate, çka është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Në tri raste, në Shijak (qarku Durrës), dhe në qytetet e Elbasanit dhe Korcës, vëzhguesit afatgjatë të MNVZ-së kanë parë kamiona të kompanisë OSSH, sektori i privatizuar i kompanisë shtetërore energjetike së shpërndarjes së energjisë elektrike KESH, duke vendosur flamuj të PD-së. Në Shijak, OSSH-ja se kamioni u ishte dhënë me qera organeve të pushtetit vendor për të kryer shërbime mirëmbajtjeje dhe për raste emergjence. Në Elbasan, ftesat e Kryetares së Kuvendit, për takimin e zhvilluar me gratë me 12 qershor, u shpërndanë nga punonjësit e zyrës së postës të Elbasanit.

Gjithashtu, ka patur përplasje për vendosjen e posterave dhe parullave në disa qarqe. Autoritetet vendore duhej të caktonin hapësira publike për posterat politikë ose tu tregonin subjekteve politike këto hapësira, por jo gjithmonë e kanë bërë këtë. Në disa raste kjo shkaktoi heqjen e posterave dhe përplasje të dhunshme.

Incidenti më i rëndë ndodhi me 12 qershor, kur gjatë një mosmarrëveshjeje në lidhje me vënien e posterave u vra nga aktivisti i PS-së një aktivist i PD-së në fshatin Qerret afër Durrësit. Të dyja partitë bënë thirrje për qetësi dhe e minimizuan aspektin politik të incidentit. Edhe stendat dhe tendat e fushatës shkaktuan debate. Me 21 Maj një tendë e G99 në Kamëz (qarku i Tiranës) u dëmtua nga oficerët e policisë dhe më 4 qershor kryetari Minibashkisë no.6 në Tiranë hoqi një tendë të PS-së. Kryetari i Bashkisë Shkodër përdori një metodë kufizuese bazuar te Ligji i Urbanistikës, i cili nuk është i zbatueshëm në këtë rast; një stendë e G99-s u hoq nga policia bashkiake dhe G99 u gjobit. Është raportuar se edhe dy stenda të tjera të G99-s janë hequr në qarkun e Shkodrës.

Media

Hapësira e gjerë mediatike dhe numri i madh i mediave u dha mundësinë partive t'u drejtoheshin votuesve dhe u ofruan atyre një gamë të gjerë këndvështrimesh. Megjithatë, ekziston shqetësim për mungesën e pavarësisë editoriale në shumicën e mediave, shkaktuar nga mungesa e transparencës në lidhje me pronësinë e tyre. Interesat partiake dhe të biznesit të pronarëve të televizioneve e kufizojnë nivelin e kritikave dhe vënë në rrezik detyrimin e mediave për të ruajtur pluralizmin e brendshëm dhe paanësinë në programet informuese. Mungesa e kulturës së vetë-rregullimit dhe situata e punësimit të pambrojtur te shumë gazetarë kontribuon në kontrollimin ose dominimin e transmetimeve nga interesat partiake apo të bizneseve.

Kodi Zgjedhor përmban rregulla të detajuara për pasqyrimin e fushatës në edicionet e lajmeve të operatorëve mediatikë privatë dhe publikë. Ai parashikon dhënien e kohës falas për partitë politike në radion dhe televizionin publik dhe kufizon sasinë e kohës me pagesë që mund të blihet nga subjektet politike në transmetuesit privatë. Bordi i Monitorimit të Medias (BMM), i ngritur nga KQZ-ja dhe që është organi kryesor për monitorimin e mediave radiofonike dhe televizive gjatë fushatës, për kryerjen e detyrave të tij, mbështetet te kapacitetet teknike të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT). Njësia monitoruese e KKRT-së llogarit vetëm të dhënat sasiore, pra shifrat për sasinë e kohës që u jepet subjekteve politike, por jo cilësinë, pra tonin e pasqyrimit.

Kjo mangësi metodologjike nuk bën të mundur të përcaktohet nëse transmetuesit i përmbahen detyrimit të tyre ligjor të paraqitjes së një "pluralizmi informacioni".

Kodi Zgjedhor përcakton se koha e caktuar për mbulimin e veprimtarive qeveritare që kanë lidhje me fushatën zgjedhore duhet të përfshihet në kohën e partisë të cilës i përket kreu i institucionit që organizon veprimtarinë. Si pasojë e mungesës së përkufizimit në Kodin Zgjedhor, vlerësimi se cilat veprimtari qeveritare janë të lidhura me fushatën mbetet në dorën e anëtarëve të BMM-së. Rastet kur Kryeministri fitonte avantazh duke bërë fushatë në funksionin e tij institucional u debatuan brenda BMM-së. Katër anëtarët e BMM-së të caktuar nga anëtarët e KQZ-së të emëruar nga shumica parlamentare i cilësuan ato si aktivitete institucionale, tre anëtarët e tjerë si të lidhura me fushatën. Ky vlerësim solli deklarata të ndara në raportet e BMM-së dhe tregoi mungesë pavarësie të anëtarëve nga interesat partiake.

Vlerësimi i ndryshëm nëse veprimtaritë ishin institucionale apo të lidhura me fushatën pati një ndikim të dukshëm në barazinë e sasisë së kohës televizive që iu caktua pasqyrimit të fushatës së PD-së dhe PS-së, dhe për pasojë edhe në sasinë e kohës së përgjithshme të transmetimit që duhet t'u jepej partive parlamentare "të vogla". Megjithëse në raportin që mbulonte periudhën deri në 21 qershor, BMM-ja shprehej se një numër i madh transmetuesish nuk arriti t'u jepte partive "të vogla" sasinë e kohës televizive që u takonte sipas Kodit Zgjedhor, bordi nuk i propozoi KQZ-së marrjen e masave konkrete ndëshkuese. Kodi Zgjedhor parashikon gjobitjen e transmetuesve privatë në rast shkeljeje të dispozitave ligjore. Në vend të saj, u miratuan masa për kompensim me anë të kohës shtesë për LSI-në dhe PSD-në, duke qenë se vetëm këto dy parti kishin bërë kërkesa për një gjë të tillë. Fakti që KQZ-ja miratoi edhe sasi të konsiderueshme kohe transmetimi për të kompensuar PD-në dhe PS-në në disa nga kanalet kryesore, e bëri të pamundur që transmetuesit televizivë të sistemonin kohën në mënyrë të atillë që partitë e "vogla" të merrnin pasqyrimin që u takonte.

Një numër i madh i mediave elektronike dhe atyre të shkruara u caktuan partive politike hapësirën për ta përcjellë mesazhin e tyre te votuesit. Monitorimi i medias nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për periudhën nga fillimi i fushatës zyrtare më 28 maj deri më 26 qershor, tregoi më tepër ekuilibër në pasqyrimin sasior të dy partive "të mëdha" se sa në periudhën para fillimit të fushatës zyrtare. Televizioni publik TVSH i caktoi 45% të kohës PD-së dhe 25% PS-së. PD-së iu dha 37% dhe PS-së 28% të pasqyrimit në Vizion Plus. TV Klan i kushtoi 56% të kohës televizive PD-së dhe 30% PS-së. Dy nga pesë televizionet e monitoruara i caktuan PD-së dhe PS-së sasi pak a shumë të barabarta të kohës televizive. News 24 i dha 38% të pasqyrimit PD-së dhe 37% PS-së, kurse Top Channel i kushtoi 30% PD-së dhe 35% PS-së. Megjithëse u caktuan dy partive "të mëdha" kohë pak a shumë të barabartë televizive, News 24 dhe Top Channel vazhduan të tregonin njëanshmëri në favor të PS-së, për sa i përket tonit të pasqyrimit. Vizion Plus tregoi qëndrim negativ ndaj PD-së, ndërsa shumica e pasqyrimit të PD-së dhe PS-së në televizionin publik dhe në TV Klan kishte ton pozitiv. Njëanshmëria e treguar nga shumica e televizioneve të monitoruara, si në aspektin cilësor, ashtu edhe sasior të pasqyrimit, tregon një mungesë të theksuar të pavarësisë editoriale. Gazetarët e

punësuar nga të gjitha kanalet e monitoruara na informuan se pasqyrimi i fushatës përfundon shpesh në filmime e komente të bëra e të sjella nga partitë politike.

Pjesëmarrja e Grave

Roli i grave në jetën politike shqiptare mbetet i kufizuar. Nga 140 deputetët e Parlamentit që po i mbaron mandati, vetëm dhjetë ishin gra (7%), përfshirë edhe Kryetaren e Parlamentit. Duke filluar nga viti 2006, disa masa janë marrë në kontekstin e gjerë të reformave ligjore që ndikojnë në përgjithësi statusin e grave në Shqipëri.

Kodi Zgjedhor përcakton që listat e partive për secilën zonë zgjedhore duhet ose të përmbajnë 30% nga secila gjini, ose të paktën një nga tre kandidatët e parë në listë të ishin nga secila gjini. Pra, teorikisht, partitë me 30% gra të vendosura të gjitha në fund të listave do të ishin brenda rregullave. Ligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë kufi për numrin e kandidatëve që mund të vendosen në listë, në varësi të numrit të përgjithshëm të mandateve të zonës përkatëse. Në disa raste, partitë listat e të cilave duhet të ktheheshin për korrigjime pasi nuk i përmbushnin kërkesat gjinore, vetëm sa shtuan gra në fund të listës, duke e kaluar numrin e mandateve që mund të fitoheshin në zgjedhje. Megjithëse KQZ-ja vendosi që lista të tilla ishin në përputhje me Kodin, plotësimi i kritereve në atë formë ishte në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e dispozitave ligjore që nxisnin pjesëmarrjen e grave. Për këto zgjedhje, 61% e listave u miratuan pa mundësinë e 30 përqindëshit, 19% u miratuan pa mundësinë e tri vendeve të para, ndërsa 43% i përmbushën të dyja kriteret. Listat e tri zonave u regjistruan pa përmbushur asnjërin nga kriteret.

Kodi përmban gjithashtu dispozita që sigurojnë si pjesëmarrjen e grave, ashtu edhe të burrave në KZAZ. Kushti që çdo gjini të përfaqësohet me të paktën 30% të komisionerëve të emëruar në rang vendi nga partitë më të mëdha të shumicës parlamentare dhe opozitës nuk u respektua nga PS-ja deri më 18 qershor. KQZ-ja informoi Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it se i pranoi fillimisht anëtarët e emëruar pavarësisht nga ky fakt, për shkak të afatit për ngritjen e KZAZ-ve.

Pjesëmarrja e Minoriteteve Kombëtare

Kushtetuta u garanton Minoriteteve Kombëtare të drejta të plota. Megjithëse nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme zyrtare mbi minoritetet në Shqipëri, pranohet gjerësisht që më të mëdhenjtë janë minoriteti grek dhe rom. Minoritete më të vogla përfshijnë etnitë maqedonase, bullgare, serbe, malazeze, boshnjake dhe vlleh. Disa nga partitë politike kanë në qendër të vëmendjes komunitetet minoritare. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut përfaqëson votuesit grekë. Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (pjesë e Aleancës Socialiste për Integrim u drejtohet minoriteteve në përgjithësi. Aleanca Maqedonase për Integrim Europian është pjesë e koalicionit Aleanca për Ndryshim, e udhëhequr nga PD-ja. Edhe Partia Toleranca e Re, që mbron interesat e Romëve dhe Egjiptianëve, është pjesë e Aleancës Socialist për Integrim.

Për komunitetin rom u ngritën një sërë çështjesh në lidhje me zgjedhjet. Për të lehtësuar pajisjen me karta të romëve, më 15 prill Qeveria vendosi që ata mund të aplikonin pa pagesë. Zbatimi i këtij vendimi ishte kontradiktor dhe i vështirë në praktikë, për shkak të faktit se dokumentet zyrtare nuk i identifikojnë romët si të tillë. MNVZ-së i erdhën aludime të shumta për blerje votash në komunitetet rome, që u parashtruan edhe nga anëtarë të komunitetit rom, dhe një rast i ngjashëm u vu re edhe në Lezhë.

Ankesat dhe kërkesëpaditë

KQZ-ja shqyrton dhe zgjidh ankesat dhe shqyrton kërkesat për rishikim të vendimeve të KZAZ-ve.

KQZ-ja gjithashtu vendos për kërkesat për rishikim të vendimeve të saj në lidhje me miratimin e përllogaritjes së rezultateve të zgjedhjeve për secilën zonë dhe për kërkesat për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve. Të gjitha vendimet e KQZ-së mund të apelohen, brenda pesë ditësh, në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Të drejtën për ankimim ose për të bërë kërkesëpadi e kanë vetëm subjektet zgjedhore (partitë, koalicionet ose kandidatët e regjistruar nga KQZ-ja për zgjedhje), individët ose partitë të cilave u është mohuar regjistrimi si subjekte zgjedhore, dhe subjektet të cilëve u është mohuar akreditimi si vëzhgues. Votuesit individualë nuk kanë mundësi ankimimi ligjor në rast të shkeljes së të drejtave të tyre zgjedhore, përveç kërkimit të përfshirjes së tyre në Listën Përfundimtare të Votuesve.

Pavarësisht nga disa aludime për shkelje të rregullave të fushatës, subjektet zgjedhore zgjodhën të mos ta përdornin shumë mundësinë për ankimim, dhe në KQZ nuk u bë asnjë ankesë. Gjatë periudhës parazgjedhore, në KQZ u bënë tri kërkesa për rishikim vendimi të dy KZAZ-ve në zonën e Shkodrës, që nuk pranonin të akreditonin vëzhguesit e koalicionit Poli i Lirisë dhe atij të Aleancës Socialiste për Integrim. KQZ-ja i shfuqizoi vendimet e e KZAZ-ve dhe pranoi kërkesat e subjekteve zgjedhore për akreditim.

Shtatë kërkesa për rishikim vendimesh të KQZ-së u bënë në Kolegjin Zgjedhor para ditës së zgjedhjeve. Dy prej tyre u hodhën poshtë për arsye procedurale. Vendimet e KQZ-së që u ankimuan kishin të bënin me ngritjen e VNV-ve në ndërtesa private (dy ankimime), me përcaktimin e partive që kishin të drejtë të merrnin pjesë në shortin për caktimin e e anëtarit të tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit, si dhe me miratimin e listave të kandidatëve për Partinë Agrare Ambjentaliste. Kolegji Zgjedhor la në fuqi dy vendime të KQZ-së dhe hodhi poshtë dy, njërin plotësisht, tjetrin pjesërisht. Në përgjithësi, Kolegji Zgjedhor i gjykoi kërkesëpaditë e sjella para tij në mënyrë të paanshme, duke u bërë kështu një korrigjues i efektshëm dhe i përshtatshëm gjatë periudhës parazgjedhore. Ai gjithashtu u ofroi të gjitha partive mundësi të barabarta për të paraqitur çështjet e tyre. Megjithatë, Kolegji nuk arriti t'i përmbahej dispozitës së Kodit Zgjedhor që e detyron të paraqesë të dhëna me shkrim, ku përshkruhen provat dhe arsyet mbi të cilat mbështeten vendimet e tij, brenda tri ditësh nga dita e marrjes së vendimit.

Vëzhguesit Vendas

Kodi Zgjedhor përcakton rregullat për vëzhguesit vendas dhe të huaj, në përputhje me angazhimet ndaj OSBE-së. Vëzhguesit e zgjedhjeve akreditohen nga KQZ-ja. Për shkak të numrit të vëzhguesve të partive, që pritej të ishte i lartë, KQZ-ja u delegoi KZAZ-ve, në përputhje me Kodin, përgjegjësinë për të regjistruar vëzhguesit partiakë. KQZ-ja akreditoi 4537 vëzhgues nga 16 organizata vendase. Nisma më e madhe për vëzhgimin e zgjedhjeve u ndërmor nga Shoqëria për Kulturë Demokratike, që organizoi mbi 2300 vëzhgues. Ish krerët e disa OJQ-ve u përfshinë në zgjedhje, edhe në funksionin e kandidatëve ne dy raste të bujshme. Kjo ngriti dyshime për paanësinë e organizatave. Dy OJQ shqiptare, ECA dhe KRIIK-Albania, kryen llogaritjen paralele të rezultateve në të 66 VNV-të.

Dita e Zgjedhjeve

Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, pa incidente të rëndësishme apo dhunë. Sipas KQZ-së, përveç gjashtë qendrave të votimit, të gjitha të tjerat u hapën. Dy të tretat e qendrave të votimit, ku u vëzhgua hapja, u hapën me vonesë dhe disave prej tyre iu desh të anulonin votimin gjatë ditës. KQZ-ja filloi të shpallte rezultatet paraprake natën e zgjedhjeve pas mbërritjes së tyre nga QNV-të dhe i vendosën ato në faqen e tyre të internetit, deri në nivel qendrash votimi.

Gjatë hapjes së qendrave të votimit, vëzhguesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve konstatuan fillimin e vonuar të procedurave të votimit, si edhe materialet e paplota zgjedhore, duke përfshirë raste, ku mungonte boja matrikuluese, ose ku kutitë e bojës për vulosjen e fletëve të votimit ishin tharë. Gjithashtu, ata raportuan probleme me regjistrimin e numrave të serisë të vulave të kutive të votimit, si dhe me depozitimin e Procesverbalin e Vulave në kutitë e votimit. Këto probleme bënë që shumë vëzhgues të MNVZ-së të jepnin një vlerësim kritik të procesit të hapjes.

Vëzhguesit e MNVZ-së e vlerësuan procesin e votimit si të mirë ose si shumë të mirë në 93 për qind të qendrave të vizituara të votimit. Vlerësimi i përgjithshëm ishte më pozitiv në zonat urbane sesa në ato rurale. Puna e KQV-ve dhe njohja prej tyre e procedurave u vlerësua pozitivisht në shumicën e vizituara të qendrave të votimit, por vëzhguesit e MNVZ-së konstatuan gjithashtu se KQV-të në disa raste nuk i njihnin mjaftueshëm procedurat. Në disa qendra votimi shihej tension, i shkaktuar ndonjëherë nga aktivistë partiakë. Vëzhguesit e MNVZ-së raportuan gjithashtu edhe raste të zhvillimit të fushatave në qendra votimi ose në afërsi të tyre.

Vëzhguesit e VNMZ-së konstatuan një sërë shkeljesh procedurale. Në mënyrë të veçantë ishin procedurat e shënjimit me bojë ato që nuk respektoheshin gjithmonë: në 29 për qind të qendrave të vizituara të votimit u pa se jo të gjithë zgjedhësit kontrolloheshin nëse ishin shënjuar me bojë, kurse në 10 për qind ata nuk shënjonin gjithmonë me bojë, një element i rëndësishëm që garanton parandalimin e votimit të shumëfishtë të mundshëm. Vëzhguesit e MNVZ-së raportuan shtatë raste, ku zgjedhës që kishin shenja boje u lejuan të votonin. Në 9 për qind të qendrave të vizituara të votimit, nuk sigurohej fshehtësia e votës, kryesisht për shkak të mosplanifikimit të mirë të hapësirës, kufizimeve të saj, apo numrit të madh të njerëzve në to. Raste të votimit familjar u raportuan nga 19 të qendrave të vizituara të votimit, duke dëmtuar kështu fshehtësinë e votës. Probleme të tjera të vërejtura përfshijnë: votimin në emër të personave të tjerë (3 për qind), përpjekje për të ndikuar tek votuesit (4 për qind), raste ku i njëjti person "ndihmonte" më shumë se një votues (4 për qind), presion mbi zyrtarë të zgjedhjeve dhe zgjedhës (1 për qind), dhe firma që dukeshin identike në listat e zgjedhësve (4 për qind). Në disa raste të izoluara, listat e zgjedhësve të qendrave të votimit nuk ishin të plota, gjë që mund të ketë bërë që disa zgjedhës të humbnin të drejtën e votës. Me shumë pak përjashtime, kutitë e votimit ishin vulosur siç duhet, kurse në 14 për qind të qendrave të vizituara të votimit, numrat e serisë të vulave nuk ishin regjistruar në procesverbalin e mbledhjeve të KQV-së. Në 3 për qind të qendrave të votimit u vunë re persona të paautorizuar, të cilët u panë duke ndërhyrë ose duke orientuar procesin në nëntë raste.

Vëzhguesit e partive politike ishin të pranishëm në 95% të qendrave të votimit që u vizituan nga vëzhguesit e MNVZ-së, ndërsa vëzhguesit jopartiakë në 26% të tyre. Në qendrat e votimit që u vizituan nga Misioni, gratë përbënin vetëm 16% të anëtarëve të KQV-ve dhe 14% të kryetarëve të KQV-ve.

Pas zbulimit se komisionerët dhe aktivistët e PS-së kishin me vete mikrokamera të fshehura në stilolapsa dhe llamba fluoreshente, KQZ-ja bëri një deklaratë ku u shpreh se përdorimi i këtyre objekteve brenda qendrave të votimit ishte i kundraligjshëm dhe do të bëhej objekt ndjekjeje penale.

Procedurat e mbylljes së votimit u vlerësuan si përgjithësisht pozitive nga vëzhguesit e MNVZ-së, por disa prej tyre vunë re ngadalësim të procesit si pasojë e mungesës në dukje të trajnimit. Ata gjithashtu raportuan probleme procedurale dhe raste të shpeshta kur vëzhguesve partiakë nuk iu dhanë kopje të Procesverbalit të Mbylljes.

Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it u hap në Tiranë në 8 maj me 12 ekspertë në kryeqytet dhe 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Asambleja Parlamentare e OSBE-së (OSBE PA) zhvilloi vizita parazgjedhore më 15 maj dhe 8-9 qershor, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) zhvilloi një vizitë parazgjedhore më 4-5 qershor 2009. Ditën e zgjedhjeve, 395 vëzhgues u organizuan nga një Mision Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MNVZ), ku përfshihej një delegacion me 36 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, një delegacion me 22 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe një delegacion me 5 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s (NATO PA). Vëzhguesit vinin nga 38 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. MNVZ-ja vëzhgoi votimin në mbi 1,375 qendra votimi nga 4,753 gjithsej dhe numërimin në të 66 Vendet e Numërimit të Votave.

Z. Ëolfgang Grossruck (Austri), Zëvendëspresident i dhe Kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, u caktua nga Kryetari i Radhës i OSBE-së si Koordinator Special për drejtimin e misionit vëzhgues të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së. Znj.Corien Jonker (Holandë) kryesoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe z. Bruce George (Britania e Madhe) kryesoi misionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ambasadorja Audrey Glover (Britania e Madhe) është Kreu i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it.

MNVZ-ja dëshiron të falënderojë autoritetet e Republikës së Shqipërisë për ftesën për të vëzhguar zgjedhjet, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin dhe përgatitjen e dokumenteve të akreditimit, dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme e autoritetet e tjera për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre. MNVZ-ja dëshiron gjithashtu t'i shprehë mirënjohjen Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për bashkëpunimin dhe mbështetjen.

FUNDÂ

KOMENTE