Korçë, 1 korrik, NOA - Forcat e policisë së Korçës kanë arrestuar në flagrancë 70-vjeçarin Ramadan Qyrdeti, banor në fshatin Beçisht të Tepelenës, i dënuar më parë për veprën penale të "Prishjes së rendit dhe qetësisë publike".
Burimet policore bëjnë të ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se ky veprim është kryer pas mbërritjes së informacionit përmes telefonatave nga disa qytetarë se ai po qëllon me armë zjarri në drejtime të ndryshme duke vënë në rrezik jetën e banorëve të fshatit Beçisht.
Menjëherë në këtë fshat kanë shkuar forca të shumta policie ku kanë bërë rrethimin e vendit dhe pas disa minutash negociatash është bërë e mundur bllokimi i armës së zjarrit .
Nga kontrolli i banesës, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatike, 4 krehëra automatike të mbushura me fishekë, një thikë si dhe 190 fishekë model 56 edhe 25 gëzhoja.
Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet hetimore paraprake dhe materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme mbi veprat penale "Prodhim dhe mbajtie pa leje të të armëve luftarake' si dhe "Prishje e rendit dhe qetësisë publike', parashikuar nga nenet 278/2 dhe 274 të Kodit Penal.
n.e/NOA