Tiranë, 1 Korrik NOA - Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se kabineti qeveritar do të vazhdojë me intensitet punën për reformat në vend, deri në krijimin e qeverisë së re.
Duke shpjeguar rrugën kushtetuese në vijim për krijimin e qeverisë së re, Berisha evidentoi faktin se qytetari është i interesuar për qeverinë e re dhe kjo është normale, pasi zhvilluam zgjedhje dhe ato prodhojnë qeverinë e re.
"Natyrisht, koalicioni ynë u certifikua. Qeveria e re mund të krijohet sapo të shpallet rezultati, por kjo nuk do të ndodhë, sepse kemi një përcaktim kushtetues. Përcaktimi kushtetues është i tillë që, pasi Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin, ai, brenda 10 ditëve, duhet t'i paraqesë programin parlamentit të vendit. Ky është një obligim kushtetues. Mirëpo, kjo gjë nuk mund të ndodhë para konstituimit të parlamentit të ri", - pohoi Berisha.
Ai theksoi se programi i qeverisë së re do t'i paraqitet parlamentit që doli nga këto zgjedhje për miratim. Kushtetuta e ka të përcaktuar se parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i parlamentit tjetër, ndërkohë që parlamentit tjetër, mandati i skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, rreth 3 ose 4 shtator".
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga ministrat që qeveria aktuale të vazhdojë të funksionojë.
"Unë nuk ka ndërmend të përdor variantin e ecjes së punës me zëvendësministrat, një praktikë kjo sporadike. Jo. Unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat deri ditën e krijimit të qeverisë së re. Ndaj dhe unë, ju ftoj ju, zotërinj ministra - natyrisht koalicioni do të zgjerohet - por ju ftoj ju zotërinj ministra, që, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, me administratën, të intensifikojmë të gjitha përpjekjet", - theksoi Berisha.
"Në rast se ndonjë detyrë, - vazhdoi ai, - e cila mund të ketë pësuar ndonjë shtytje, shmangie, për shkak të fushatës zgjedhore, ajo le të vendoset në axhendë dhe të funksionojmë normalisht".
Duke theksuar se integrimi europian është çështja më kryesore e katër viteve që vijnë, Kryeministri solli në vëmendje detyrat e lëna nga Komisioni Europian në raportin e vjetshëm.
"Është punuar me seriozitetin më të madh në këto detyra. Por, zonja ministre e Integrimit Bregu, duhet bërë një rivlerësim i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ky raport dhe gjatë verës do të punohet me intensitetin më të madh, në mënyrë që çdo detyrim që rrjedh nga raporti i Komisionit Europian, të përmbushet, si interesi më i mirë i këtij vendi", vijoi Kryeministri.
Berisha tha se ka edhe reforma të tjera të cilat duhet të vazhdojnë. Kurse sqaroi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe nuk mund të miratohen ligje, deri sa të konstituohet parlamenti i ri.
Por paralajmëroi se qeveria do të vazhdojë punën e saj dhe këto ligje do të dërgohen në parlament dhe parlamenti i ri i do të gjejë një vëllim të konsiderueshëm pune që në fillim të tij.
"Le të vazhdojmë reformat, veçanërisht me përqendrim total në detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila tashmë është në fuqi, sepse është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare dhe ajo përbën "road mape" tonë, programin tonë, aq më tepër kur integrimi është çështja më kryesore e katër viteve që vijnë", theksoi Kryeministri në mbyllje të fjalës së tij.
/k.k/e.l/NOA/
Â