English

Sali Berisha shpall fitoren e koalicionit të tij, në zgjedhjet e 28 Qershorit

Tiranë, 1 Korrik NOA Updated - Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministër i vendit, ka shpallur sot publikisht se koalicioni i djathtë që ai drejton, ka fituar zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Për të bërë këtë deklaratë, në prag të mbylljes së procesit të numërimit të votave, Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

"Unë e shfrytëzoj këtë mbledhje që, në emër të qeverisë, të shpreh edhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë ndaj mbi 1 milionë e 500 mijë zgjedhësve shqiptarë që nderuan në radhë të parë besimin e tyre, veten e tyre, por nderuan edhe vendin dhe shoqërinë shqiptar, me pjesëmarrjen e tyre, më të lartën në 13 vitet e fundit, në zgjedhje të përgjithshme", - tha Berisha.

Më tej, ai shtoi: "Qytetarët duhet ta dinë se zgjedhjet kanë përfunduar. Rezultati nuk është akoma përfundimtar, por së shpejti do të bëhet publik. Është fakt i pamohueshëm që në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë vlerësuan dhe votëbesuan mazhorancën dhe reformat e saj".

Këtu Berisha shtoi se rezultati nuk është i shpallur ndaj theksoi se do të presë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Duke përforcuar shpalljen e fitores së koalicionit të tij, Berisha tha se "koalicioni ynë u certifikua".

Dhe vijoi: "Qeveria e re mund të krijohet sapo të shpallet rezultati, por kjo nuk do të ndodhë, sepse kemi një përcaktim kushtetues".

Përcaktimi kushtetues është i tillë që, pasi Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin, ai, brenda 10 ditëve duhet t'i paraqesë programin parlamentit të vendit. Ky është një obligim kushtetues.

Mirëpo, kjo gjë nuk mund të ndodhë para konstituimit të parlamentit të ri.

Ndaj Berisha tha se programi i qeverisë së re do t'i paraqitet parlamentit që doli nga këto zgjedhje për miratim.

Kushtetuta e ka të përcaktuar se parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i parlamentit tjetër, ndërkohë që mandati i parlamentit tjetër skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, nga data 3 ose 4 shtator.

Në këtë kontekst, Berisha lëshoi një thirrje ndaj kabinetit qeveritar që ai drejton: "Thirrja ime për ju është që të funksionojmë si qeveri. Unë nuk kam ndërmend të përdor variantin e ecjes së punës me zëvendësministrat, një praktikë kjo sporadike. Jo. Unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat deri ditën e krijimit të qeverisë së re", - paralajmëroi Berisha.

/k.k/e.l/NOA/

Â

KOMENTE