Traktati i Lisbonës synon t'i ndryshojë procedurat në vendimmarrje dhe për të emëruar një president të përhershëm të Këshillit Evropian, por për ta fuqizuar atë, duhet që të 27 vendet anëtare ta ratifikojnë
Â
Stephen Castle
Â
Herën e fundit që Suedia kryesoi Bashkimin Evropian, ishte periudhë kryesisht e qetë dhe mbase do të mbahet në mend vetëm për trazirat që shënuan samitin e Gotenburgut.
Por, kësaj radhe, ndërkohë që marrin kryesinë e bllokut të mërkurën, liderët suedezë do të mund të ndjejnë nostalgji për ato ditët e mërzitshme të vitit 2001. Presidenca suedeze kësaj radhe do të jetë thelbësore për Bashkimin Evropian, me shumë çështje të ndjeshme, duke filluar nga fati i Traktatit të Lisbonës, një kartë e re e propozuar në Bashkimin Evropian, për të cilën shumë liderë thonë se është thelbësore për kontinentin nëse synon të shtojë ndikimin në skenën ndërkombëtare. Me ekonomi në stagnim, suedezët do të përballen me rezistencë në përpjekjet për të vendosur rend në financat e dërrmuara publike të këtij blloku, pastaj është edhe çështja e ndryshimeve klimatike dhe fakti nëse Evropa mund të imponojë një konsensus përpara bisedimeve globale që do të mbahen në dhjetor. Është edhe një gamë sfidash të politikës ndërkombëtare përballë Bashkimit Evropian, duke filluar nga kriza e mundshme mbi gazsjellësit rusë e deri tek tensionet e reja në Iran. "Duhet të përgatiteni për atë që nuk mund ta parashikoni", ka thënë Fredrik Reinfelt, kryeministri suedez, duke i bërë një përmbledhje natyrës së pamenaxhuar të detyrave me të cilat do të përballet. Mbi të gjitha është ndjesia e pasigurisë që është krijuar për shkak të referendumit në muajin tetor, kur Irlanda voton për herë të dytë mbi Traktatin e Lisbonës. Tomas Klau, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se Traktati i Lisbonës "është çështja më e madhe për suedezët dhe ata nuk kanë asnjë mundësi për të ditur se si do të përfundojë ky proces". "Një diplomat suedez më ka thënë ‘suedezët nuk e duan pasigurinë, ata e duan planifikimin'", thotë z. Klau. Traktati i Lisbonës synon t'i ndryshojë procedurat në vendimmarrje dhe për të emëruar një president të përhershëm të Këshillit Evropian, por për ta fuqizuar atë, duhet që të 27 vendet anëtare ta ratifikojnë. Dhe, nëse irlandezët votojnë kundër në tetor, blloku evropian do të futet sërish në krizë. Në sfond të të gjithë kësaj, z. Reinfelt ka tërhequr vërejtjen për ambientin e rënduar ekonomik. Në këtë kuadër, Suedia do të mund të përplasej me Francën rreth hapave për deficitet e mëdha buxhetore. "Mendojmë se vija e nxitjes së pakove për stimulim financiar tashmë është tejkaluar dhe do të duhej t'i nxisim strategjitë e rrugëdaljes", ka thënë kryeministri suedez, Fredrik Reinfelt.
"New York Times"