English

Vazhdimi i ndryshimit

Këto ishin zgjedhjet më të kushtueshme, pasi kishin një infrastrukturë zgjedhore të re që do të shërbejë për të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe sigurisht që ky shpenzim i madh do të bëhej një herë

Nga Sali Berisha

Kjo është mbledhja e radhës e qeverisë. Ashtu siç ju kisha premtuar, të mërkurën do të ishte mbledhja tjetër e qeverisë dhe ajo po zhvillohet sot. Në këtë kontekst, reformat vazhdojnë.

Â

Unë e shfrytëzoj këtë mbledhje që, në emër të qeverisë, të shpreh edhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë ndaj mbi 1 milionë e 500 mijë zgjedhësve shqiptarë që nderuan në radhë të parë besimin e tyre, veten e tyre, por nderuan edhe vendin dhe shoqërinë shqiptar, me pjesëmarrjen e tyre, më të lartën në 13 vitet e fundit, në zgjedhje të përgjithshme.

Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë komisionerët, numëruesit e të gjitha forcave politike për bashkëpunimin luajal që ata dëshmuan, në përputhje me ligjin, në këtë proces zgjedhor që, me frymën e tij, me modernitetin e infrastrukturës së tij dhe me pjesëmarrjen e lartë, duke mos pretenduar se ishte i përsosur, nderoi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo qeveri dhe jo ajo tjetra që vjen, do të vendosë për t'i shpërblyer ata, pra një shpërblim shtesë, sepse në këtë proces, ata kanë një kontribut madhor, janë anonimë në kuptimin e protagonizmit, por janë institucioni më i rëndësishëm i zgjedhjeve. Ndaj, qeveria, ashtu siç cakton një bonus për punonjësit në fund të vitit, do ta bëjë këtë gjë për të gjithë komisionerët, veçanërisht numëruesit, që, për hir të së vërtetës, kanë pasur një detyrë jashtëzakonisht të lodhshme. Kjo sepse nuk ishte përllogaritur mirë numri i qendrave të votimit, i cili duhej të ishte shumë më i madh. Për këtë bonus, duhet të bëjmë gati një faturë të re.

Natyrisht, këto ishin zgjedhjet më të kushtueshme, pasi kishin një infrastrukturë zgjedhore të re që do të shërbejë për të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe sigurisht që ky shpenzim i madh do të bëhej një herë. Qeverisë sonë i takoi nderi që të zhvillonte zgjedhjet me dokumentet më moderne, tërësisht dixhitale dhe në mënyrë të veçantë, të vendosë një standard të ri, ndër më të pa shembullit në botë, numërimin me kamera. Ky standard shpresoj të gjejë pasqyrimin më të gjerë, sepse absolutisht, në çdo vend, diskutimi për validitetin dhe mosvaliditetin e fletës së votimit është prezent.

Qytetarët duhet ta dinë se zgjedhjet kanë përfunduar. Rezultati nuk është akoma përfundimtar, por së shpejti do të bëhet publik. Është fakt i pamohueshëm që në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë vlerësuan dhe votëbesuan mazhorancën dhe reformat e saj. Por rezultati nuk është i shpallur. Ashtu siç jam shprehur edhe më parë, për t'u prononcuar për rezultatin, unë do të pres Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sot, një mik i imi, publicist i njohur, më pyeti: Si ka mundësi që aty, në selinë e tënde, nuk kishte një database për të pasqyruar të dhënat që vinin nga komisionet për zgjedhjet! Une iu përgjigja se nuk ishte nevojshme, pasi këtë punë po e bënte KQZ-ja. Edhe Shoqata që po merret me numërimin e votave, ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, pavarësisht se me aq sa kuptova, ajo kishte një distancë me kohën e vjeljes së të dhënave nga KQZ. Por ato po bëjnë një transparencë të plotë, si kurrë ndonjëherë. Atëherë, partive politike nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shprehin besimin ndaj teknologjisë së lartë dhe ta ndiqnin së bashku me publikun, rezultatin e partive të tyre. Kjo ndodhi dhe kjo po vazhdon të ndodhë.

Qytetari është i interesuar për qeverinë e re dhe kjo është normale. Zhvilluam zgjedhje dhe ato prodhojnë qeverinë e re. Natyrisht, koalicioni ynë u certifikua. Qeveria e re mund të krijohet sapo të shpallet rezultati, por kjo nuk do të ndodhë, sepse kemi një përcaktim kushtetues. Përcaktimi kushtetues është i tillë që, pasi Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin, ai, brenda 10 ditëve duhet t'i paraqesë programin parlamentit të vendit. Ky është një obligim kushtetues. Mirëpo, kjo gjë nuk mund të ndodhë para konstituimit të parlamentit të ri. Natyrisht, programi i qeverisë së re do t'i paraqitet parlamentit që doli nga këto zgjedhje për miratim. Kushtetuta e ka të përcaktuar se parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i parlamentit tjetër, ndërkohë që mandati i parlamentit tjetër skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, nga data 3 ose 4 shtator. Në këtë kontekst, thirrja ime për ju është që të funksionojmë si qeveri. Unë nuk kam ndërmend të përdor variantin e ecjes së punës me zëvendësministrat, një praktikë kjo sporadike. Jo. Unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat deri ditën e krijimit të qeverisë së re. Ndaj dhe unë, ju ftoj ju, zotërinj ministra - natyrisht koalicioni do të zgjerohet - por ju ftoj ju zotërinj ministra, që, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, me administratën, të intensifikojmë të gjitha përpjekjet dhe, në rast se ndonjë detyrë e cila mund të ketë pësuar ndonjë shtytje, ndonjë shmangie, për shkak të fushatës zgjedhore, të vendoset në axhendë dhe të funksionojmë normalisht.

Nuk duhet të harrojmë se Komisioni Evropian ka lënë një seri detyrash në raportin e vjetshëm. Është punuar me seriozitetin më të madh në këto detyra. Por, zonja ministre e Integrimit Bregu, duhet bërë një rivlerësim i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ky raport dhe gjatë verës do të punohet me intensitetin më të madh, në mënyrë që çdo detyrim që rrjedh nga raporti i Komisionit Evropian, të përmbushet, si interesi më i mirë i këtij vendi. Ka edhe reformat ë tjera të cilat duhet të vazhdojnë.

Ne nuk mund të miratojmë ligje, deri sa të konstituohet parlamenti, por ne këto ligje i çojmë në parlament dhe parlamentit të ri i lemë një vëllim të konsiderueshëm pune që në fillim. Ky është një parlament me eksperiencë.

Ndaj le të vazhdojmë reformat, veçanërisht me përqendrim total në detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila tashmë është në fuqi, sepse është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare dhe ajo përbën "roadmape" tonë, programin tonë, aq më tepër kur integrimi është çështja më kryesore e katër viteve që vijnë.

Sot, mbledhja e qeverisë ka një seri marrëveshjesh, projektvendimesh e ligjesh.

 Është miratimi i "programit buxhetor afatmesëm 2010-2012". Është miratimi "I treguesve makroekonomik dhe fiskal për 2010-2012", "Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe për procedurën e shitjes", etj. Janë një seri marrëveshjesh për kredi, transferime pronash, vendime shpronësimesh, etj. Pra, reformat janë të pandalshme".

(*) Fjala e Kryeministrit sonte në mbledhjen e qeverisë

KOMENTE