English

Vret kushëririn pas një sherri për pronat, tenton të vetëflijohet duke pirë helm

Durrës, 1 korrik NOA - Qëllon me armë kushëririn dhe më pas konsumon helm.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në fshatin Shkallë të Durrësit kur është vrarë me çifte 37-vjeçari Dritan Djaloshi nga kushëriri i tij Jak Djaloshi 52-vjeç.

Policia e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarje ka mundur të zbardhë motivin dhe mekanizmin e krimit.

Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri që kishte nisur herët mes dy kushërinjve për një pronë që ndodhej pranë banesave të tyre.

Pas sherrit, 52-vjeçari ka marrë nga banesa e tij një çifte të cilën e mbante me leje dhe ka qëlluar në drejtim të 37-vjeçarit Djaloshi duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë pasi ka parë kushëririn e tij të vdekur, autori ka shkuar në banesë dhe prej andej ka marrë një sasi helmi për tu larguar më pas në drejtim të pyllit të fshatit.

Veprimet pas krimit të, 52-vjeçarit i janë treguar policisë nga bashkëshortja e tij.

Ndërkohë që forca policie filluan kërkimet për të kapur autorin e ngjarjes i cili u gjet vetëm një orë pas krimit.

Sipas policisë në momentin e kapjes ai ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u transportua menjëherë në spital.

Policia po vazhdon më tej hetimet për të zbardhur me saktësi rrethanat e kësaj ngjarjeje.

k.k/NOA

KOMENTE