English

Ministria e Jashtme përshëndet marrjen e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian nga Suedia

Tiranë, 2 korrik NOA - Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur sot marrjen e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian nga Suedia.

Data 1 korrik shënon kalimin e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian nga Republika Çeke tek Suedia.

"Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të përgëzojë Çekinë për përfundimin me sukses të presidencës së saj ambicioze, e cila u përball me sfida jo të vogla. Kjo presidencë pati një domethënie të madhe për Shqipërinë, pasi gjatë këtij gjashtë mujori marrëdhënia jonë me BE kaloi në një nivel të ri partneriteti me hyrjen në fuqi të MSA-së, depozitimin e aplikimit për anëtarësim, si dhe u arrit progres thelbësor në procesin e liberalizimit të vizave. Kontributi i Presidencës çeke në këto momente të rëndësishme ka qenë tejet i çmuar" thuhej në deklaratën e lëshuar sot nga Ministria e Jashtme.

"Ne jemi të bindur se gjatë këtij 6 mujori, Shqipëria do të avancojë në etapat e mëtejshme të rrugëtimit të saj evropian. Sigurojmë të gjithë partnerët tanë evropianë se Shqipëria do të vazhdojë të shënojë progres thelbësor në të gjitha fushat, pasi rruga jonë është tashmë e pakthyeshme dhe vullneti ynë për të ecur me reformat është thellësisht i bazuar në vokacionin e popullit shqiptar për t'u bërë pjesë e familjes evropiane" thuhej më tej në deklaratë.

k.k/NOA

KOMENTE