Fondi Evropian për Evropën Juglindore i jep 5 milionë euro ProCredit-it Shqipëri. Qëllimi është promovimi i efiçencës së energjisë në Shqipëri
Tiranë dhe Frankfurt mbi Main, 2 Korrik, NOA - ProCredit bëhet banka e parë në Shqipëri që do të ofrojë produkt të specializuar kredie për kursimin e energjisë.
Në mbështetje të tendencës globale të kursimit të energjisë, ProCredit Bank do të zhvillojë kredi për përdorimin efikas të energjisë, e cila do t'u mundësojë përfituesve të saj përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës.
Kredia për përdorimin me efiçencë të energjisë do të ndihmojë familjet dhe bizneset në pakësimin e kostove të tyre të energjisë.
Qëllimi i kësaj kredie është që të promovojë financimin e teknologjive që kursejnë energji.
Prezantimi i këtij produkti të ri do të bëhet e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të ProCredit Bank Shqipëri dhe Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), që është një prej fondeve më të mëdha në mbarë botën për investimin në mikrofinancë.
Këto dy institucione arritën marrëveshje për dhënien e kredive individuale me një shumë totale prej 5 milionë euro, nga ku 2 milionë euro për përdorimin me efiçencë të energjisë dhe 3 milionë euro për kreditë rurale.
Këto kredi i mundësojnë ProCredit Bank zgjerimin e shtrirjes së saj tek individët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në zonat rurale.
Kontratat e kredisë u nënshkruan nga përfaqësues të EFSE dhe përfaqësues të ProCredit Bank më 25 Qershor 2009.
EFSE nënshkroi nëpërmjet: Dr Klaus Glaubitt, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, dhe Znj Monika Beck, Anëtare e Bordit të Drejtorëve të EFSE. Znj. Mimoza Godanci, Zv. Drejtore e Përgjithshme e ProCredit Bank u shpreh se "ProCredit Bank ka qenë një partner afatgjatë në Shqipëri për më shumë se 14 vjet.
Banka ka treguar një angazhim aktiv në mbështetjen e ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme dhe prandaj ajo luan një rol thelbësor në nxitjen e sektorit privat në Shqipëri".
"Ne besojmë se kredia do të mundësojë dhe do të promovojë përdorimin më me efiçencë të energjisë nga sipërmarrësit privat në Shqipëri për të mirën e të gjithë ekonomisë", komentoi znj. Godanci.
ProCredit Bank dhe stafi i saj është njohur gjithmonë për rolin e saj aktiv në mbrojtjen e mjedisit dhe në ruajtjen e natyrës dhe komunitetit.
Dr. Klaus Glaubitt, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, theksoi: "Të dy kreditë përfaqësojnë investime të rëndësishme për EFSE. Kredia rurale është për klientët bujqësorë të vegjël në zonat rurale, e cila është në vijë të drejtë me qëllimin e EFSE për të promovuar huadhënien rurale. Nëpërmjet kredisë për përdorimin me efiçencë të energjisë, ProCredit Bank Shqipëri i mundëson hedhjen e një prej produkteve më modern në tregun shqiptar. Ne jemi shumë krenar që jemi pjesë e këtij procesi".
Kjo kredi është një vazhdimësi e angazhimit të EFSE për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
Përmes rajonit të saj të synuar për Evropën Juglindore, EFSE ka angazhuar mbi 600 milionë euro për 55 banka tregtare, institucione mikrofinanciare dhe institucione financiare jo bankare për të kredituar 835 milion euro në 166,000 kredi për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme dhe për familjet private me të ardhura të ulëta (si në 31 Mars, 2009).
Kjo nga ana tjetër ka kontribuar në hapjen e 245,000 vende pune (Studimi Vjetor i EFSE mbi Impaktin në Zhvillim për vitin 2007).
ProCredit Bank është e pranishme nëpërmjet një rrjeti prej 40 degësh dhe agjencish, të cilat ofrojnë një linjë të plotë shërbimesh bankare dhe produkte kredie për të gjithë.
Aksionerët e ProCredit Bank Shqipëri janë institucione ndërkombëtare të qëndrueshme dhe të fuqishme si: ProCredit Bank AG në Frankfurt dhe Commerzbank AG në Frankfurt. ProCredit Bank është e pranishme në 22 shtete, në: Evropën Juglindore, Afrikë dhe në Amerikën Latine.
/e.l/NOA