Prishtinë, 3 korrik NOS - Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj është takuar me Avokatin e Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi, i emëruar në këtë detyrë vetëm tre javë më parë.
Kurteshi, ka takuar Kryetaren e Gjykatës së Lartë Becaj në kuadër të vizitës së tij zyrtare dhe miqësore në Shqipëri, me rastin e marrjes së mandatit të ri të Avokatit të Popullit.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar në lidhje me rolin e institucionit të Avokatit të Popullit në të dy vendet fqinje, duke e renditur atë ndër institucionet, të cilat kanë pasur dhe kanë një ndikim të thellë në fitimin e besimit tek publiku.
Kurteshi gjatë fjalës së tij tha se në Kosovë bëhen përpjekje të vazhdueshme për të arritur standardet e kërkuara dhe mbi të gjitha për të ndryshuar mendimin kritik që ka opinioni publik për gjyqësorin në përgjithësi.
Në këtë kuadër Kryetarja e Gjykatës së Lartë i shprehu miqve nga Kosova, se shqiptarët dhe mbi të gjitha institucionet e vendit tonë, i kanë ndjekur me vëmendje arritjet dhe përpjekjet e Kosovës për të zgjidhur problemet e tyre.
Becaj ka theksuar se është e rëndësishme që gjyqësori të jetë i pavarur ashtu siç e garanton Kushtetuta.
"Ne jemi të përkushtuar, për t'a garantuar këtë pavarësi, e cila është një fitore e madhe e arritur gjatë këtyre viteve" tha Besaj.
Ndërsa përsa i përket rolit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, sipas Becaj, ky institucion ka marrë pozicionin që i takon, duke fituar kështu besimin, autoritetin dhe prestigjin e kërkuar tek publiku.
k.k/NOA