Tiranë, 3 korrik NOA - Â Kyeministri Sali Berisha i dërgoi sot një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obamës, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA.
"I dashur President, Obama! Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t'ju uroj përzemërsisht për Ditën e Pavarësisë.
 Me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, më 4 korrik 1776, vlerat e mëdha e të pandashme të njerëzimit, të jetës, lirisë dhe të së drejtës për të kërkuar lumturinë individuale, u sanksionuan, në mënyrën më spektakolare, si kurrë ndonjëherë më parë, si urdhëresat më të shenjta, mbi të cilat lartësohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çdo vend i lirë e demokratik" thuhej në letrën e urimit të Berishës drejtuar Obamës.
"Kjo ditë e shënuar është një jubile i veçantë për të gjithë miqtë e SHBA në botë, për ne shqiptarët dhe për mua, si Kryeministër i Shqipërisë, që pata rastin të përfaqësoj vendin tim në samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Kehl, si anëtar i denjë në Aleancën më të madhe të familjes së kombeve të lira. Takimi me Ju dhe dorëzimi nga Ju i Traktatit të Uashingtonit do të mbeten për mua dhe të gjithë shqiptarët një çast historik i paharrueshëm. Ndaj, në emër të të gjithë shqiptarëve, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin t'ju shpreh mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen e mbështetjen e çmuar, që ju, administrata juaj dhe kombi i madh amerikan, miku më i madh e më i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë të  mundur realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të  vendit tim, për të qenë anëtar i NATO-s si edhe për mbështetjen,  që vazhdoni të na jepni, për përparimin e begatinë e mëtejshme të vendit dhe popullit tonë" thuhej më tej në letër.
k.k/NOA