English

Presidenti, pse duhet të thërrasë Berishën për të formuar qeverinë e re

Vërehet këto ditë një heshtje e plotë e kryetarit të shtetit, ish-nënkryetar i PD. Tani ai duhet të bëjë lëvizjen që e detyron ligji, të thërrasë Berishën dhe ta autorizojë për krijimin e qeverisë së re

Redaksionale NOA

Tiranë, 3 Korrik NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas një pauze të gjatë publike që më 28 qershor, tani duhet të thyejë heshtjen dhe të flasë me gjuhën e ligjit.

Tani është e qartë se koalicioni që ka më shumë vota, është ai që kryesohet nga Partia Demokratike e kryeministrit aktual, ndaj kryetari i shtetit, nuk mund të humbasë më kohë, por duhet të autorizojë Berishën që të krijojë qeverinë e re.

Por si funksionon sipas Kushtetutës, në të tilla raste?

Juristët evidentojnë faktin se në kushtet kur numrin më të madh të mandateve e ka një parti apo një grupim i caktuar politik, atëherë Presidenti është i detyruar që të kërkojë nga kryetari i forcës apo koalicionit partiak që të nisë negociatat për formimin e qeverisë së re që më tej duhet të kërkojë votëbesim në Kuvendin me 140 deputetë, ku duhet të marrë 50 për qind + 1, të votave.

Në rastin konkret, presupozohet që kryeministri aktual Sali Berisha, të negociojë me aleatët që janë PR dhe PDi por edhe me dhuratën që i erdhi nga LSI, Ilir Meta, e ca më tej akoma, edhe me LSI-në në tërësi që ka edhe tre deputetë të tjerë.

Në këtë mënyrë, PD duket se nuk e ka shumë të vështirë të krijojë qeverinë e re dhe ta mandatojë atë përmes Parlamentit dhe më tej përmes dekretimit presidencial.

Ndërkohë, mbetet gjithnjë si opsion, brenda kornizave ligjore por larg atyre morale të shprehura publikisht, negocimi PD-PS për qeverinë e re.

Në rast se partia apo grupimi i parë nuk arrin të kurorëzojë përpjekjet për të krijuar një qeveri, atëherë kjo i kërkohet partisë apo koalicionit që është në vend të dytë për numër mandatesh, në rastin konkret, Partisë Socialiste.

Në rastin e PS, kjo e fundit duket se e ka të pamundur të krijojë qeveri. Kjo për faktin se së bashku me koalicionin, ajo nuk kontrollon më shumë se 66 mandate ndërsa i duhen edhe pesë të tjera që të arrijë të formojë qeverinë e re.

Edhe nëse do të arrinte të merrte tre ose të katër mandatet e LSI përmes pëlqimit të kësaj të fundit, sërish PS-së, do t'i duhej edhe një deputet tjetër që zor se mund ta gjejë te PD, e vetmja mundësi në këtë rast për të "kapur" mandatin e 71-të ose decizivin për një qeveri të Edi Ramës.

Nëse edhe kjo forcë apo koalicion partiak nuk do të arrinte dot të krijonte qeverinë, Presidenti, duke shfrytëzuar hapësirat kushtetuese, do të duhej të urdhëronte anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, në një hapësirë përsëritjeje prej jo më shumë se 45 ditësh dhe me një fushatë elektorale të reduktuar deri në 50 për qind.

E pra, për të mos humbur shumë kohë dhe për të mos dëmtuar edhe ca më shumë integrimin e vendit dhe vazhdimësinë e reformave, nuk duhet humbur më kohë.

Mbetet në pëlqimin e kryetarit të shtetit që të shpallë sa më shpejt nisjen e negociatave politike për qeverinë e re dhe kjo, sikundër evidentojnë juristët, mund të bëhet pa pritur daljen e rezultatit zyrtar final nga KQZ që pritet të marrë goxha kohë, ndoshta muaj të tërë, si rëndom në proceset e mëparshme zgjedhore.

/e.l/NOA/

Â

KOMENTE