Berisha, i njohur vitet e fundit, si njeri i kompromisit politik që i sjell vazhdimësi të mbijetesës dhe karrierës politike, ka ftuar Ilir Metën...
Redaksionale NOA
Ai që duhet të ishte aleati i tij in natyrshëm dhe ai që njihet si armik i PS por njeri i kompromisit, i kanë bërë një dhuratë të hidhur kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, sot në 45 vjetorin e ardhjes në këtë botë.
Edi Rama sot ka ditëlindjen dhe mbush plot 45 vjeç. Ndaj një pyetje që iu bë kreut të PD, Sali Berisha, ishte sot: "A keni një dhuratë për kryesocialistin Edi Rama, i cili sot ka ditëlindjen?".
Përgjigjja e Berishës, ishte: "Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen. Uroj që vitet që vijnë, t'i sjellin më shumë rini".
Në të vërtetë, ky ishte urimi publik i Berishës, sepse "dhurata" që ai i bëri sot Ramës për ditëlindje, ishte grushti më i rëndë që mund të merrte kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, që tani nuk i mbetet gjë tjetër veçse të japë dorëheqjen.
Berisha, i njohur vitet e fundit, si njeri i kompromisit politik që i sjell vazhdimësi të mbijetesës dhe karrierës politike, ka ftuar sot Ilir Metën dhe partinë e tij, LSI, që t'i bashkohen koalicionit për krijimin e qeverisë së re.
Në kohë, Berisha kishte deklaruar se "LSI është gjysma e mollës së kalbur të PS-së?" dhe i pyetur sot se a i përmbahej më kësaj deklarate, dha këtë përgjigje direkte për gazetaren: "Ah, me limonada elektorale merresh ti... Si thotë Konica fjalë kazani…!".
Dhurata e Berishës, ishte vetëm antipasta që iu dha Edi Ramës sot për ditëlindjen e tij të 45-të. Vetëm pak orë më vonë, mbërriti dhurata e dytë e hidhur, ajo që ndoshta pritej shumë më pak se e para, nga Ilir Meta.
Ky i fundit, nuk vonoi aspak, "të urojë" dhe ai Edi Ramën për ditëlindjen, duke pranuar publikisht, ftesën e Berishës, për të bashkuar votat dhe për të qenë së bashku në koalicion qeveritar.
Në këto kushte, Edi Ramës nuk i mbetet asgjë tjetër, por të pranojë në heshtje këto "dhurata" dhe të bëjë hapin që përmban statusi dhe që ai vetë e kishte pohuar publikisht më herët: të japë dorëheqjen nga kreu i Partisë Socialiste.
/e.l/NOA/