Vlorë, 4 Korrik NOA - Të gjithë deputetët me origjinë çame të cilët fituan mandatin për të zënë vende në parlamentin e ri me 140 deputetë, pavarësisht nëse i përkasin të majtës apo të djathtës, t'i bashkohen PDI-së.
Kjo ishte kërkesa që shprehu sot në Vlorë, Dashamir Tahiri, deputet i vetëm i PDI, në një konferencë të posaçme për shtyp.
Tahiri që në fillim siguroi se ai është në koalicion me PD dhe do të qëndrojë aty, duke sqaruar kështu përfundimisht, pozicionin e PDI lidhur me koalicionet paszgjedhore.
Deputeti i Qarkut të Vlorës i Partisë Drejtësi për Integrim, tregoi se "në Shqipëri, nga diaspora dhe kudo që ndodhen përkrahësit tanë, më është kërkuar të përcjell zërin e tyre për bashkimin e të gjithëve ne për çështjen kombëtare".
"Prandaj jam këtu sot, - vijoi Tahiri, - për t'u bërë një thirrje të gjithë kolegëve të mi deputetë, të majtë dhe të djathte, për t'u bashkuar me PDI-në, për të çuar përpara çështjen kombëtare.
"Është koha e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një patriot i vërtetë nuk do të ngurronte në një situatë të tillë, ndaj ju ftoj pa humbur kohë të bëhemi pjesë e historisë", - përfundoi Tahiri.
/a.l/k.k/NOA/